E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrjetet kryesore thonë se Barak Obama është fituesi i zgjedhjeve presidenciale

Rrjetet kryesore televizive thonë se Barak Obama është fituesi i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, duke u bërë Presidenti i parë afrikano-amerikan në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Senatori Barak Obama është presidenti i parë afrikano-amerikan në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Demokrati Obama e tejkaloi ndjeshëm numrin e nevojshëm të 270 votave elektorale, të nevojshme për fitoren. Ai ka siguruar 338 vota elektorale, ndërsa rivali i tij republikan, Mekein, mori 152 vota.

Qindra mijëra përkrahës të zotit Obama dolën nëpër rrugët e qytetit të tij, Çikago, me thirrje gëzimi, sapo rrjetet televizive e deklaruan zotin Obama fitues të zgjedhjeve presidenciale. Përkrahësit entuziastë valëvisinin flamuj amerikanë, disa prej tyre qanin me lotë gëzimi.

Shpresat e zotit Mekein për ta fituar garën u zbehën, kur ai humbi garën në disa shtete tepër të rëndësishme për garën, si Pensilvania, Florida, Ohajo dhe Virxhinia. Që nga viti 1964, asnjë republikan nuk kishte humbur në Virxhinia.

Zoti Mekein e telefonoi nga qyteti i tij, Feniksi i Arizonës zotin Obama, për ta përgëzuar për fitoren historike, duke theksuar se fitorja e tij ka një domethënie të veçantë për afrikano-amerikanët.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Bush e telefonoi zotin Obama për ta uruar për fitoren.

Fitorja e sotme i jep fund 8 vjet drejtimi të Shtëpisë së Bardhë nga Presidenti Bush.

Barak Obama do të jetë presidenti i parë zezak në historinë 232 vjeçare të Shteteve të Bashkuara. Ai do të bëjë betimin më 20 janar.//lk


Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›