Rritje pagash e pensionesh në kulmin e krizës ekonomike - tabela me rritjen mesatare prej 5 përqindësh

Qeveria “Berisha” po përgatit vendimin për rritjen e pagave dhe pensioneve. Gazeta publikon detajet e vendimit të ri. Pensionet në qytet do të rriten rreth 4 për qind, kurse ato në fshat rriten mbi 5 për qind. E njëjta tendencë ruhet edhe tek vendimi për rritjen më të lartë të pagave të ulëta dhe të mesme
Berisha: Rritja mesatare e ekonomisë mbi 3 për qind, 4 herë më e madhe se rajoni
Qeveria vendos sërish të rrisë pagat dhe pensionet. Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se ekzekutivi po përgatit vendimin që bën rritjen e radhës të pagave dhe pensioneve për 800 mijë familje shqiptare, në përputhje me platformën e qeverisjes dhe premtimin e bërë për këtë rritje. Kryeministri theksoi se kjo rritje bëhet në kohën më të vështirë, në një nga kulmet e krizës së euros dhe të borxheve, të cilat në mënyrë të padiskutueshme, kanë ndikuar dhe ndikojnë edhe në ekonominë shqiptare. Por, siç fakton Komisioni Evropian, në raportin e tij të fundit, rritja ekonomike në Shqipëri, në katër vitet e fundit kulmore të krizës, është 4 herë më e madhe se mesatarja e rajonit. Kreu i qeverisë siguroi se modeli ekonomik i Shqipërisë, është faktuar si modeli më i qëndrueshëm ndaj krizës dhe ka bërë të mundur që të mbahet rritja ekonomike, të dyfishohen eksportet, të thithen investime të huaja dhe të mos rritet papunësia, por përkundrazi të njohë ulje relative. “Ministria e Financave, po përgatit vendimin për rritjen e rrogave dhe pensioneve, në përputhje me platformën tonë, premtimin e bërë për rritje të rrogave dhe pensioneve, rritje që prek direkt 800 mijë familje shqiptare, që ndikon dhe rrit të ardhurat mujore familjare të 800 mijë familjeve shqiptare. Kjo rritje bëhet në kohën më të vështirë, në një nga kulmet e krizës së euros, krizës së borxheve, të cilat në mënyrë të padiskutueshme, kanë ndikuar dhe ndikojnë edhe në ekonominë shqiptare. Por, siç fakton Komisioni Evropian, në raportin e tij të fundit, rritja ekonomike në Shqipëri, natyrisht nuk ka ritmet e viteve 2006- 2008, por rritja ekonomike në Shqipëri, thekson raporti, në katër vitet e fundit kulmore të krizës, është 4 herë më e madhe se mesatarja e rajonit. Sipas KE-së, rritja mesatare e rajonit tonë në këto katër vitet e fundit ka qenë 0.8 për qind, rritja mesatare e ekonomisë shqiptare ka qenë mbi 3 për qind. Pra, rritja mesatare në Shqipëri ka qenë 4 herë më e madhe sesa rritja e rajonit. Kjo statistikë është statistikë e Komisionit Evropian. Kjo statistikë fakton se Shqipëria kryeson, jo me 1 apo 2 herë, por me 4 herë mesataren e rritjes ekonomike në rajonin tonë, i ndikuar qartësisht nga zhvillimet ekonomike në disa prej vendeve të rajonit që përjetojnë recension dhe krizë serioze. Por, në rrafshin tjetër, në rast se rritja ekonomike ka qenë 4 herë më e madhe sesa mesatarja e rajonit dhe 5 vitet e fundit të marra së bashku ajo ka qenë 22 për qind, më e larta në Evropë, inflacioni në Shqipëri ka qenë 2 herë më i ulët sesa në mesataren e rajonit. Natyrisht, ekonomia shqiptare i ka ndier dhe i ndien pasojat e kësaj krize të thellë, por e vërteta është se kjo ekonomi ka bërë të mundur që, nga viti 2009 deri në vitin 2011, eksportet shqiptare të dyfishohen, në vëllim e në vlerë, të dyfishohen në punësim. Po kështu, kjo ekonomi ka mbetur ekonomia e vetme në rajon në të cilën investimet e huaja janë të rritje, në krahasim me mesataren e 4 viteve, në një kohë kur në vendet e tjera ato u ulën ndjeshëm. Shqipëria i ka ndier në mënyrë të padiskutueshme pasojat e krizës, por modeli i saj ekonomik është faktuar si modeli më i qëndrueshëm ndaj krizës dhe ka bërë të mundur që të mbahet rritja ekonomike, të dyfishohen eksportet, të thithen investime të huaja, ka bërë të mundur që papunësia të mos rritet por përkundrazi të njohë ulje relative”, u shpreh Berisha. Kryeministri bëri të ditur se sipas vendimit që po përgatitet, pensionet në qytet rriten rreth 4 për qind dhe pensionet në fshat rriten me mbi 5 për qind. Gjithashtu, edhe rrogat do të rriten me një mesatare 5 për qind dhe do të ketë një shpërndarje të tyre, sipas të cilës, rrogat e larta do kenë lëvizje minimale, ndërsa të ulëtat do të kenë maksimumin e lëvizjes. “Rrogat do të rriten me një mesatare 5 për qind. Natyrisht, rrogat e larta mund të mos rriten fare ose do rriten 1 për qind. Rrogat më të ulëta do të proporcionohen siç është drejtimi themelor që ne kemi. Por dua të informoj shqiptarët se ky drejtim ka qenë shumë i drejtë, shumë njerëzor dhe ne kemi vendosur një standard të qytetëruar dhe absolutisht perëndimor në diferencën midis rrogës së punonjësit dhe rrogës së zyrtarëve më të lartë. Në qoftë se në vitin 2005, Kryeministri i vendit merrte rrogën e barabartë me rrogat e 13 infermierëve, në 1 korrik të vitit 2012 kjo do të zbresë në 6.2 rroga infermierësh. Kjo për sa i përket krahasimit me rrogën e Kryeministri. Ndërsa për rrogën e ministrit, në vitin 2005, ky raport ishte 1 me 10 rroga të infermierëve, ndërsa tani në vitin 2012, ky raport me rrogën e infermierëve, zbret në 1 me 4.7. Edhe ministri ka lodhjen e vet e shpenzimet e veta, por edhe infermierja ka lodhjen e vet, ka shpenzimet e veta, ka fëmijët e vet dhe i duhet të përballojë një jetesë. Sigurisht, infermierët meritojnë shumë më shumë se kaq, por me këtë është realizuar një objektiv nga më njerëzorët, nga më të rëndësishmit, nga më të qytetëruarit. Diferencat e mëdha kanë qenë tipike të sistemeve totalitare, që i çoi në maksimum Brezhnjevi dhe ato u shpërndanë kudo. Ky është realiteti. Mjekëve u është rritur rroga me 146 për qind, infermierëve 132 për qind, ministrit vetëm me 15 për qind, nga 2006 e deri tani të marra së bashku. Këto janë disa nga të dhënat. Pra, do ketë një shpërndarje të rrogave, ku rrogat e larta do kenë lëvizje minimale, ndërsa të ulëtat do të kenë maksimumin e lëvizjes. Gjithashtu, edhe pensionet do të kenë rritje. Ne kemi vendosur të rrisim pensionet, sepse gjykojmë se me gjithë vështirësitë që ekzistojnë, kjo rritje është një detyrim ndaj tyre”, tha Berisha. Kryeministri pohoi se “ka patur debate për rritjen e pagave, pensioneve nga ndërkombëtarët, po pavarësisht debateve rritëm rrogat e pensionet, jo për fushatë, por për të përmirësuar jetën e qytetarëve”. “Sugjerimet kanë qenë që të mos rriten, por vetëm të indeksohen me inflacionin, ndërkohë që në shumë vende po ndiqet praktika e uljes së tyre. Megjithatë, ne do t’i rrisim pensionet”, garantoi kryeministri.
Pensionet
Pensionet rurale
87.310 lekë në vitin 2012
36.300 lekë në vitin 2005
Pensionet minimale
136.560 lekë në vitin 2012
83.500 lekë në vitin 2005
Pensionet maksimale
235.012 lekë në vitin 2012
162.000 lekë në vitin 2005
Pagat
Paga mesatare e arsimtarit në arsimin e mesëm 5
88.029 lekë në vitin 2012
268.031 lekë në vitin 2005
Paga mesatare e arsimtarit në arsimin 9 vjeçar
500 190 lekë në vitin 2012
227 071 lekë në vitin 2005
Paga mesatare e mjekut
575530 lekë në vitin 2012
226 830 leke në vitin 2005
Paga mesatare e infermierit
367.250 lekë në vitin 2012
150.000 lekë në vitin 2005
...