"Rrjedhë" e Matishit
Kur ndesha për herë të parë me këtë roman, pata ndjesinë se gjithë ai libër voluminoz do të ishte i vështirë për t'u çuar deri në fund. Edhe pse autorin e kisha njohur me sprova të ndryshme letrare, madje edhe në lëvrimin e temave sportive, ku ai gjithnjë ka ditur të shkruajë me mjeshtëri dhe origjinalitet, megjithatë, për të qenë i sinqertë, romani "Rrjedhë" më dukej një sfidë tepër e vështirë për të. Aq më tepër kur sot mbeten librarive pa u shitur (kuptohet, edhe pa u lexuar) qindra e mijëra tituj autorësh të shquar, të huaj dhe vendas, atëherë, detyra për t'i hyrë librit të Matish Gjelucit, nga fillimi e deri në faqen e tij të 510-të, më bëhej pak si e vështirë! Por, ja që po ju them se nuk ishte aspak ashtu siç kisha "dyshuar"; romani "Rrjedhë", fletë pas flete, me rrjedhën e tij të ngjarjeve dhe stilin aq elegant të të rrëfyerit, më dha një kënaqësi, të cilën nuk kam se si të mos ta shpreh këtu. Duke qenë se këto rreshta po i shkruaj jo për ndonjë tjetër, po për vetë mikun tim, Matish Gjeluci, që me romanin e tij "Rrjedhë" më befasoi, po përpiqem të bashkëbisedoj me të, drejtpërdrejt: “Me të vërtetë kam kaluar disa ditë të bukura në shoqërinë e romanit tënd. Që në faqen e parë të tij, kur nisa ta lexoj, u binda se do të kisha përpara një rrugë të gjatë, por interesante për të përshkuar në të. Jo vetëm hyrja poetike e historisë që nis e tregon kur ravijëzon Shkodrën e legjendave, me emblemën e saj Rozafë, por sidomos gjuha me të cilën shprehesh, e ëmbël dhe e lehtë, që do ta kishte pasur zili çdo shqiptar (dhe jo më gegët, po se po), më bënë që të ndihem si në shtëpinë time, në të cilën hyj e dal kur të dua plot dëshirë! Kështu, ti, i nderuar Matish, më duket me këtë roman sikur ke ndërtuar një shtëpi të bukur, të këndshme për të jetuar, jo vetëm ti dhe familja juaj me të gjithë brezat që e rrethojnë, ashtu siç ke ditur me mjeshtëri të rrallë ta tregosh aty, por, po ta them me bindje, se në atë libër gjejnë veten të gjithë shkodranët me historinë e tyre "bajagi" të gjatë dhe të pasur. Nuk e di nëse fjalët e futura "në" thonjëza janë si "rrjedhë" e ndikimit që kam nga gegërishtja e bukur e librit "tand" po aq të bukur, por të jesh i sigurt se, qoftë edhe për këtë fakt, romani "Rrjedhë" mendoj se përbën një vlerë më vete për gjuhën tonë shqipe që dukej se e kishte "mshehun nër skuta" këtë pasuri të rrallë e të pazëvendësueshme. Sa më shumë që futesha në rrjedhat e romanit "Rrjedhë", aq më tepër më shtohej bindja se kisha të bëja me një sagë të vërtetë dhe jo thjesht me një histori kronologjike ngjarjesh. Them kështu se dramaticiteti i çdo episodi apo lehtësia e të kaluarit të situatave të bën që ta ndiesh veten të pashkëputur në asnjë çast nga atmosfera që i rrethon ngjarjet dhe personazhet e librit. Ishte ky element që ma bëri aq të vëmendshëm udhëtimin tim nëpër atë mori ngjarjesh dhe personazhesh të pafund, që kur i kujtoj tani më ngjajnë sikur të jem përshkuar mes një epopeje. Natyrisht, të shkruash mjeshtërisht për aq shumë histori, për aq shumë njerëz, për aq shumë vende dhe për aq shumë detaje, ku përfshihen të gjitha, nga lindja e deri tek vdekja, nga dasma e deri tek torturat e burgjeve, nga "Mesjeta" e shekujve që shkuan, e deri tek kjo "mesjetë" e sotme e shekullit XX, ku komunizmi sundoi më zi se inkuizicioni, e gjitha kjo nuk është gjë tjetër veçse një kulturë e mirëfilltë e gjithanshme dhe elitare që ti, ke ditur ta shprehësh me aq dije dhe pasion në "tanësinë" e romanit "Rrjedhë". Kur u rikthehem atyre skenave të hershme, që nga bjeshkët e Malësisë, ku luftohej pritash të pabesa me spiunë e tradhtarë; nëpër dugajat e Shkodrës dhe të Malit të Zi, ku lëvrinte plot larmi gjithë ajo masë njerëzish me halle por pa kufij; nëpër kopshtija, kisha e xhami, nëpër auditorë universitetesh dhe opera në Vjenë, shkolla detare në Itali, atmosferës së Durrësit e qyteteve të tjerë të vendit që nga ato "vite të mbrapsht" e deri në ditët ku Mbreti Zog vendoste bazat e shtetit të parë modern shqiptar, si dhe portretizimeve të galerisë së pafund të personazheve që sillen në vorbullën e jetës, si në një sagë... (të gjitha këto të mbështjella bukur nëpërmjet një veli të purpurt që duhet vetëm një puhizë e lehtë për t'i vënë në lëvizje e t'i sjellë para syve si të gjalla), edhe një herë e kupton se ke të bësh me një autor i cili ka ditur të na jap me mjeshtëri një vepër me vlera të çmuara njohëse dhe një histori, në të njëjtën kohë, tepër interesante për mënyrën se si është paraqitur e shkruar.