E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrogat, politika dhe ekonomia

OPINION nga ERNAL HASIMJA Në një pikëvështrim të ndryshëm rritja e rrogave përdoret politikisht si dëshmi e një ekonomie të qëndrueshme. Sa më tepër rriten rrogat, aq më mirë po shkojnë punët. Por a është kjo e vërtetë? Jo domosdoshmërisht. Vitet e fundit kemi parë raste europiane të kamuflimit të gjendjes reale të ekonomisë përmes përdorimit të parave publike politikisht

Rritja e rrogave dhe pensioneve është shndërruar në një nga synimet kryesore të Qeverisë prej disa vitesh. Kjo e fundit ia ka dalë të imponojë këtë aspekt si kriter thelbësor për vlerësimin e performancës së saj. Kjo bëhet edhe më e dukshme nga...

...shoqërimi me reagime akuzuese nga opozita, e cila nganjëherë është kundërthënëse. Nga njëra anë përpiqet të tregojë se rrogat nuk janë rritur aq sa duhet dhe nga ana tjetër akuzon Qeverinë se po rrit rrogat në kohë krize.
Në njëfarë kuptimi rritja e rrogave është pjesërisht një formë e klientelizmit pas-zgjedhor, duke pasur parasysh se një pjesë e konsiderueshme e vendeve të punës që përfitojnë nga kjo rritje janë të lidhur me militantizmin partiak. Rrjedhimisht, rritja e rrogave është edhe përforcim i klientelizmit. Fakti që plot nga këto vende pune (një pjesë e pushtetit lokal, mësues, mjekë, etj.) nuk bëjnë pjesë në kontingjentin klientelist nuk e ndryshon dhe aq shumë situatën, sepse në fund të fundit mes tyre ka plot nga ata që konsiderohen si votues të lëkundur dhe që mund të ndikohen nga ndryshimet e rrogës.
Sidoqoftë, kjo prirje për ta bërë çështjen e rrogave përparësi madhore ka edhe një aspekt tjetër interesant. Ajo zbulon një logjikë të qartë jo thjesht klienteliste, por edhe etatiste dhe madje ndoshta edhe paternaliste. Qeveria vendoset kështu në pozicionin e mbajtësit të një rubineti parash publike në mënyrë relativisht artificiale. Kjo prirje vërtetohet qartë edhe nga përpjekja për të futur hundët vazhdimisht në tregun e punës, psh. përmes rritjes së pagës minimale.
Në një vend ku njerëzit e bëjnë relativisht kalimthi lidhjen mes tregut dhe shtetit, taksave ndaj sektorit privat dhe parave publike, një prirje e tillë mund të jetë relativisht e suksesshme. Aq më tepër kur pritshmëritë e njerëzve nga shteti ushqehen nga përfytyrimet ende të gjalla të një shteti të gjithëpushtetshëm komunist.
Në një pikëvështrim të ndryshëm rritja e rrogave përdoret politikisht si dëshmi e një ekonomie të qëndrueshme. Sa më tepër rriten rrogat, aq më mirë po shkojnë punët. Por a është kjo e vërtetë? Jo domosdoshmërisht. Vitet e fundit kemi parë raste europiane të kamuflimit të gjendjes reale të ekonomisë përmes përdorimit të parave publike politikisht. Ajo që është e rëndësishme këtu, është që rritja e rrogave të mos mbetet (e as përdoret) si kriter i zhvillimit ekonomik. Rritja e rrogave (gjë shumë e lehtë për t'u bërë) nuk do t'i hynte aspak në punë kategorisë së punonjësve civilë në kushtet e një sektori privat të rënduar me taksa, sa për të marrë një shembull. Ose, në një kontekst tjetër, rritja e pagës minimale në sektorin privat mund të shkaktojë logjikisht uljen e nivelit të punësimit, meqenëse punëdhënësit do të jenë më pak të interesuar të punësojnë me nivele më të larta rrogash.
Rritja e rrogave nuk mund të shërbejë si kriter i performancës qeveritare pikërisht sepse mbështetet mbi vendime politike tepër të dukshme, për të mos eklipsuar ecurinë e përgjithshme të ekonomisë. Vëmendja do të duhej të përqendrohej më tepër në rezultatet makro të vendimeve të rëndësishme politike që nxisin zhvillimin e natyrshëm të ekonomisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›