E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marku: PS e ka humbur betejën e kutive

MARK MARKU Deputeti i PD flet per kutite

Deputeti demokrat, Mark Marku, e cilëson të humbur betejën e PS për hetimin e fletëve të votimit dhe i kërkon asaj të përgatitet për zgjedhjet vendore përmes reformës zgjedhore. "Socialistët e kanë humbur betejën për fletët e votimit dhe ajo që duhet të mendojnë tani janë zgjedhjet vendore. Duhet të kemi parasysh se zgjedhje të përkryera nuk ka në asnjë vend të botës. P.sh. probleme me zgjedhjet ka pasur dhe në vendet e zhvilluara demokratike, si në SHBA, Francë, Britani, Gjermani etj. Mendoj se me nisjen e sezonit të ri politik, opozita do të ketë objektiva të tjera dhe jo çështjen e kutive. Mendoj se është një kauzë relativisht e humbur, opozita nuk i realizoi objektivat e saj sa i takon transparencës dhe për këtë arsye fokusi i saj do të jenë zgjedhjet lokale", u shpreh Marku. Për demokratët, e gjithë vëmendja e politikës duhet të përqendrohet tek reforma zgjedhore dhe përgatitjet për zgjedhjet për pushtetin vendor. "Opozita duhet të fokusohet dhe bazohet në rezolutën e PE. Kjo do të jetë baza për rikthimin e konsensusit në vend. Rezoluta e ka dhënë formulën e saj, komision parlamentar, hetim të materialeve dhe bashkëpunim. Pra të dyja palët nuk humbin, edhe transparenca realizohet, edhe ligjshmëria nuk shkelet", u shpreh deputeti demokrat. Edhe pse jemi aktualisht në sezon pushimesh, socialistët janë shprehur se nuk kanë reshtur së negociuari me PD duke paraqitur edhe propozime, sipas selisë rozë, të reja. Palët ndahen tek çështja e fletëve të votimit. Socialistët këmbëngulin që pasi të nisë hetimi i materialeve zgjedhore, të hapen kutitë e fletëve të votimit sa herë të jetë e nevojshme për verifikime të mëtejshme. Ndërsa demokratët këmbëngulin tek zbatimi i nenit 178 pika 6 të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit, me arkivimin e materialeve zgjedhore, fletët e votimit duhet të asgjësohen nga KQZ. Demokratët u kanë dhënë socialistëve si opsion mundësinë e dërgimit në Gjykatën Kushtetuese e më pas në Komisionin e Venecias të interpretimit të fatit të fletëve të votimit me nisjen e hetimit të materialeve zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›