Personat në kërkim të pajisen me pasaportë
TIRANË- Edhe personat që janë të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale duhet të pajisen me pasaportë të rregullt për të dalë jashtë Shqipërisë. Ky është rekomandimi që Avokati i Popullit i ka bërë Ministrisë së Brendshme në lidhje me çështjen e pasaportave. Në adresë të këtij institucioni kanë mbërritur ankesa nga disa shtetas të ndryshëm, të cilët ankohen për mos pajisjen e tyre me pasaporta nga policia, për jashtë shtetit dhe sipas tyre, shkak është bërë fakti se ata janë të shpallur në kërkim nga policia. Shpallja e tyre në kërkim është bërë si për rastet kur ata janë të dyshuar për kryerjen e një vepre penale, ashtu edhe kur janë të dënuar me vendim gjyqësortë formës së prerë si autorë të veprave penale. Menjëherë pas ankesave të personave të shpallur në kërkim nga policia, institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur interesimin në organet e Policisë së Shtetit, drejtuesit e të cilit i kanë informuar se këtë veprim pengues për të pajisur me pasaporta shtetasit që janë në kërkim nga policia e mbështesin në Urdhrin e Ministrit të Brendshëm.
Avokati i Popullit
Institucioni i Avokatit të Popullit gjatë interesimit për problemine personave të kërkuar të cilët nuk pajisen me pasaportë nga policia e shtetit, konstatoi se urdhri i ministrit të Brendshëm është i kundërligjshëm dhe shkel hapur të drejtën kushtetuese e ligjore të shtetasve për të dalë lirisht jashtë shtetit. “E drejta e daljes lirisht jashtë shtetit është një e drejtë themelore universale e çdo personi, kuptohet edhe e shtetasve shqiptarë. Po kështu edhe e drejta për t’u pajisur me pasaportë për jashtë shtetit është e drejtë e ligjshme e çdo shtetasi shqiptar. Mos pajisja me pasaportë e një personi, qoftë ai edhe në kërkim, përbën pengesën e parë shtetërore për të realizuar një nga të drejtat themelore universale të tij, atë të daljes lirisht jashtë shtetit”,- thuhej në rekomandimin e Avokatit të Popullit. Më tej thuhej se “Siç përcaktohet edhe në ligj, pasaporta për jashtë shtetit është dokumenti që vërteton identitetin dhe shtetësinë shqiptare të mbajtësit të saj, me anën e të cilit ai mund të dalë e të hyjë nga dhe në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe të udhëtojë nga një shtet i huaj në një tjetër”.
Rekomandimi
“Pajisja me pasaportë e personave që janë në kërkim do të lehtësojë edhe punën e organeve policore shqiptare dhe të shteteve të tjera për identifikimin dhe kapjen e tyre. Po kështu mund të themi se edhe procedura e aplikimit dhe e dorëzimit të pasaportave shtetasve që janë në kërkim i krijon mundësi organeve të policisë për të marrë informacion nëpërmjet dokumentacionit që ata dorëzojnë lidhur me vendndodhjen e tyre, brenda apo jashtë shtetit. Marrja e këtij informacioni ndihmon organet e policisë për të organizuar punën me metodat dhe format ligjore për kapjen e tyre vetë apo në bashkëpunim me homologët ndërkombëtarë. Ndërsa mos pajisja e tyre me pasaporta ndikon në të kundërtën, në fshehjen e identitetit të tyre, duke lëvizur jashtë shtetit me pasaporta false apo edhe pa to dhe për rrjedhojë edhe në shmangien e tyre ndaj detyrimeve ligjore” thuhej me tej në rekomandimin e Avokatit të Popullit. Ky i fundit ka rekomanduar revokimin e pjesshëm të Urdhrit të Ministrit të Rendit Publik “Mbi procedurat për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit” dhe konkretisht, ku urdhërohet: “Specialisti i kërkimit pengon për procedurë të mëtejshme aplikimet e shtetasve që janë në kërkim”.