E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO për forcat e armatosura shqiptare: “Jini krenarë për çfarë keni arritur”

28-06-2012 / Gazeta 55

Zhvillon punimet Konferenca e 5-të e ACT-së për Integrimin e Forcave të Armatosura në strukturat e NATO-s. Imami: “FA-të, të gatshme të përmbushin kërkesat e NATO-s”. Gjeneralmajor Jon B. Lilland: FA-të, progres të rëndësishëm në tre vitet e fundit

Komanda e Aleancës për Transformim ka vlerësuar me nota shumë të larta punën e bërë për integrimin e Forcave tona të Armatosura. Ndihmësi i Shefit të Shtabit të ACT-së (Komanda e NATO-s për Transformim), i cili po merr pjesë në Konferencën e Pestë për Integrimin e FA në strukturat e NATO-s, e cila po zhvillohet në ambientet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), gjeneralmajor Jon B. Lilland tha se Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura kanë bërë një punë të shkëlqyer në drejtim të integrimit të saj në NATO. “Unë jam tepër i lumtur që në Konferencën e Pestë të Integrimit të FA në NATO, vendi juaj ka bërë një punë të shkëlqyer në drejtim të konsolidimit dhe integrimit të plotë në NATO. Gjej rastin këtu të shpreh mirënjohjen time të thellë, si dhe gatishmërinë për t’ju mbështetur në çdo reformë që do të ndërmerrni, në kryerjen e seminareve, trajnimeve e stërvitjeve të përbashkëta me vendet aleate dhe partnere, me qëllim që FA Shqiptare të konsolidohen tërësisht në NATO. E vlerësoj mbështetjen tuaj të madhe në këtë punë të rëndësishme dhe do të doja t’ju falënderoja shumë për integrimin dhe mbështetjen e madhe që më dhatë gjatë përgatitjes për këtë konferencë. Duke marrë parasysh pozicionin tim në NATO do të doja gjithashtu të falënderoja Shqipërinë për kontributin kombëtarë të dhënë në operacionet e NATO-s dhe në veçanti në misionet aktuale në Afganistan. Në tre vitet e fundi ju keni bërë shumë progres në fushën e integrimit dhe duhet të jeni krenar për çka është arritur deri tani”, u shpreh gjeneralmajor Jon B. Lilland.
Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami deklaroi se “vlerësimet e punës së Forcave të Armatosura në fakt i takojnë Komandës së Aleancës për Transformim”.
Duke folur për bashkëpunimin dhe ndihmën që kanë dhënë vendet anëtare të NATO-s dhe ato partnere për Shqipërinë dhe Forcat e saj të Armatosura, ministri Imami u shpreh se, “ne vlerësojmë me të vërtetë ndihmën që vendet tona aleate dhe partnere japin për Forcat tona të Armatosura, në të gjitha fushat e integrimit, si në drejtim të doktrinave, aftësive ushtarake ose inkuadrimin strukturor. Integrimi ka qenë dhe mbetet një proces kompleks, i cili ka marrë një përkushtim shumë të madh të Burimeve Njerëzore. Megjithatë, ne jemi shumë krenar për progresin që kanë arritur Forcat e Armatosura në këto tre vitet e reformave të përshkallëzuara. Unë shfrytëzoj këtë rast të falënderoj të gjithë personelin ushtarak dhe civil për durimin, këmbënguljen dhe vullnetin e tyre, për të plotësuar të gjitha reformat e domosdoshme të nënshkruar. Falë tyre, FA Shqiptare janë të krahasueshme me Forcat e Armatosura të Aleancës”, theksoi ministri Imami.
Ministri i Mbrojtjes shprehu gjithashtu bindjen se FA-të shqiptare janë të gatshme për të përmbushur shumicën e kërkesave të NATO-s në një mënyrë shumë mirë të menduar dhe racionale, që e bënë më të lehtë zhvillimin e programit të punës dhe ngritjen e linjave të qarta kohore për zbatimin e paketës së re të Mbrojtjes së Zgjuar, “Smart Defence”, në përputhje me kushtet e vendosura në  Samitin e Çikagos.
Në hapjen e kësaj konference ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Leonard Demi, zëvendësministrat e Mbrojtjes, Arian Starova dhe Ekrem Spahiu, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm dhe Forcat e Armatosura, përfaqësues nga Ministria e Jashtme etj.
Në konferencë merr pjesë edhe Ndihmësshefi i Shtabit të Komandës së Aleancës për Transformim (ACT-së), gjeneralmajor Jon B. Lilland, si dhe ushtarakë të tjerë të lartë në Komandat e NATO-s.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›