E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritje e re rrogash dhe pensionesh deri në masën 6%

14-06-2013 / Gazeta 55

Me një akt normativ, për shkak të shpërndarjes së parlamentit, kabineti “Berisha” miratoi mbrëmë një rritje pagash dhe pensionesh, kryesisht për ato të nivelit të ulët e të mesëm, në një nivel prej 4-6 përqindësh. Miratohet edhe një fond i ri dëmshpërblimi financiar për 1040 të përndjekur politikë, me një vlerë prej 45 milionë dollarësh

Gjatë mbledhjes se djeshme te qeverise, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se, “vendimi më i rëndësishëm mes 44 vendimeve që miratohen në mbledhjen e qeverisë është rritja e rrogave dhe pensioneve në përputhje me përcaktimin e buxhetit të shtetit”. Sipas kreut të qeverisë, per shkak te shpërndarjes se parlamentit, vendimi merret ne formën e Aktit Normativ. "Rritja e rrogave do të bëhet nga zero në rrogat më të larta, tek 4-6 % tek rrogat e tjera sipas kategorive. Po kështu edhe për pensionet. Rritja e rrogave dhe pensioneve do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve. Ka një modalitet pak të vështirësuar për shkak të parlamentit, por qeveria ka të drejtën me kushtetutë të aktit normativ dhe qeveria në këtë rast do të shfrytëzojë të drejtën kushtetuese të aktit normativ, për të futur në fuqi rritjen. Kjo do të skedohet në mënyrë që javën ose 10-ditëshin e parë të parlamentit të ri të shqyrtohet”, theksoi Berisha. Gjithashtu qeveria vendosi edhe për dëmshpërblimin financiar për 1040 të përndjekur politikë me një shumë në masën 45 milionë dollarë. “Ky është detyrimi që ka qeveria shqiptare ndaj të përndjekurve politikë. Një proces që sigurisht do të donim të ishte më i shpejtë, por që ne nuk e kemi lënë kurrë. I garantoj të përndjekurit se brenda afatit ligjor, qeveria do të zbatojë ligjin me përpikëri. Amendimet e kërkuara do të bëhen. Në parlament pati debate të mëdha. Madje në parlament pati tendenca nga pala tjetër për t’u përdorur kjo për qëllime shumë të këqija. Por ne vazhdojmë me vendosmëri për dëmshpërblimin me normën më të merituar të këtyre njerëzve të fjalës së lirë, që u martirizuan për së gjalli në burgjet dhe kampet e një regjimi barabar”, tha Berisha. Qeveria gjithashtu vendosi privatizimin e një numri të madh banesash në favor të qytetarëve shqiptarë. “Kjo është një politike e drejtë që i jep zgjidhje përfundimtare strehimit të qindra familjeve në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë dhe kudo”, tha Kryeministri. Gjithashtu qeveria vendosi të rimbursojë me para në dorë tvsh-në për të gjitha makineritë që fermerët shqiptarë blejnë në dyqanet e vendit. “Kjo erdhi si rezultati i kërkesës së tyre. Ky vendim plotëson përfundimisht paketën e reformave të thella që ne bëmë për të mbështetur fermerët e vendit”, tha Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›