Gjyqi; 5 dëshmi për gjyqin e Remzi Hoxhës, dëshmon një ish-efektiv i SHISH-it
Gjykata e Krimeve të Rënda vazhdoi dje procesin gjyqësor ndaj ish-zyrtarëve të SHISH-it, të akuzuar për tortura me pasoja të rënda ndaj biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, me pyetjen e pesë dëshmitarëve, një prej të cilëve ish-punonjës i SHISH-it në Sarandë. Dëshmitari i fundit, Beqir Tërshalla, oficer i SHISH-it në atë kohë, u pyet nga togat e zeza dhe përfaqësuesi i akuzës me dyer të mbyllura, duke nxjerrë median dhe sigurinë e gjykatës nga salla e gjyqit. Mësohet se ky dëshmitar ka dëshmuar mbi një takim të Ziso Kristopullit me të pandehurin Arben Sefgjin, në një lokal në Sarandë, i mundësuar nga Tërshalla. Ndërsa dëshmitë e katër personave të tjerë iu referuan më shumë masave që u morën menjëherë,pasi u denoncua zhdukja e biznesmenit shqiptaro-maqedonas. Gjergji Jorgo, aktualisht nëndrejtor i Policisë së Tiranës dhe në kohën e ngjarjes, shefi i komisariatit numër tre në kryeqytet, tha se menjëherë pas kësaj ka nisur veprimet dhe shpalljen në kërkim të të akuzuarve. “Ajo ka qenë një ngjarje si gjithë të tjerat. Kemi marrë denoncimin nga punëtorët e fabrikës. Janë bërë të gjitha veprimet nga ana jonë, janë pyetur të gjithë personat që kanë qenë në komisariat”, - ka bërë me dije përpara gjykatës Jorgo. Sipas tij, në dëshmitë e marra nga punëtorët e fabrikës, dy kanë qenë makinat që kanë rrëmbyer biznesmenin, por ky i fundit nuk dinte më shumë. I pyetur nga prokuroria nëse kishte pasur dijeni se kujt i përkisnin targat e makinave, targa të bëra të ditura nga ana e punëtorëve, Jorgo është përgjigjur se nuk kishte dijeni për to dhe nuk kishte marrë asnjë përgjigje në lidhje me përkatësinë e këtyre targave. Një tjetër dëshmitar i thirrur nga gjykata ishte Gëzim Jarani, i cili në vitin 1995, vit në të cilën është rrëmbyer Hoxha, ka qenë punëtor në zyrën e ankesave dhe letrave në Presidencë. “Nuk e mbaj mend mirë ose motra ose bashkëshortja e Remzi Hoxhës ka dërguar një letër, madje e kam takuar edhe një herë vetë ku kam marrë deklarimet e saj. Nuk e mbaj mend kujt institucioni i jemi drejtuar me shkresë zyrtare, madje nuk mbaj mend nëse kemi marrë përgjigje apo jo”, - ka shpjeguar përpara gjykatës dëshmitari. Në dëshminë e tij, Jarani ka bërë me dije se gruaja që i kishte shkuar në zyrë kërkonte të dinte mbi fatin e Remzi Hoxhës. Dëshmitari i radhës i thirrur për të dhënë deklarime para gjykatës ka qenë Ilir Xheta, inspektor krimesh në vitin 1995. Në dëshminë e tij, Xheta është shprehur se kishte marrë vetëm denoncimin e një punonjëseje me mbiemrin Rati, për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. “Rati në kallëzimin e saj sqaroi vetëm se ishte marrë pronari i tyre, Remzi Hoxha, nga disa persona”, - ka sqaruar dje inspektori i krimeve. Për të dhënë deklarimet e tij në seancë është thirrur edhe dëshmitari i fundit, Alban Kumari. Ky i fundit ka qenë hetuesi i kësaj ngjarjeje që nga momenti i rrëmbimit të saj. Kumari ka bërë me dije se gjithçka që ai dinte e kishte paraqitur në fashikullin gjyqësor, ku sipas tij duhet të jenë në një pjesë të dosjes. Ai ka sqaruar se ka marrë në pyetje të gjithë të afërmit e Hoxhës dhe punonjësit në fabrikë, fatura të mundshme, pasi sipas tij, janë hedhur dyshimet e ndonjë konflikti që mund të ketë pasur Hoxha me persona të tjerë.