E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrok shqiptar nga Qelbanix në Mynih

 

Një grup rrokerësh shqiptarë këndojnë sot në Mynih. Janë të rinj, të pëlqyer dhe përpiqen të ndryshojnë shijet e publikut. “Nata e gjatë e muzikës” është në edicionin e nëntë. Nga ora 20:00 deri në 03:00 të mëngjesit, në rreth 100 institucione të ndryshme në qytet, muzikantë nga më shumë se 20 vende të botës performojnë në afro 400 koncerte. Për herë të parë këtu merr pjesë dhe “Lothriger13”, Galeria shtetërore e Mynihut me programin muzikor “UNDER13” e cila ka ftuar grupin shqiptar “Qelbanix”, shoqëruar në violinë nga instrumentistja Mariana Kostandini. Projekti realizohet nga artistja Adela Demetja e cila prej disa muajsh është bursiste e Fondacionit “Robert Bosch”, e angazhuar si kuratore dhe menaxhere arti. Një nga qëllimet e projektit që mbledh rreth vetes artistë të rinj nga Evropa Qendrore dhe Lindore, është që të prezantojë kulturat e këtyre vendeve, dhe të bëjë që në epokën e madhe të globalizimit, çdokush të paraqitet si një individualitet me kulturën dhe traditën e vendit të tij. Pas aktiviteteve të tjera të artit pamor ku kanë marrë pjesë disa artistë shqiptarë, është radha e muzikës. Demetja këtë herë nuk u ndal tek muzika popullore shqiptare. Mendoi të paraqesë diçka të re, moderne, që pëlqehet nga të rinjtë shqiptarë. Mbi këtë ide përzgjodhi grupin rrok, “Qelbanix, që së fundmi ka marrë pjesë në ngjarjet më të rëndësishme muzikore në Shqipëri, ku kanë fituar edhe çmime.

Grupi u krijua para katër vjetësh nga katër muzikantë të rinj që kanë studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë. Shumë shpejt do të binin në sy për energjinë dhe fantazinë e tyre krijuese. Ndërsa Mariana Kostandini ka mbaruar Liceun Artistik në Tiranë për violinë dhe prej katër vjetësh vazhdon studimet për muzikologji në Paris. Ajo këndon dhe shoqëron grupin me violinë. “Grupe të tilla të muzikës shqiptare duhen përkrahur dhe iu duhet dhënë mundësia e pjesëmarrjes nëpër aktivitete të ndryshme ndërkombëtare. Është një mënyrë e mirë për të shkëmbyer eksperienca, pse jo, të bëhen sado pak të njohur në të tjera skena”, - thotë Demetja, e cila po mendon ndërkaq aktivitetin e radhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›