Shqiptarët tkurrin sigurimin e pasurive
Sigurimi i pasurisë vijon të ngelet një treg ende i pazhvilluar mirë në Shqipëri. Personat dhe subjektet nuk preferojnë që të mbrojnë nga dëmtimet e ndryshme pasuritë e tyre. Të dhënat zyrtarë që vijnë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se kontratat për sigurimin e pasurisë, veçse janë të pakta në numër, pësuan dhe ulje krahasuar me vitin 2010. Primet e Shkruara Bruto në Sigurimin e Pasurisë gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti ishin me vlerë 1 miliardë e 60 milionë lekë, shifër kjo rreth 3 për qind më e ulët se e njëjta periudhë e vitit të shkuar. Kompanitë e sigurimeve kanë regjistruar dhe një tjetër zhvillim jo pozitiv për to në sigurimin e pasurisë. Po gjatë këtij vitit janë paguar më shumë dëme se një vit më parë. Kështu, nga janari deri në fund të qershorit janë paguar për klientët të cilëve u është dëmtuar prona rreth 138 milionë lekë, ndërkohë që në vitin 2010 pagesat në total ishin rreth 83.5 milionë lekë. Ndryshimi i pagesave ishte rreth 65 për qind më shumë gjatë këtij viti. Në tregun e sigurimit të pasurive operojnë 8 kompani, ku katër prej tyre njohën ulje të primeve të nënshkruara. Tjetër tregues jo i mirë për sigurimin e pasurisë është ai që vjen nga krahasimi me totalin e tregut të sigurimeve. Nga janari në qershor, vetëm 2.8 për qind e kontratave të nënshkruara ishin për mbrojtjen nga zjarri dhe dëmtime të tjera në prone. Një vit më parë ky tregues ishte në 5 për qind të totalit. Pamundësia financiare, por edhe mungesa e kulturës së sigurimeve, bën që ky treg në Shqipëri të ketë pak produkte krahasuar me vendet e tjera.