E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrethimin e fundit enverist kundër lëvizjes së lirë, Edi Rama po e kryen me Gramoz Ruçin

Grupi parlamentar i PS-së i është rikthyer kërcënimit për bojkot e protesta, nëpërmjet deklaratave me gjuhë Sigurimi të Gramoz Ruçit, i cili si në 1990, po luan rolin e klonit që kërkon t’u ndalë shqiptarëve lëvizjen e lirë drejt Perëndimit

Në përpjekjen e radhës për frenimin e procesit të liberalizimit të vizave, që jo aq edhe për rastësi korrespondon me 20 vjetorin e hyrjes në ambasada, Gramoz Ruçi ka paralajmëruar dje sërish bojkotin e Parlamentit. Vendimi, i cili duket se përkrahet në distancë vetëm nga Edi Rama, ka ndeshur kundërshtimin e deputetëve të tjerë socialistë.
Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PS-së, ku Edi Rama vetë nuk merrte pjesë, mësohet se shumica e deputetëve të kësaj partie, nuk e kanë përkrahur idenë e rikthimit te bojkoti parlamentar dhe protestat, të artikuluar në emër të kryetarit të PS-së nga Gramoz Ruçi, kryetari i grupit parlamentar të kësaj partie.
Strategjia e vjetër e Edi Ramës, në tentativë për rikthim, pas dështimit të saj me grevën e urisë, vetëm pak kohë më parë, me gjithë presionin e ndërkombëtarëve, ka ndeshur dje në kundërshtimin e fortë të një pjese të konsiderueshme të deputetëve socialistë. Në këtë “ballafaqim” ku Gramoz Ruçi ka qenë i vetmi mbrojtës i linjës radikale e të ashpër të të bërit opozitë, në emër të frenimit të procesit të liberalizimit të vizave dhe integrimit të Shqipërisë, me gjithë vendosmërinë e demonstruar, platforma këmbëngulës e tij ka përfunduar në një kërcënim virtual për një gjysmëbojkot, i cili do të shtrijë efektet e tij, vetëm deri te kufiri i mosvotimit të asnjë ligji nga ana e socialistëve.
Vendimi për një gjysmëbojkot, ka qenë më optimali i grupit parlamentar të PS-së, i marrë dje, edhe si rezultat i presionit të madh që vetë deputetët e kësaj partie, ushtruan ndaj “platformës” radikale të Gramoz Ruçit, që qëllim të vetëm ka frenimin e procesit të liberalizimit dhe integrimit të Shqipërisë në BE.
Përballë “platformës” së Gramoz Ruçit, ideja që ka mbizotëruar më shumë nga një pjesë e konsiderueshme e deputetëve të PS-së, ka qenë ajo e luftës parlamentare.
Përkundër “platformës” së Gramoz Ruçit për rikthim te bojkoti dhe protestat në rrugë, disa deputetë i kanë kujtuar atij se kjo është një tentativë e dështuar.
“Taktikat e artit luftarake na tregojnë dhe na mësojnë, se në luftë nuk mund të përdorësh të njëjtat armë me të cilat ke dështuar një herë”, mësohet të jetë shprehur në mbledhje deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, duke iu referuar shembullit të dështimit me bojkotin, protestat dhe grevën e urisë, të deputetëve dhe militantëve të PS-së.
Kundër rikthimit te bojkoti dhe protestat, mësohet se janë shprehur dje dhe deputetët të tjerë socialistë si Namik Dokle, Marko Bello, Arben Malaj, Ilir Gjoni, Erion Braçe, apo edhe Ditmir Bushati.
Ndër deputetët kundërshtues të “platformës” së Gramoz Ruçit, deputeti socialist, anëtar i kryesisë së kësaj partie, Arben Malaj, mësohet të ketë kërkuar një opozitë parlamentare dhe funksionim të strukturave të partisë në vendimmarrjen politike.
Frikën ndaj “zemërimit” të ndërkombëtarëve, ndja një rikthimi të mundshëm të PS-së te bojkoti i parlamentit dhe prostestat në rrugë, përballë edhe qëllimit dashakeqës të Gramoz Ruçit, për ta imponuar një radikalizim të ri të qëndrimit të PS-së, në funksion të pengimit të liberalizimit të vizave dhe integrimit në BE, nuk e ka lënë pa e shprehur deputeti Ditmir Bushati. “Ndërkombëtarëve s’do t’u pëlqejë një radikalizëm i ri i qëndrimit opozitar dhe nuk do të kemi mbështetje”, mësohet të ketë thënë Bushati
Shqetësimit të Ditmir Bushatit, mësohet se i janë bashkëngjitur edhe disa deputetë të tjerë socialistë.
Në këmbënguljen e tij, për një radikalizim të ri të qëndrimit të PS-së, Gramoz Ruçi, mësohet se ka pasur si mbështetës, vetëm një pjesë të deputetëve grevistë të urisë, si edhe biznesmenë. Deputetët Blendi Klosi, Shegushe Ligori, Ledi Shamku, apo edhe Fatmir Toçi, mes “zemërimit” të tyre, për mosarritjen e objektivit të hapjes së kutive, kanë kërkuar që opozita t’i rikthehet bojkotit të parlamentit, si edhe protestave nëpër rrugë.
Në fund të mbledhjes, duke pasur se dëshira e Gramoz Ruçit dhe Edi Ramës për frenimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe integrimit europian, ka qenë në minorancë, mbledhja e grupit të deputetëve socialistë, ka vendosur të marrë një vendim për një gjysmë bojkoti, i cili nënkupton mosvotimin e ansjë ligji në Parlament nga socialistët, ndërsa vendimmarrja për pjesën radikale të “platformës” së Edi Ramës, të lexuar e mbrojtur dje nga Gramoz Ruçi, është shtyrë për më vonë, saktësisht për në shtator.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›