E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujtesë për 13-ën

 

Kujt i ka rënë rruga dje për nga Sheshi “Skënderbej”, ka parë të ngjitur në pjedestalin e heroit kombëtar, një “ekran” të zi, ku shkruhet 1913. Është një instalacion-protestë i artistit Gedmond Lushka i cili në këtë mënyrë ka kujtuar atë çka ndodhi me Shqipërinë më 1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, kur Fuqitë e Mëdha vendosën fatin e kufijve të këtij vendi të sapo bërë shtet. Pavarësisht Shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor të vitit 1912, fqinjët ballkanikë paraqitën pretendimet e tyre për tokat shqiptare. Konferenca e Ambasadorëve u mbajt nga dhjetori i vitit 1912 deri në gusht të vitit 1913. Me gjithë këmbënguljen e delegacionit shqiptar, të përbërë nga Ismail Qemali e Isa Boletini, i cili mbërriti në prill në Londër, Shqipërisë i mbetën jashtë kufijve Kosova, e cila iu dha Serbisë, Çamëria Greqisë, e të tjera troje në veriperëndim, të cilat i kaluan Malit të Zi. Kujtesa e Lushkës qëndroi në piedestalin e Skënderbeut gjatë gjithë paradites së djeshme. Lushka, i diplomuar në Itali për Artet e Bukura, nuk dëshiron që puna e tij të marrë karakter nacionalist, por sipas tij është mirë të flitet për të shkuarën, padrejtësitë dhe fqinjët. Është një rrëfim artistik, që padyshim të shtyn të mendosh për të tashmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›