E Diel, 1 Nëntor 2026

De Biazi dhe projekti “Shqipëria, vend i zhvilluar”

14-06-2013 / Nga Çezar Agimi

Edhe unë si shumica e tifozëve shqiptarë u mërzita shumë kur kombëtarja jonë e futbollit pësoi gol në minutën e 87 të lojës. Pësoi gol si gjithnjë në minutat e fundit të ndeshjes, duke mbetur me gisht në gojë, ashtu siç kemi mbetur edhe në ndeshje të tjera me skuadra të mëdha si Holanda, Danimarka, Portugalia, etj. Kështu e kemi pësuar edhe me nën kampionen e botës, Gjermaninë Federale në vitin 1971, në minutën e 85, kur Gerd Myleri i famshëm me shokë po aq të mëdhenj sa ai, si Bekenbauer, Overat, Netzer, Uve Zeler, shto këtu edhe Jup Hajnkes, traineri aktual i Bajernit të Mynihut që sapo fitoi kupën e kampionëve të Europës. Kur i bën llogaritë tani mbrapa, gjykon se me fare pak kujdes sot do të kishim të parët në grup, me 15 pikë, në rast fitoreje me Norvegjinë dhe po ashtu në rast se do të kishim eliminuar humbjen pa kuptim me Islandën, një vend pa histori në futbollin europian dhe ku ai luhet vetëm 3 muaj në vit. Pra sot do të ishim kryesues të grupit tonë, me një pikë më shumë se Zvicra. Unë do të thosha se jo gjithçka në sport është rastësi, aq më tepër në futboll, me një kundërshtar të fortë i nivelit europian të cilin vetëm pak javë më parë e ke mundur bindshëm në shtëpinë e tij. Në këtë kuptim mendoj se loja e ekipit shqiptar me ardhjen e trajnerit italian De Biazi është bërë më europiane, më dinamike, më dinjitoze, më teknike, më e vrullshme, më e.... Ajo luhet me dëshirë dhe optimizëm më shumë se kurrë më parë. Por ...
De Biazi gaboi sepse siç duket ndoshta jo për faj të tij, ai ende nuk e njeh si e sa duhet vendin tonë, historinë dhe zhvillimin e saj, temperamentin tonë si popull me kulturë dhe histori të lashtë; ai gaboi sepse nuk i njeh mirë arritjet e Shqipërisë së pas viteve 90, ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në psikologjinë e shqiptarëve si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. De Biazi gaboi sepse ai vetë i pari nuk e ndjen tamam se shqiptarët sot, këndej e andej kufirit, falë lirisë dhe zhvillimit demokratik të vendit, janë një popull që në shumicë mendojnë si europianët, vishen si europianët, tentojnë të sillen si europianët, etj, etj. Natyrisht ai edhe pse ka gati dy vjet që jeton në Shqipëri, nuk mund ta kuptojë se lëvizja pa viza në Europë, i ka bërë shqiptarët të mos “tuten” si dikur kur hipnin në avion, të mos habiten kur dalin bulevardeve të Romës , Firences, Milanos e Torinos. Shqiptarët nuk janë më “katunarë” si në mars të 1990 kur shkuan në Itali me anijet e mbushura me mijëra syresh, të uritur, të zbathur e pa dinjitet.
Edhe Murinjo gaboi sepse falë sukseseve dhe eksperiencës së madhe, kujtoi se do t’i dilte kollaj për zot Realit të Madridit në përballjet europiane të futbollit. Duket se ekipet e mëparshme si Porto e Lisbonës, Çelsi i Londrës dhe Interi i Milanos me të cilat ai fitoi shumë trofe, kanë qenë mjaft nën nivelin e kërkesave të klubit më të pasur e më të suksesshëm në botë. Logjika të thotë se Murinjo nuk qe i zoti të fitojë Champion’s Ligën për tre vite rresht me Realin e Madridit, sepse nuk qe i zoti të menaxhonte një ekip aq të madh e me talente, yje dhe kampionë të mëdhenj, të cilët i zgjodhi ku e si i deshi, në mbarë botën i mbështetur me buxhete marramendëse miliona dollarëshe. Edhe pse vetë Murinjo tashmë është një kampion i madh, në rastin e Realit të Madridit ai nuk arriti të jetë i tillë edhe në Europë.
Shqipëria, një vend i zhvilluar/Shqipëria sot është një vend që sipas të dhënave të bankës botërore ka të ardhura mesatare për frymë nga prodhimi kombëtar bruto rreth 7000 - 8000 dollarë amerikanë. Kjo falë zhvillimeve të shumë të mira ekonomike të 7 - 8 viteve të fundit në fushën e turizmit, bujqësisë, zhvillimit të infrastrukturës rrugore me ritme shumë të shpejta, zhvillimit të madh numerik të shkollave të larta shtetërore e private me pasojë shtimin e pakrahasueshëm të numrit të studentëve brenda dhe jashtë vendit. Si rezultat i këtyre zhvillimeve të shpejta në kohë, shqiptarët sot në veçanti brezi i ri , flasin disa gjuhë zyrtare të Europës, midis të cilave edhe italishtja, gjuha e De Biazit njihet masivisht nga të gjitha moshat. Falë zhvillimeve politike në favor të trojeve shqiptare, edhe në fushën e futbollit, nga këto troje sot ka me qindra e mijëra djem të talentuar që luajnë në kampionatet më të forta të Europës, prej të cilëve po dalin edhe kampionë të saj.
Në mbrojtje në fushën tënde - Nuk arrij ta kuptoj ende se përse De Biazi e ktheu ekipin në mbrojtje në 10 minutat e fundit të cilën e shoqëroi me tre ndërrime lojtarësh, të mirë sipas tij, por që në të vërtetë rezultuan me vlera shumë më të dobëta se ata që ai largoi nga fusha. Në sport thuhet se mbrojtja më e mirë është sulmi, ndërkohë De Biazi me një rezultat minimal 1 me 0, përballë një Norvegjie të mposhtur plotësisht në të gjitha aspektet, çuditërisht i lëshon terrenin e fushës vendase, duke hequr fillimisht sulmuesin e fuqishëm Salihi që i mposhti ata në Norvegji me golin spektakolar që ai shënoi .
Kësisoj norvegjezëve ju erdhi zogu në dorë, ndaj të cilit në kohë rekord ata morën masa mjaft efektive, duke shënuar golin e barazimit e marrë një pikë që nuk e meritonin. Për mendimin tim ky qe një gabim fatal, për të mos thënë trashanik i De Biazit; i pafalshëm në rastin konkret, të paktën për një trajner italian të kategorisë së parë, të cilët njihen për trajnerë të zgjuar dhe vitet e fundit kanë rezultate shumë të larta në futbollin botëror. Fakti që futbollistët shqiptarë sot luajnë në të gjitha kampionatet europiane, tregon që trajneri i kombëtares sonë në rolin e seleksionerit e ka patur shumë të lehtë punën e tij, ndërkohë që atë të menaxherit, duket se nuk po e realizon me sukses . Sot lojtarët shqiptarë të kombëtares sonë të futbollit menaxhohen nga trajnerë të klasit të lartë jo vetëm në kampionatin italian, por edhe në atë gjerman, anglez, zviceran, etj. Kështu që më tepër se një seleksioner i mirë, De Biazi për të patur rezultate pozitive në rrugën drejt Brazilit 2014, tash e mbrapa duhet të korrigjojë gabimet në menaxhimin e ekipit . Të qenit italian, nuk do të thotë se ai është një trajner i nivelit për të marrë apriori rezultate pozitive, ashtu siç kanë bërë kolegët e tij në Europë, si Kapelo, Mançini, Ançeloti, Di Canio, etj. Duket se deri tani ai është shumë larg cilësive menaxheriale me kolegët bashkëmoshatarë të tij të sipërpërmendur. 
Futbolli dhe rritja ekonomike në vend/Nuk ka diskutim se midis arritjes së rezultateve të mira të ekipit tonë kombëtar të futbollit në garat për kualifikimin në finalet e kampionatit botëror të futbollit në “Brazil 2014” dhe zhvillimit të ekonomisë së tregut në tërësi, ka një korelacion pozitiv, i cili duhet marrë me seriozitetin më të madh për perspektivën e zhvillimit të sportit në vendin tonë. Edhe në renditjen e kohëve të fundit të realizuar nga FIFA, Shqipëria ka një ngjitje graduale në shkallët e klasifikimit botëror dhe europian, e cila 5-6 vite më parë nuk ka qenë e tillë. Kështu ka ndodhur edhe me disa vende të tjera të vogla europiane nga Europa Lindore, të cilat në 3-4 edicionet e fundit të futbollit me ekipet kombëtare kanë arritur rezultate pozitive surprizë, të parealizuara më parë duke qenë finalistë e çerekfinalistë në 2-3 botërorët dhe europianët e fundit. Të tillë mund të përmendim Slloveninë, Sllovakinë, Letoninë, Lituaninë, etj, të cilët kanë luajtur e kanë fituar me ekipet e mëdha të botës. Nuk ka dyshim se këto rezultate erdhën pasi këto vende u rritën së pari ekonomikisht duke u bërë më pas edhe vende anëtarë të Bashkimit Europian.
 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›