Kryegjyqtari i Pangos rrënoi të dëmtuarit e tragjedisë së Gërdecit
Në CV-në e kryegjyqtarit të “Pangos”, Agim Bendos, ka vendime të tjera absurde, krahas dënimit të emisionit “Fiks Fare”, që bëri publike abuzimet e ish-ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në përvjetorin e dytë të tragjedisë së Gërdecit, pikërisht në datën 10 mars 2010, Bendo ka rrënuar sërish të dëmtuarit, duke iu hequr dëmshpërblimin e fituar nga një vendim i qeverisë. Në një kohë kur shteti u ngrit në këmbë për të pakësuar sadopak ngjarjen e rëndë dhe për të dëmshpërblyer të gjitha viktimat, të dëmtuarit, si edhe banorët e zonës që u tronditën nga ngjarja e 15 marsit 2008, gjyqtari në fjalë u ka marrë qindarkë më qindarkë disa banorëve të zonës, me arsyetimin se dëmshpërblimi u ishte dhënë në mënyrë të padrejtë. Sipas çështjes civile me numër akti 10695/1929, Bashkia Vorë ka paditur Hamdi Koxherin, ndërsa gjyqtar u caktua Agim Bendo. Objekti i padisë ishte që Koxheri të kthente shumën e 368.888 lekëve. Sipas Bashkisë Vorë, Koxheri ka përfituar shumën prej 409.876 lekësh, nëpërmjet vendimit të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e vlerës së dëmeve të shkaktuara në objekte pronë private, si rrjedhojë e aksidentit teknologjik të ndodhur në Gërdec dhe të listave me emrat e individëve e të personave fizikë e juridikë që do të kompensohen”. Në seancën gjyqësore u paraqit i dëmtuari, duke kërkuar që të rrëzohej padia. Ai pretendoi se vlerësimi i parë i dëmit të shkaktuar si pasojë e aksidentit teknologjik në fshatin Gërdec, është real dhe për këtë shkak kërkoi rrëzimin e padisë. Ndërkohë gjykata, megjithëse dëgjoi pretendimet e të dëmtuarit të tragjedisë, i dha të drejtë Bashkisë Vorë, duke zhvatur për herë të dytë të dëmtuarin, duke i marrë këtij personi rreth 80 për qind të dëmshpërblimit të fituar me arsyetimin se ishte bërë një “gabim”.
Në të njëjtën datë, gjyqtari Bendo ka “zhvatur” një tjetër familje në Gërdec. Në këtë rast i paditur ishte Edmond Muça, i cili kishte përfituar një dëmshpërblim në shumën prej 709.425 lekësh. Edhe ky person kërkoi të rrëzohej padia, por gjyqtari Bendo ia ka marrë lekët duke ia dhënë bashkisë. Ndërkohë, vendimi i tretë për këtë rast ka qenë në dëm të shtetasit Partizan Habiti, duke i marrë këtij të fundit të gjitha dëmshpërblimet e fituara si pasojë e dëmeve nga ngjarja e Gërdecit.
Në të kaluarën e afërt, gjyqtari Bendo ka rrëzuar edhe një padi civile të viktimave të Gërdecit. Bendo vendosi kthimin e padisë civile të familjes Kodra ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë “Albademil”. Vendimi ishte me numër akti 14514/3645 që u përket paditësve Sabri, Glodian, Fiqirete, Rajmonda dhe Adnan Kodra, të gjithë banues në Kamzë, por në momentin e shpërthimit punonin pranë kësaj punishteje demontimi. Shpërthimi i kësaj fabrike solli dëmtime të ndryshme ndaj pesë paditësve, të cilët i janë drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë me një kërkesë-padi, duke kërkuar “shpërblimin e dëmit pasuror dhe jo pasuror në vlerën prej 17 milionë lekësh të reja”. Ndërkohë, sipas vendimit të Bendos, kjo padi u duhet kthyer paditësve, pasi është konstatuar se ajo është e metë dhe e paplotë.
Megjithëse është treguar “dorëmbledhur” me viktimat e tragjedisë së Gërdecit duke iu marrë edhe qindarkat, pasi, sipas tij, i kishin marrë gabimisht, kryegjyqtari i “Pangos”, Agim Bendo, është treguar “dorëlëshuar” me ish-shikasit që po gjykohen për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Në prill të vitit 2006, Bendo mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen civile me numër akti 2272 me paditës Arben Sefgjinin dhe Budjon Meçen. Të paditur ishin Ministria e Financave dhe dega e Thesarit Tiranë, ndërsa person i tretë ishte Prokuroria e Tiranës. Objekti i padisë ishte se Sefgjini dhe Meçe duhet të dëmshpërbleheshin me nga 2.8 milionë lekë të reja “për burgim të padrejtë”. Gjyqtari Bendo vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën, duke detyruar të paditurit të kompensojnë Arben Sefgjinin dhe Budjon Meçen për burgim të padrejtë, por vetëm me shumën prej 1.865.000 lekë për secilin. Dy ish-shikasit, sipas vendimit të Bendos, ishin ndaluar më datë 21 maj 2003. Gjykata e Tiranës i liroi ish-shikasit më 28 maj 2004, pasi prokuroria ka vendosur pushimin e procedimit penal për mungesë provash në lidhje me akuzën e “torturës me pasoja të rënda”, ndërsa për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe të “torturës” organi i prokurorisë ka vendosur pushimin e çështjes, pasi këto dy vepra penale të fundit ishin amnistuar. Gjyqtari Bendo tha se paditësit ishin mbajtur padrejtësisht në burg për 373 ditë paraburgim secili. Ndërkohë, mësohet se gjatë vitit 2006, kur është dhënë vendimi për dëmshpërblimin e këtyre paditësve, Prokuroria e Përgjithshme urdhëroi rifillimin e hetimeve për këta persona nën akuzën e “rrëmbimit” dhe çështjen e dërgoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Disa muaj nga vendimi i dëmshpërblimit të ish-shikasve nga Bendo, prokuroria thirri për të marrë në pyetje personat që kishin parë për herë të fundit Remzi Hoxhën, ndërsa pas dy vitesh hetim, në muajt e parë të vitit 2008, dosja u dërgua për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda ndaj Arben Sefgjinit, Budjon Meçes dhe Ilir Kumbaros. Aktualisht, procesi është në fazën e pyetjes së dëshmitarëve dhe ende të pandehurit nuk janë dënuar apo shpallur të pafajshëm prej togave të zeza.
#