E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkoi 10 milionë lekë, pranga kryepërmbaruesit

KORRUPSIONI/ Ernest Shimka kishte vetëm tri javë në detyrë. Kërkoi ryshfet për të zbatuar vendimin e gjykatës për një dëmshpërblim


VLORË - 1 milion lekë (të reja) për të lehtësuar dhe shpejtuar marrjen e një shume prej 20 milionësh. Këmbimi është propozuar së fundmi nga një funksionar i drejtësisë në Vlorë, ndërsa marrja e ryshfetit i ka "tronditur" karrierën e posafilluar. Policia e Vlorës ka vënë në pranga kreun e përmbarimit të Vlorës, Ernest Shimka. Arrestimi i tij është bërë me akuzën e korrupsionit pasiv.


Drejtori i policisë së Vlorës, Ylli Metko tha se për drejtuesin në fjalë gjithçka është kryer me metoda speciale, në bazë të informacioneve që dispononte policia e shtetit. Kreu i përmbarimit të Vlorës ka kërkuar 10 milionë lekë në këmbim të lehtësirave që do t'i krijonte një qytetari për një çështje gjyqësore.


Sipas burimeve, për të ekzistojnë të gjitha provat për "favorin" që do të kryente, në sajë të funksionit që kishte në krye të kësaj zyre, përfshi edhe flagrancën. Mësohet se drejtuesi në fjalë ushtronte këtë detyrë vetëm prej tri javësh, i komanduar.

Policia


Në një konferencë për shtyp drejtori i drejtorisë së policisë Vlorë, Ylli Metko, tha se "ditën e sotme (dje) falë një pune të mirë investigative disaditore, të kryer me forma speciale të hetimit, në bashkëpunim edhe me njësinë Task Forcë pranë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Vlorë, u kurorëzua me sukses operacioni i koduar "Përmbaruesi".


Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit Ernest Shimka, 28 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Vlorë, me detyrë kryetar i Zyrës së Përmbarimit Vlorë.


Arrestimi i tij u bë pasi sot (dje) rreth orës 15:00 u kap në flagrancë, pasi kishte marrë në formë ryshfeti një sasi parash prej 10 milionë lekësh (të vjetra). Shuma është kërkuar me qëllim vendosjen në lëvizje të ekzekutimit të një vendimi gjyqësor për dëmshpërblimin e një qytetari nga një kompani siguruese, duke konsumuar kështu veprën penale të "korrupsionit pasiv të funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë".


Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sasia prej një milion lekësh të reja, si dhe disa dokumente shkresore, të cilat lidhen me veprën penale. Po vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij akti të pastër korruptiv".


Prokuroria


Zv.prokurori Maksim Sota, gjatë konferencës për shtyp, e ka vlerësuar rastin e djeshëm për bashkëpunimin e suksesshëm midis drejtorisë së policisë së qarkut Vlorë dhe prokurorisë së rrethit gjyqësor Vlorë në luftën kundër korrupsionit në organet e drejtësisë.


Përveçse ka falenderuar strukturat e policisë në drejtorinë e qarkut për veprimet e shpejta që kanë kryer, ai u ka bërë thirrje dhe të gjithë qytetarëve vlonjatë, por edhe të gjithë Shqipërisë, për të denoncuar çdo akt korruptiv të çdo punonjësi të organeve të drejtësisë, përfshirë këtu që nga prokurori, gjyqtari, përmbarues, apo çdo funksionar tjetër për veprimet e tyre korruptive.


"Të marrin guximin të denoncojnë këto akte korruptive, pasi do të kenë mbështetjen e plotë të strukturave të policisë dhe prokurorisë, me gjithë goditjen e tyre.


Siç saktësoi Sota, kreu i përmbarimit të Vlorës është arrestuar në flagrancë për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë të drejtësisë, pasi është kapur me sasinë e parave që kishte kërkuar nga qytetari, i cili mori guximin dhe e denoncoi këtë akt korruptiv që ai kishte kryer. Kreu i përmbarimit kishte vetëm tri javë i komanduar si drejtues i zyrës së përmbarimit Vlorë dhe tre vjet që punonte si përmbarues gjyqësor në Vlorë.


Favori që kishte premtuar kreu i përmbarimit ishte lajmërimi për ekzekutim, nxjerrja e urdhrit për ekzekutim në kompaninë e sigurimit që kishte detyrimin për të shlyer shumën e parave ndaj një qytetari të aksidentuar. Bëhet fjalë për një vendim gjykate për dëmshpërblim, vendim i cili ekzekutohet nga përmbarimi. Sota tha se hetimet vijojnë dhe gjithçka do të verifikohet, detaje të cilat prokuroria do t'i bëjë me dije në të ardhmen.

Historia


Pak muaj më pare, një qytetar bëhet objekt aksidenti, gjatë të cilit përson dëmtime të konsiderueshme. Procedurat në gjyqësor i përcaktojnë atij shumën prej 200 milionë lekësh, shumë të cilën ai e përfitonte në kompaninë siguruese.


Së fundmi urdhri i ekzekutimit do t'i përkiste përmbarimit, rrethanë kjo me të cilën ka mundur të përfitojë kreu i përmbarimit, duke bërë propozimin 10 milionë lekë për t'i kaluar qytetarit shumën prej 200 milionë lekësh.


Pazaret janë dekonspiruar, çka për kryepërmbaruesin kanë premtuar vetëm tri javë ngritje në detyrë, por edhe përballje me drejtësinë, pjesë e së cilës ai ka qenë prej tre vjetësh.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›