Rritje e lehtë ekonomike në vendet e Bashkimit Europian
Partnerët europianë kanë paraqitur nevojshmërinë e reformave të reja strukturore për disa prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Në të njëjtën kohë kërkojnë edhe masa kursimesh nga ana e një vendi anëtar të Bashkimit Europian siç është Spanja. Presidenti i Eurogrupit, Zhan Klod Junker ka folur për një televizion gjerman dhe ka theksuar se kushtet e kërkuara nga Spanja do të jenë shumë të vështira. Ndërkaq Spanja nga ana e saj nëpërmjet ministrit të Ekonomisë, Luis de Guindos ka marrë masat e saj duke adoptuar të gjitha masat financiare shtesë që do të duheshin për të arritur objektivin e 6,3% të Gdp. Presidenti i Eurogrupit ka deklaruar se qeveria spanjolle do të aprovojë brenda vitit një plan kombëtar reformash strukturore duke zbatuar kështu edhe rekomandimet e Bashkimit Europian. Në fakt në javët e fundit është rritur presioni mbi qeverinë e Mariano Rajoy për fondin e shpëtimit të zonës euro. Por sipas ekspertëve tregjet do të kenë luhatje nëse qeveria spanjolle do të vonojë kërkesën e saj. Spanja nga ana e saj po kërkon që të njohë më mirë se cilat do të jenë pasojat e planit të shpëtimit. Në këtë situatë ekonomike në Spanjë po flitet gjithaq edhe për terrorizmin. Autoritetet spanjolle kanë deklaruar se “nuk do të negociojnë kurrë me terroristët”. Ka qenë kryeministri spanjoll i cili gjatë një vizite në Vendet Baske në kujtim të një viktime të Eta-s, vrarë në vitin 1997, ka deklaruar se qeveria spanjolle nuk do të hyjë kurrë në negociata me terroristët. Një tjetër vend anëtar i Bashkimit Europian ka pothuajse të njëjtat probleme. Natyrisht për vendin fqinj të Greqisë ka ende shumë për të bërë për të arritur një ekuilibër të përgjithshëm në tregti por sidoqoftë shifrat flasin qartë. Janë në aktiv me 642 milionë euro për muajin korrrik, krahasuar me një deficit prej 880 milionë eurosh të korrikut të vitit të kaluar. Natyrisht ky lloj optimizmi për ekonominë e vendit fqinj vjen nga ulja e importeve dhe e konsumeve të brendshme të ardhura kryesisht nga shkurtimet e rrogave dhe të pensioneve. Sidoqoftë edhe pse e dhimbshme për shoqërinë greke diçka po fillon të funksionojë. Sipas ekonomistit Nikos Maxhinas të Bankës Kombëtare Greke kjo është “prova që skuilibrat e ekonomisë greke po ulen, edhe pse ngadalë, për herë të parë pas 10 vjetësh, dhe në të ardhmen kjo do të thotë për Greqinë se nuk do të ketë nevojë për financime nga jashtë. Të dhënat e korrikut konfirmojnë dhe forcojnë të gjithë këtë. Këtë vit deficiti mund të ulet me 4 pikë të Gdp. Nga 9,8% po shkojmë nën 6%, sepse vazhdon ulja e importeve ndërsa eksportet janë në një ripërtëritje saqë deficiti tregtar është ulur me 25% në shtatë muajt e vitit”. Ministri i Financave, Janis Stournaras kishte deklaruar një javë më parë se ekonomia e vendit fqinj ka filluar t’i përgjigjet reformave strukturore të fiksuara nga qeveria e kaluara dhe duke rifituar kompetivitetin e humbur. Duket se ashtu si ish kancelari gjerman Shroeder edhe ish kryeministrat grekë kanë paguar me humbjen në zgjedhjeve. Ministri i Financave Stournaras ka deklaruar ndërkaq se diferenca mes të ardhurave të administratës publike dhe shpenzimeve neto të interesave që korrespondojnë mbi borxhin do të jetë 1,5% e Gdp krahasuar me objektivin e 1%. Tashmë edhe Çarls Dallara, president i Institutit Ndërkombëtar të Financës, që është shoqëria më e madhe e bankave në botë, është dakord ashtu si edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar për t’i dhënë dy vjet më shumë Greqisë për të paguar këstet për 130 miliardë eurot hua. “Duhen vetëm 15-20 miliardë euro më tepër” - ka deklaruar Dallara. Por a do të ishin dakord gjermanët për këtë shumë!?