Rroftë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Sali Berisha!
Herë pas here kryeministri Berisha gjen rast për të folur për bashkinë e Tiranës, e për kryetarin e saj. Nuk është se don ti tregojë Bashës, se është në krye të bashkisë për shkak të tij; jo, supozohet që Basha e di mirë këtë gjë. Ai flet për bashkinë e Tiranës për tna bërë me dije ne të tjerëve, se ai është mentori, nuni e padroni i Bashës, dhe se Bashkia më në fund nuk është gjë tjetër, veçse një zgjerim i pushtetit të tij. Basha po ha drekë në bashki, tha kot më kot para disa ditësh. Ndërsa dje, në mbledhje të qeverisë, ndërsa fliste për investimet e huaja, i ndërroi marrshin ligjërimit, i ndërroi disi dhe rrugën, dhe tha: Në 11 vite qytetarët e Tiranës nuk kanë dëgjuar asnjëherë fjalën investime të huaja. Kryetari i ri i bashkisë dhe ekipi i tij kanë të gjithë vullnetin dhe potencialet për të shndërruar bashkinë e Tiranës në një lokomotivë të tërheqjes së investimeve të huaja.
Këtë avaz do ketë gjithnjë tani e tutje. Bashkinë e konsideron si Bashën: të tijën.
Respublica.al