Rroftë Rama! Poshtë Rama!Nga Shyqyri MekaAsgjë e re s’mund t’i vijë Partisë Socialiste nga një zgjedhje e kryetarit jashtë konkurrencës reale, me klane e kulisa. Ndërkohë, gjykoj se sfida e z. Rama qëndron jo aq te rikandidimi, pasi për këtë nuk ekzi
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rroftë Rama! Poshtë Rama!Nga Shyqyri MekaAsgjë e re s’mund t’i vijë Partisë Socialiste nga një zgjedhje e kryetarit jashtë konkurrencës reale, me klane e kulisa. Ndërkohë, gjykoj se sfida e z. Rama qëndron jo aq te rikandidimi, pasi për këtë nuk ekziston ndonjë pengesë statutore, sesa te analiza e shkaqeve që sollën humbjen në zgjedhje të koalicionit të majtë. Druajtja duke iu fshehur gabimeve është premisë që situata të riciklohet në edicionet e ardhshme zgjedhore.
Si ta kuptoj atë frymëzim kalorësiak që nxiste Partinë Socialiste të pranonte menjëherë humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit? Menjëherë dhe pa kushte, madje pa pritur certifikimin e tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve! S’mbahej mend që kundërshtari përballë të ishte shfaqur aq xhentil, sa t’i shtynte socialistët të shlyenin ndonjë borxh. Shqiptarëve u kujtoheshin kërcënimet, ato me “ngrirje buzëqeshjesh” apo marshimet “mbretërore” mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Nuk rezultonte që z. Nano të ishte vënë nën ndonjë presion të tillë nga partia e vet, pasi njohu humbjen dhe u dorëhoq pas mbylljes se një procesi zgjedhor të lodhshëm e të stërzgjatur. Ndryshe, sikur këto thirrje të vinin në linjën e “politikës së re”, e për ndonjë “standard” të ri, nga partizanë të kësaj politike apo bartësit e tyre të ishin dalluar për kritika ndaj drejtimit të partisë apo ide publike.
Sikur mos mjaftonin kërkesat për dorëheqje nga brenda dhe jehona e gjestit shembullor të z. Koçi apo editorialet e televizionit publik dhe atyre private në shërbim të PD, z. Godo la pushimet për t’iu bashkuar këtij kori. Thua se meraku që linte pa gjumë Partinë Republikane nuk na qenkësh kandidimi i paprecedent i kryetarit të saj të paditur për tragjedinë njerëzore të Gërdecit, por dorëheqja e z. Rama.
Çfarë avantazhi siguronte për Partinë Socialiste pranimi sa më parë i humbjes? Përkundrazi, siç treguan faktet, shthurja e gardhit do të sillte domosdo thellimin e saj. U këmbëngul për të numëruar çdo votë, prandaj u shmang tjetërsimi i një deputeti në qarkun e Fierit, për të mos thënë edhe në ndonjë qark tjetër. Aq të brishta ishin raportet midis koalicioneve, sa edhe një deputet i vetëm vendoste një pikë infleksioni në ekuacionin e qeverisë që do të formohej.
Dorëheqja e kryetarit në rastin e humbjes elektorale, si një detyrim statutor, është konditë e nevojshme, akti i parë i analizës së situatës së krijuar. Afërmendsh, jo kapaku i artë i përgjegjësive të drejtuesve dhe forumeve, siç ndodhi pas dorëheqjes së z. Nano në 2005. Në këtë kuptim, do mirëkuptoja kërkesat për dorëheqje sikur z. Rama të kishte heshtur dhe mos deklaronte publikisht se i njihte radhët e punëve, si dhe përgjegjësitë e tij institucionale.
S’është ndonjë gjë e re që në situata të tilla një mori arsyesh objektive dhe subjektive, qëndrime parimore apo statutore, interesa me karakter të përgjithshëm dhe personale, xhelozi e qejfmbetje të fermentojnë me shpejtësi të habitshme në një emërues të përbashkët: Të ikë kryetari! Si në atë fabulën e vjetër, edhe kovaçi shfaqet me çekiç në dorë t’i presë rrugën ujkut. Por asgjë parimore apo pragmatizëm i dobishëm për Partinë Socialiste nuk lidhej me arsyen e vërtetë të këtij nxitimi. Kërkohej pranimi i humbjes dhe dorëheqja e kryetarit, ndërkohë që sfida qëndronte në menaxhimin e humbjes, për disa arsye:
Së pari, deri në këtë moment asnjë forum vendimmarrës i Partisë Socialiste nuk kishte selektuar arsyet e vërteta të humbjes së zgjedhjeve, apo përgjegjësitë e forumeve dhe të z. Rama si kryetar i saj.
Së dyti, titullarë të organeve vendimmarrëse në parti kishin pranuar publikisht se vendime themelore të lidhura sidomos me sistemin zgjedhor dhe Kodin Elektoral, si dhe me qëndrimet ndaj koalicionit me LSI, ishin marrë në mënyre kolegjiale, duke e pranuar se ishin pro tyre.
Së treti, pakkush nga protagonistët e dorëheqjes rezultonte të kishte artikuluar vërejtje serioze publike lidhur me drejtimin e Partisë Socialiste.
Apriori vihej theksi te dështimi i “politikës së re” të z. Rama, duke i bashkangjitur asaj edhe arsyet e humbjes. Po çfarë ishte në thelb politika e re apo, më saktë, ç’konceptoj unë me këtë nocion, i cili asnjëherë nuk u reklamua nëpërmjet ndonjë traktati të shkruar?
Së pari, një opozitë ndryshe, jashtë sherrnajave të politikës së vjetër dhe pa shishe molotov mbi institucionet. Të gjithë binin dakord, paçka se aksioni i opozitës në parlament ndonjëherë nuk arrinte cilësinë e duhur, gjë kjo e trashëguar.
Së dyti, një qeverisje ndryshe, që pretendonte menaxhimin e Tiranës, një model i pranuar i suksesshëm.
Së treti, një koalicion më i gjerë qytetarësh, prezantuar në sloganin “Përtej së majtës dhe së djathtës”.
Së katërti, një program koherent, një kryetar dhe një ekip përfaqësues.
Koalicioni i “politikës së re” nuk mori atë që pritej, por PS kishte humbur, edhe kur zhvilloi një fushatë tradicionale, si ajo e z. Nano në vitin 2005. Ky fakt të bën të gjykosh se arsyet duhen kërkuar përtej efikasitetit të “politikës së re”, të personalizuar me të drejtë me emrin e z. Rama. Nuk mund të atakohet “an block” gjithçka, pa u futur në detaje se përse politika e re nuk arriti të kthehet në një plan veprimi.
Kursi i “politikës së re”, po ta quajmë kështu, gjithsesi i dha Partisë Socialiste më shumë vota se PD. Por sistemi elektoral i vendosur në mazhorancë determinonte koalicionet, jo partitë. Në mungesë të sondazheve publike për një varg pyetjesh që shtrohen, krye-arsyeja e humbjes, e provuar në mënyrë matematike, është mungesa e kohezionit në të majtën shqiptare.
Partia Socialiste shfaqet më e hapur, kur pranon se ka synuar një pushtet të pandikuar, ndërkohë që njihet pretendimi i kahershëm i LSI për të kapur polin e tretë të politikës shqiptare.
Pavarësisht se në cilën pikë të segmentit PS-LSI do të vendoset graviteti i përgjegjësive, çka duhet të përbejë boshtin e analizës së Kongresit, rezultantja e zgjidhjes e ka pikën e zbatimit të saj përtej këtij debati. LSI, si një realitet i limituar e me identitet “kill” nga kulaçi i PS, siç do të shpreheshin gjirokastritët, do të vazhdojë të qëndrojë mbi të majtën shqiptare si shpatë e Demokleut. Dhe ky realitet kokëfortë s’mendohet të shmanget me kode elektorale sado selektive, por me aleanca. Nga ana tjetër, joshja me zëvendësministra e drejtorë, e shfaqur tashmë, mund ta shndërrojë fragmentarizimin e politikës në një dukuri kërcënuese për demokracinë shqiptare. Ja, sikur kanë trokitur në zgjedhjet e ardhshme parti të komunitetit vlleh e maqedonas, të përqendruar në disa zona apo edhe një parti gay apo rome, në koalicion me PD.
Përtej taktikave elektorale, përtej fasadave me slogane të zgjedhur dhe kolona zanore apo debateve televizive mes liderësh, Partia Socialiste duhet të ktheje kryet nga programi, nga ajo çfarë u ofron zgjedhësve. 10 faqe të shkruara qartë për problemet që njerëzit shqetësojnë mund të ngjallin më shumë optimizëm e besim se 1000 faqe që nuk afishohen. Çfarë premtoi konkretisht Partia Socialiste? U befasova, kur në Devoll më thanë se i vetmi premtim që mbahej mend ishte dhënia e abetareve falas. Një varfëri e frikshme objektivash, ndërkohë që Berisha shpërndante ngado “mrekulli biblike”, duke u shfaqur si Krishti në skenën e ringjalljes së Shën Llazarit. Sado e dhimbshme dhe prozaike, premtimet vazhdojnë të prodhojnë më shumë aksion e besim, në krahasim me retorikat e “reformave standarde” të z. Nano apo të “politikës së re” të z. Rama. Premtimet elektorale në Shqipëri do të vazhdojnë të jenë si paja e nuses, që vjen ta shohë gjithë fshati.
Duke qenë kundër propagandës groteske, s’ka arsye politike të justifikojë rritjen e taksave lokale në prag të fushatës. Si mundet që pas një bashkëbisedimi dyvjeçar komunë më komunë të mungojë një paketë e afishuar masash për fshatin? Partia Socialiste s’mund të fshihet si struci përpara tarifimit të lartë të shërbimeve publike në një treg të kontrolluar. Aq më keq, të bëjë sehir, kur parlamenti shkarkon në bllok këshillin drejtues të entit të telekomunikacioneve ditën që paraqitet një metodologji e rregullimit të tarifave telefonike.
Pavarësisht ideve të reja, të cilat nuk mund të gardhohen, teza e pamjaftueshmërisë ekonomike do të vazhdojë t’i ndajë njerëzit në skuadra, në një lojë të ashpër. “Frutat e hershme e kanë çmimin e shtrenjtë/ por frutat e hershme i than shpesh ngrica”. Si në këto vargje të Kadaresë, koncepti modern i partive elektorale do të vazhdojë të jetë një aspiratë e bukur, përderisa mekanizma të tjerë të angazhimit social e qytetar nuk do të mbushin jetën tonë.
Mungesa e pozicionimit të qartë programor mund të shpjegojë rezultatin e dobët në zonat rurale, në dy zgjedhje radhazi të Partisë Socialiste, ndërkohë që konfirmohet suksesi i saj në zonat urbane. Si shumë të tjerë, jam për “rikthimin” e Ramës të drejtpërdrejtë e luftarak, larg diskurseve të lodhshme me arsyetime pa fund.
Ndër problemet madhore të Partisë Socialiste është ridimensionimi i “sinorëve” të elektoratit të saj, i trashëgimisë historike.
“Politika e re” nuk dha rendimentin që pritej, se nuk u llogariten si duhet koalicionet. Programit elektoral, sidomos ekonomik, i mungonin piketat që shquhen nga larg, sepse Kodi Elektoral u përcoll me eufori të madhe, edhe sepse Berisha përdori gjithë makinën shtetërore për të deformuar zgjedhjet, kurse PS nuk ishte e përgatitur si duhet për ta përballuar. Asgjë nga këto nuk u shfaq papritur, asnjë forum e përfaqësues i tij i zgjedhur s’mund ta quajë veten dorëjashtë përgjegjësive.
Shumëkush mund të justifikohet se i mbante sytë te “shoferi”. Do të ketë gjithnjë një takëm përfaqësuesish të vendosur të punojnë me risk zero. Të gatitur mirë që në rast fitoreje të duartrokasin sa t’u djegin duart: Rroftë Rama! Këta tani e përcjellin humbjen duke bërtitur që t’i dëgjojnë të gjithë: “Poshtë Rama!”
Me “Rroftë mbreti!” dhe “Poshtë mbreti!” ata mund të vazhdojnë të patrazuar duke ndërruar njërin kryetar pas tjetrit.