Rrjeti i Organizatave Shqiptare, tubime për bashkimin kombëtar
Diskutimi mbi çështje të rëndësishme dhe të prekshme për qytetarët dhe gjenerimi i një lëvizjeje shoqërore mbarëkombëtare është qëllimi kryesor i një seri tubimesh të organizuar nga vetë të rinjtë. Tema si bashkimi kombëtar, mjedisi, pasiguria, varfëria, keqqeverisja dhe korrupsioni janë qendra ku do të rrotullohen të gjitha diskutimet e të rinjve. Dje, në Universitetin Evropian të Tiranës, është mbajtur një tubim diskutimi mbi gjendjen e kombit shqiptar në ditët tona dhe mbi veprimin qytetar për bashkëpunimin, bashkimin dhe integrimin brenda shqiptar. Organizues të tubimit janë Lëvizja Vetëvendosja, lëvizja "Mjaft!", Klubi Kombëtar dhe organizata të tjera shqiptare. Në këtë aktivitet kanë referuar të dhëna, statistika, komente, opinione intelektualë si Hysamedin Ferraj, Enis Sulstarova, Albin Kurti. Tubimi është i pari i një turneu diskutimi që do të zhvillohet nëpër auditorët e universiteteve shqiptare në Republikën e Shqipërisë, ish- Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Republikën e Kosovës dhe në treva të tjera shqiptare. Organizatorët do të jenë vetë studentët në bashkëpunim me pedagogët dhe organizatat shoqërore shqiptare të nismës së rrjetit të organizatave shqiptare. Qëllimi i turneut është aktualizimi i kuadrit kombëtar në diskutimin, kuptimin dhe veprimin qytetar për të adresuar shqetësimet sociale që kanë shqiptarët sot në trevat shqiptare në Ballkan. Në sfera të ndryshme të jetës, shqiptarët ndeshen me problematika të njëjta si varfëria, pasiguria, shkatërrimi i mjedisit, keqqeverisja dhe korrupsioni, diskriminimi etnik dhe ai gjinor, degjenerimi i arsimit dhe në përgjithësi apatia qytetare. Këto probleme, përveç veprimit në rang vendor apo shtetëror, kanë nevojë për t‘u adresuar edhe si pjesë të problematikës kombëtare në shekullin XXI. Sipas referimeve dhe diskutimeve të djeshme, bashkimi kombëtar nuk duhet të jetë vetëm retorikë e politikanëve në raste festash, fatkeqësish, apo të sezoneve turistike, por duhet bërë pjesë e përditshmërisë së njerëzve. Qëllimi i organizuesve të turneut të tubimeve është gjenerimi i një lëvizjeje shoqërore e mbarëkombëtare.