E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evropa e dyzuar apo ne?

 

Ne që e kemi parasysh - më mirë se të huajt - gjendjen e shërbimeve shëndetësore, të institucioneve të drejtësisë, pronat, korrupsionin, largësinë fatale të shumë prej deputetëve dhe ministrave nga tereni i përbaltur dhe i pluhurosur, Gërdecin, moszbardhjen e shumë krimeve, e të tjera këso, ne duhet të kuptojmë se nuk i dilet mbanë vetëm me demagogji apo edhe duke ëndërruar.

Po bëhen 20 vjet në ëndërr; dhe (shumë) njerëzve ende iu pëlqen t’i mbajnë sytë mbyllur. Së fundi, qytetarët shqiptarë dëgjuan (natyrisht, jo pa keqardhje) se vendi i tyre nuk mundi të fitonte statusin e kandidat për në BE(!) Edhe vetë autoritetet shtetërore e qeverisëse shfaqin njëlloj kakofonie në këtë temë; dikush iu kërkon përfaqësuesve më të lartë të BE të mos përdorin dy standarde në qëndrimin ndaj shteteve të të njëjtit rajon; dikush tjetër beson dhe premton se Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së përpara vitit 2015. Amin! Çështja është se qytetarët shqiptarë kanë pak informacion për hapat konkretë që po hidhen në këtë rrugën e gjatë të integrimit. Lehtësimi i lëvizjes së lirë, rritja e investimeve të huaja, ikja nga pozicionet diskriminuese në një sërë sondazhesh, janë disa nga shpresat e parealizuara të shqiptarëve. Në Strasburg, ku politikanët tanë më të lartë shkojnë herë pas here, për punë dhe për “hallet” e tyre, gjithashtu flasin pareshtur për pengesa, të cilat mendohej se do të kapërceheshin që në vitet e para të shpalljes së pluralizmit dhe ekonomisë së tregut në Shqipëri. Po çka me ne Strasburgu? More, çfarë kërkon nga ne Perëndimi? E më në fund, a është ai i dyzuar? Apo të dyzuar jemi vetë ne? Logjika më e thjeshtë, na mëson të vështrojmë brenda vetes, me qetësi. Por me qetësi evropiane, jo ballkanike.

Qytetarët shqiptarë edhe vetë janë të zhgënjyer (më zi se evropianët) nga mënyra se si është qeverisur ky vend gjatë gjithë tranzicionit. Me shumë gënjeshtra. Me shumë demagogji. Me shumë pikëpyetje. Do të mjaftonte vetëm njëra prej tyre, ajo më e fundit, tragjedia e pazbardhur e Gërdecit, për të kuptuar se ç’hone na ndajnë nga e vërteta. Vështroni se ç’ndodh me kthimin dhe kompensimin e pronave. Apo me “zgjedhjet elira e të ndershme”. Edhe ky një term i apeluar pafundësisht, i konsumuar tashmë. Në gati dy dekada, në më shumë se dhjetë ngjarje të rëndësishme elektorale, për fat të keq, nuk ia kemi dalë mbanë asnjëherë të marrim një notë të mirë. Dhe kjo, jo pse Perëndimi ashtu ka gjykuar. Qytetarët shqiptarë janë të vetëdijshëm se përfaqësimi i tyre politik, krahas të tjerave, është një nga komikset më të mëdha të tranzicionit tonë.

Si përfaqësohen politikisht interesat e mijëra njerëzve, që kanë mbetur apo po mbeten pa punë? E mund të vijmë më brenda kufijve të farsës, për të kujtuar se ç’është bërë me shumë prej deputetëve, duke kapërcyer ylberin, sikundër edhe pellgje lloj-lloj... Në letrat e tyre, shumë e shumë prej lexuesve të kësaj gazete të nderuar, qytetarë e kolegë, na drejtohen duke bërë vlerësime; por ka edhe lexues që kërkojnë më tepër paanësi e realizëm. Shumë e drejtë. Por problemi është t’i rrimë së vërtetës sa më afër. Ka një sërë ndryshimesh dhe arritjesh që nga viti i bekuar ‘90. Dhe është fort e kollajshme të duartrokasësh. Ashtu në përgjithësi. Apo për një pushtet me emër. Del i fituar nga të gjitha anët. Por nuk mjafton. Është shumë pak për të kuptuar sot përse nuk e fituam dot statusin e vendit kandidat për në BE, ne që ishim shembull i “reformave impresionuese”(!)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›