E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti 2014, gur kilometrik në hartën drejt anëtarësimit

01/04/2010 Të majtët evropianë deklarohen në mbështetje të zgjerimit të BE-së

“Shqipëria mund të përfitojë liberalizimin e vizave nga korriku 2010”

Socialistët dhe socialdemokratët evropianë (PSE) kërkojnë që të përshpejtohen hapat për integrimin në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria. Në deklaratën finale të Konferencës mbi Ballkanin, zhvilluar në Sarajevë, thuhet se me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, PSE-ja dëshiron që viti 2010 të shënojë një fillim të ri për zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor. Në këtë deklaratë theksohet se në vitet e fundit rajoni ka bërë përparim të ndjeshëm drejt anëtarësimit në BE, duke treguar mendësinë proevropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duke u ndalur në çështjen e liberalizimit të vizave, PSE-ja vlerëson se Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina po bëjnë përparim të mirë drejt të regjimit të liberalizimit të vizave dhe përmbushjes së kritereve të Kopenhagenit. “Shqipëria por dhe Bosnjë-Hercegovina mund të përfitojnë nga liberalizimi i vizave qysh në korrik 2010-ës. Liberalizmi i vizave mbetet shtyllë themelore për aderimin në BE, e cila do të inkurajojë mirëkuptimin ndërkulturor kozmopolitan dhe mentalitetin proevropian në rajon”, thuhet në deklaratë. PSE-ja ndalet në mënyrë të veçantë në zgjerimin e BE-së me vendet e rajonit. Të majtët evropianë nënvizojnë se vizioni i tyre lidhet me të ashtuquajturin “Zgjerimi 2014”. “PSE-ja, si familja politike më e përkushtuar evropiane ndaj integrimit evropian të Ballkanit, e miraton fuqimisht vizionin për “Zgjerimin 2014”. Viti 2014 duhet të jetë një gur kilometrik në hartën e rrugës drejt anëtarësimit në BE, duke mbajtur parasysh se disa prej vendeve mund të jenë anëtarë të BE-së edhe më parë. Kjo e bën atë një datë simbolike, që shënon njëqindvjetorin e shpërthimit të Luftës së I Botërore. Kjo është një datë ambicioze, por megjithatë e mundshme, e cila nënkupton edhe përmbushjen e kritereve të anëtarësimit të përcaktuara nga ana e BE-së”, thekson PSE-ja. Grupimi i të majtëve evropianë përmes kësaj deklarate siguron rajonin për mbështetje dhe solidaritet. Por që vizioni i PSE-së “Zgjerimi 2014” të jetë i suksesshëm, ndër të tjera nevojitet bashkëpunim i të gjitha partive anëtare të PSE-së, vendosja e rregullave të qarta për partitë politike, transparencë dhe luftë të vendosur kundër korrupsionit. PSE-ja thotë se strategjia duhet të mbështetet me politika progresive.

Zhvillimi ekonomik

PSE-ja në deklaratën finale të Konferencës thekson se duhet të ndërmerren politika të caktuara që Ballkani Perëndimor të jetë ekonomikisht i shëndetshëm. Kështu, PSE-ja thekson se duhet të sigurohet një dimension i fuqishëm social, duke kombinuar politikat e punësimit me ato të mbrojtjes dhe përfshirjes sociale, me qëllim që të mbështetet ndryshimi, si dhe lufta kundër varfërisë dhe pabarazisë; duhet kaluar drejt ekonomive me përdorim të ulët karboni; duhet nxitur novacioni; duhen fuqizuar sindikatat; duhet siguruar aksesi ndaj shërbimeve publike me cilësi të mirë; duhet fuqizuar shoqëria civile.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›