E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrjedhja e naftës nuk ndalet. Shefi i BP, shëtitje me jaht

Kritikat

Administrata e Presidentit Barack Obama ka kritikuar sërish shefin e kompanisë “British Petrolium”, i cili po përballet me trysninë e vazhdueshme të Amerikës, për mënyrën e trajtimit të katastrofës mjedisore në Gjirin e Meksikës. Shtëpia e Bardhë ka sulmuar kreun e BP-së, Tony Hayward, për shkak të pushimit të tij dhe largimit nga menaxhimi i fatkeqësisë, për të parë një garë të anijeve në brigjet jugore të Britanisë. Zëdhënësi i gjigantit energjetik e ka mbrojtur atë, duke thënë se ka marrë pushim me të birin, pas dy muajve të tërë që kishte kaluar larg familjes dhe shtëpisë. "Ai po kalon disa orë me familjen dhe ky është pushimi i parë që kur ka nisur rrjedhja e naftës. Jam i sigurt se çdo kush mund ta kuptojë këtë”, tha Robert Wine. Më pas ai u fotografua bashkë me të birin duke shëtitur me jahtin e tij 270000 dollarësh. Ndërkohë, BP është gati të paguajë një shumë prej 104 milionë dollarësh te banorët rreth Gjirit të Meksikës, për shkak të nevojave që mund të kenë lindur si pasojë e kësaj katastrofe. “Qëllimi ynë është dhënia e parave për të gjithë ata që rrjedhja e naftës u ka penguar punën, duke mos fituar të holla për të jetuar”, tha Darryl Willis, pjesëtar i grupit të kompanisë britanike të naftës. Ndërkohë, rrjedhjet e naftës në Gjirin e Meksikës kanë vazhduar, duke u shpërndarë në plazhin Panama të Floridës, një vend ky i frekuentuar nga shumë turistë. Në anën tjetër, BP ka theksuar se është e detyruar të mbyllë sistemin e bllokimit të rrjedhjes, për shkak të një problemi teknik. Zëdhënësi i BP-së, John Keri, tha se sistemi u mbyll të shtunën në mbrëmje, për shkak të bllokimit të bombolës antizjarr. Por ajo filloi punë gjatë ditës së sotme, pasi kaloi stuhia me vetëtima në zonë. Keri tha se shumica e naftës përpunohet nëpër anije, ndërsa një pjesë e naftës dhe e gazit natyror është djegur.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›