Kurrë nuk është vonë!
Nuk besoj se ka shikues televiziv që nuk është habitur nga performanca e njërit prej politikanëve shqiptarë të Maqedonisë në emisionin e fundmit “Top-Story”. Një fjalor i çartur dhe ofendues, zhveshi nga çdo standard etike diskursin politik të opozitës shqiptare. Së pari, gënjeu me vetëdije. Së dyti, e fyeu kundërshtarin politik, jashtë çdo limiti që lejon edukata njerëzore. Së treti, i bëri një shërbim pa pagesë klaneve antishqiptare që na akuzojnë se jemi gjenerator krizash. Së katërti, paralajmëroi skenarë për ditën e zgjedhjeve, përfshirë, sipas tij, mbylljen e kutive të votimit. Zotëria i sipërcituar është përfaqësues i BDI dhe koha për të cilën (ç)fliste, ishte mbrëmja e së enjtes në Tetovë.
Në Maqedoni, fushata elektorale tashmë është mbyllur, fjalën e ka elektorati ditën e diel. Heshtjes zgjedhore i parapriu “ngjarja” e Tetovës, e thënë ndryshe, një furtunë në një gotë uji.
Tetova dhe Gostivari mbajtën peshën e mitingjeve përmbyllëse. Partia e Thaçit, miting në zemër të Gostivarit, ajo e Ahmetit në Tetovë, konkretisht, tek stadiumi i qytetit dhe PPD e Vejselit, në qendër të qytetit të Tetovës. Sigurisht, në të tilla raste, simpatizantë të partive politike shkëmbejnë ndonjë shikim prej cubash dhe shyqyr që nuk e kapërcejnë gardhin…
Për ta zgjeruar tregimin më ndihmon atmosfera e mbrëmjes deri në momentin e daljes së këtij zotërisë në emisionin “Top Story”. Tetova po përjetonte një mbrëmje relaksi dhe ritmi i këngëve të Leonora Jakupit kishte mbledhur mijëra qytetarë në shesh. Në ndërkohë që lideri i PDSH-së, Thaçi ndodhej përballë gazetarit të “Top-Story” në Tiranë, nga Tetova u bë e mundur një lidhje e drejtpërdrejtë televizive me selinë e BDI-së. Në vend të liderit të BDI-së, Ahmetit, që pritej, në ekran u shfaq një personazh, thuajse i shpërfytyruar, që me një fjalor të papranueshëm, lëshoi një lëmsh çapraz fjalësh, nga të cilat shikuesi i painformuar mund të besonte se në Tetovë “po ndodhte hataja”.
Ç’po ndodhte në Tetovë? Në mes të mitingut të BDI-së kërciti kallashi nga simpatizantët e mbledhur. Breshëria u shoqërua me një lëvizje amatoreske të kandidatëve për deputetë që rrethuan Ali Ahmetin. Pas këtij cirkursi, në studion e improvizuar të lidhjes televizive, brofi një skuadër e plotë e BDI-së, e cila vendosi që misionar përcjellës i “tronditjes së shqiptarëve” të ishte një nga kandidatët, pikërisht ai që sipërcituam në fillim të shkrimit. Kush i ka dëgjuar klithjet e tij në Tiranë, me siguri ka ndërruar kanalin, por në Tetovë, shkaktoi shokim.
Sidoqoftë, Tetova është e qetë. Qytetarët e atyshëm, për shkak se ishin në shumicë dëshmitarë okularë, e kanë më të lehtë të kuptojnë se ku mbaron realiteti e ku nis lajthitja. Ata qetësuan edhe qindra emigrante që telefonin nga të katër anët e botës.
Në rrugët e Tetovës nuk kishte gjak, dhe mirë do ishte që as në selitë e partive, të mos kishte lot krokodili. Për të ardhur keq, që fushata nisi dhe mbaroi me “incidente” që nuk ishin incidente dhe me “viktima” që viktima vetëbëhen. Nuk është çudi që partia e z.Ahmeti ta lërë procesin e votimeve në mes të rrugës. Humbja me sa duket është e papranueshme si koncept për situatën e tanishme në parti. Gjithsesi, shpresa vdes e fundit. Ka ende kohë, që BDI të kuptojë se këto zgjedhje janë test për demokracinë në Maqedoni. Mesazhi i paqes dhe tolerancës dhe kontributi për zgjedhje të lira, do të nderonte çdo përfaqësues të politikës shqiptare në Maqedoni. Subjekti politik shqiptar është mirë që të dielën të sillet jo si humbës, apo fitues partiak, por si një trupë e gatshme,të ofrojë një imazh pozitiv bashkëshqiptar. Kurrë nuk është vonë!