Rrjedhjet e Kosovës

Faqja në internet, Wikileaks ka 7 kabllograme, të cilat Zyra dhe më pas edhe Ambasada e SHBA’së në Kosovë ia ka dërguar State Departamentit amerikan, në periudhën nga marsi i vitit 2006, deri në janar të vitit 2010.
Periudha e dërgimit të këtyre kabllogrameve shtrihet prej zgjedhjes së Agim Çekut për Kryeministër të Kosovës, deri më datën 29 janar 2010, ku përshkruhet letra të cilën Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, ia ka dërguar asistentit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Philip Gordon, në të cilën bëhet fjalë për Strategjinë për Veriun e Kosovës, e cila nga Ambasadori Dell konsiderohet si tejet e rëndësishme.
Në kabllogramet që datojnë nga viti 2006, flitet për zgjedhjen e Agim Çekut për Kryeministër të Kosovës, për përpjekjet e pakicave joserbe të Kosovës që të shtojnë ndikimin e tyre në Qeverinë Çeku, për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për fatin e personave të zhdukur, si dhe nevojës për identifikimin e tyre.
Një kabllogram flet edhe për protestat e serbëve në Veri, më 5 qershor 2006, ku ndër të tjera theksohet se serbët e Kosovës janë të frustruar, për shkak të “përkeqësimit të situatës së sigurisë”.
“Fakti se fajtorët kapen rrallë iu mundëson radikalëve në Veri që sulmet t’i cilësojnë si sulme me motive etnike, edhe përkundër faktit se OKB’ja ka theksuar se nuk ekzistojnë dëshmi, të cilat flasin për atë se sulmet kanë pasur prapavijë apo motive etnike”, theksohet në kabllogram.
Në kabllogramin e datës 20 qershor 2006, flitet për vizitën e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha në Kosovë dhe apelin e tij për pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës.
Në kabllogramin e datës 10 janar 2007, ndër të tjera theksohet se pjesa më e madhe e pronave dhe kishave serbe, të shkatërruara gjatë trazirave në mars të vitit 2004, janë rindërtuar dhe theksohet se klerikët e Kishës Ortodokse Serbe janë të kënaqur me punën e kryer, pjesa më e madhe e së cilës është kryer nga shqiptarët e Kosovës. Më pas, theksohet se Komisioni i Kosovës për Zbatimin e Rindërtimit mbetet shembull i bashkëpunimit multikulturor, i cili po shënon rezultate të dukshme.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...