E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrjedhja e gazit, dy të plagosur nga shpërthimi

03/03/2010 Ngjarja në katin e pestë të një pallati pranë ambasadës rumune

Nga ngjarja e rëndë shkatërrohen dy kate dhe disa automjete

TIRANE- Një bombol gazi ka vënë në rrezik jetën e dy anëtarëve të një familjeve në Tiranë, ku si pasojë e shpërthimit të saj kanë mbetur të plagosur lehtë dy shtetas. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të ambasadës rumune, ku në ambientet e katit të pestë të një pallati është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm. Sipas personave që ndodheshin në momentin kur ndodhi shpërthimi, në orën 14:45 minuta është dëgjuar fillimisht zhurma dhe më pas janë vënë re shtëllungat e tymit. Të trembur nga ajo që kishte ndodhur, qytetarët kanë lajmëruar menjëherë forcat e policisë dhe zjarrfikëset e Tiranës, të cilat kanë shkuar me shpejtësi në vendin e ngjarjes. Nga të dhënat e para policia vuri re se shpërthimi kishte sjellë vetëm dëme materiale. Mirëpo kur ekspertët kanë hyrë në ambientet e shtëpisë, aty kanë konstatuar dy persona të shtrirë në dysheme, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur. Menjëherë ata janë transportuar për në spitalin “Nënë Tereza”, dhe aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë policia ka kryer veprimet e para hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje aksidentale. Nga të dhënat e para dyshohet se si shkaktar për ngjarjen mund të jetë bërë rrjedhja e gazit. Kjo mund të jetë ngacmuar me ndonjë mjet ndezës si çakmak, apo ndezja e dritës së banesës, gjë e cila solli edhe shpërthimin e fuqishëm. Nga kjo ngjarje janë dëmtuar dy kate të pallatit, si dhe disa makina që ndodheshin në zonën e ngjarjes, mbi të cilat kanë rënë materiale inerte. Ky nuk është rasti i parë që bombolat e gazit kthehen në një mjet vrasës, pasi në kohët e kaluara ka pasur precedentë me bilanc më të rëndë se ky që ndodhi dje në kryeqytet. Si pasojë e rrjedhjes së gazit, kanë humbur jetën disa persona, si dhe janë shkaktuar mjaft dëme materiale. Ndërkohë një kërcënim mjaft të madh shfaqin edhe bombolat që nuk plotësojnë kushtet e sigurisë, pasi ndryshku dhe konsumimi i tepërt i ka nxjerrë ato jashtë përdorimit. Rrezik shfaqin edhe makinat që qarkullojnë në Tiranë duke transportuar bobola gazi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›