Rritja e popullarizimit
Nga Thomas Friedman
(Nju Jork Tajms)
Derisa udhëtoja javën e kaluar nëpër Evropë, dukej sikur secili muhabet mbaronte pak a shumë me këtë pyetje: Pse duket sikur pak njerëz janë të aftë të frymëzojnë popujt e tyre t’ia dalin të tejkalojnë sfidat e ditëve tona? Ka shumë shpjegime për këtë deficit global të lidershipit, por unë do të fokusohesha në dy: njëri është punë gjenerate, tjetri teknologjie.
Le të nisim me atë teknologjik. Në vitin 1965, Gordon Moore, bashkëthemelues i “Intelit”, parashtroi Ligjin e Mooret, i cili përcaktoi se fuqia procesuese që mund të vendosej në një mikroçip të vetëm do të dyfishohej çdo 18 deri në 24 muaj. Dhe deri tash ia ka dalë mjaft mirë. Derisa shikon liderët evropianë, arabë dhe amerikanë, duke zënë në thua me krizat e tyre respektive, ma ha mendja sikur nuk ka ndonjë konkluzion politik të Ligjit të Mooret: Cilësia e lidershipit politik bie me çdo 100 milionë përdorues të rinj të “Facebookut” dhe “Twitterit”. Bota në shpërthim e medies sociale dhe celularëve të internetit po e ndryshon natyrën e muhabetit ndërmjet liderëve, dhe kjo çon tjetërkund. Ne po kalojmë prej muhabeteve të një lloji - prej lart-poshtë - në muhabete me dy lloje - poshtë-lart dhe lart-poshtë. Kjo sjell përmbysje: më shumë pjesëmarrje, më shumë inovacion dhe më shumë transparencë. Por a mund të jetë një gjë e tillë pjesëmarrje e tepërt - liderët të dëgjojnë kaq shumë zëra gjatë gjithë kohës dhe të ndjekin trendët, saqë ata bëhen të burgosur të tyre? Kjo fjali më kërceu të mërkurën prej veprës “Politico”: “Fushatat e Obamës dhe të Romneyt kaluan tërë ditën duke u marrë njëra me tjetrën në ‘Twitter’, të gjitha këto në kohën kur fushatat kanë mungesë të ideve serioze në ditë të vështira. Madje edhe në kohën kur kanë rastin të merren me punë të mëdha, kanë zgjedhur të merren me sene të kota”. Në të vërtetë, javën e kaluar në Londër veshi ma zuri një fjalë të re: “Popullarizim”. Është një nënideologji e ditëve të sotme. Shikoni anketimet, ndiqni bllogjet, shkruani në “Twitter” e “Facebook” dhe shkoni pikërisht aty ku shkojnë krejt, dhe jo aty ku ju keni nevojë të shkoni. Kur të gjithë po “ndjekin”, atëherë kush po prin?
Dhe ja ku vijmë te faktori ekspozues. Gjithsecili me një celular në dorë sot është paparazzi; kushdo me një llogari në “Twitter” është një reporter, cilido me qasje në “YouTube” është një regjisor. Kur të gjitha janë paparazzi, reporterë dhe regjisorë, gjithsecili është një figurë publike. Dhe nëse ju njëmend jeni një figurë publike – një politikan – vështrimi hetues mund të bëhet aq i mërzitshëm saqë jeta publike shndërrohet në diçka që duhet shmangur me çdo çmim. Alexander Downer, ish-ministër i Jashtëm australian, më tha ditëve fundit: “Gjithnjë e më shumë liderët janë caqe të vlerësimeve monitoruese, ndryshe nga më herët. Kjo nuk i dekurajon më të mirët prej tyre, ama interaksioni konstant dhe qesharak nga publiku po e bën të vështirë që ata të marrin vendime të guximshme dhe të ndjeshme”.
E sa për punën e gjeneratës, kemi kaluar prej gjeneratës së mrekullueshme, që besonte në kursim dhe investim për të ardhmen, në një gjeneratë “Baby Boomer”, që besonte në huamarrje dhe shpenzim sot për nesër. Si kontrasti ndërmjet George W. Bushit dhe babait të tij, George H.W. Bush. Babai, i cili u paraqit menjëherë vullnetar për Luftën e Dytë Botërore pas Pearl Harborit, ishte cilësuar si një lider i njëmendtë gjatë luftës së ftohtë - një kohë serioze, ku liderët nuk kishin kohë të shikonin anketimet - dhe si president kishte rritur taksat kur nevoja fiskale e kërkonte një gjë të tillë. I biri i tij i gjeneratës së “Baby Boomer” iu shmang rrymës dhe u bë presidenti i parë në historinë e Shteteve të Bashkuara që ulte taksat jo në kulmin e një lufte, por të dy luftërave. Kur keni teknologji që promovojnë kundërpërgjigje dhe gjykime të shpejta afatshkurtra, dhe kur keni një gjeneratë që është rritur me vlerësime sa për sy e faqe - por keni telashe zgjidhja e të cilave kërkon udhëtime të zorshme dhe afatgjate, si puna e krizës së kredive dhe shkurtimi i vendeve të punës të ditëve të sotme, ose duhet të rindërtoni shtetet arabe prej themeli - ju jeni njëmend përpara një sfide lidershipi dhe një hallakame. Virtualisht, sot të gjithë liderëve iu bie hise të pyesin qytetarët e tyre për ta ndarë bashkërisht barrën, jo vetëm përfitimet, dhe të dy palët të studiojnë fort dhe të punojnë me mençuri për t’ia dalë mbanë. Kjo kërkon lidership të jashtëzakonshëm që duhet të nisë me thënien të vërtetën popullit. Dov Siedman, autor i librit “How”, kompania e të cilit, LRN, këshillon drejtorët ekzekutivë për lidership, ka bajagi kohë që ka argumentuar se “asgjë nuk i frymëzon më shumë njerëzit sesa e vërteta”. Shumica e liderëve mendojnë se thënia e së vërtetës popullit i bën ata liderë të lëkundshëm - ose para publikut ose para rivalëve. E kanë gabim. “Pjesa më e rëndësishme e të treguarit të vërtetës është se ajo aktualisht të lidhë ty me popullin”, shpjegon Seidman, “sepse kur ju i besoni popullit me të vërtetën, ata ta kthejnë besimin”. Mashtrimet e liderëve dhënë popullit u sjellin qytetarëve një tjetër problem - më shumë mjegull - për të çarë përpara. “T’i besosh popullit me të vërtetën është sikur t’u ofrosh atyre një dysheme të fortë”, shton Seidman. “Kjo përbën aksion. Kur jemi të mbështetur në të vërtetën e përbashkët, ju nisni së bashku t’i zgjidhni problemet. Është vetëm fillimi i gjetjes së një shtegu më të mirë”.
Kjo nuk është ajo çfarë po shohim sot tek liderët në Amerikë, Evropë, apo në botën arabe. Ju vetëm mendoni një prej tyre, ama vetëm një, që do ta shfrytëzonte rastin t’ia thoshte të vërtetën në sy popullit të vet: ku janë, çka janë në gjendje të bëjnë, çfarë plani iu duhet të arrijnë atje dhe çfarë duhet të bëjë secili për të kontribuar në arritjen e atij shtegu më të mirë. Cilido lider që do ta bënte këtë, do të ketë “mbështetës” dhe “miq” të njëmendtë - e jo përkrahës virtualë.