BB: Nuk ka zgjidhje veç rritjes së çmimit
Bojaxhi: ERE nuk na dha sqarime me shkrim për mosrritjen e çmimit të energjisë. Kemi nevojë për më shumë para
KESH dhe Banka Botërore këmbëngulën sërish dje se çmimi i energjisë elektrike duhet të rritet më tej, si mekanizmi i vetëm për zgjidhjen e problemit dhe garantimin e furnizimit të rregullt, pavarësisht se Enti Rregullator i Energjisë e ka dhënë sakaq përgjigjen përfundimtare se këtë vit nuk do të ketë rritje tjetër.
Sipas drejtorit të KESH, Gjergj Bojaxhi, çmimi duhet të rritet deri më 9.78 lekë, nga 8.1 lekë për kËh që është aktualisht. Kjo nënkupton një rritje të mëtejshme prej 20% nga niveli ekzistues. “Shqipëria nuk mund të mendojë se do të qëndrojë jashtë botës në rritjen e kostos së energjisë”,- tha eksperti i BB për Energjinë, Demetrios Papathanasiou. Sipas tij, për sa kohë që çmimi i naftës rritet, nuk ka asnjë mundësi që çmimi i energjisë elektrike të mos rritet.
Qeveria e rriti çmimin e energjisë elektrike me 15% këtë vit për herë të parë që nga viti 2005, megjithatë, KESH mund të akumulojë humbje financiare prej 135 milionë eurosh për këtë vit. Fakti është se kostoja e energjisë që konsumojmë, është më e lartë sesa çmimi që paguajmë. Shqiptarët do ta paguajnë gjithsesi këtë diferencë si taksapagues, por ndërkohë, konsumatorët që i paguajnë faturat rregullisht, do të paguajnë edhe për ata të parregulltit. KESH pati bilancin e parë negativ në katër vite në 2007, si pasojë e kostos jashtëzakonisht të madhe të importit prej 200 milionë eurosh.
Akuza për ERE
Në takimin e djeshëm organizuar nga “Mjaft!” në bashkëpunim me KESH, pati akuza të drejtpërdrejta mbi varësinë politike të Entit Rregullator të Energjisë. Eksperti, Gjergj Simaku tha se, “problemi qëndron te ERE që është emëruar nga qeveria”. ERE, e cila është ligjërisht e pavarur dhe përgjigjet vetëm para Parlamentit, ka dëshmuar së paku një herë, në vitin 2006, se i bindet vullnetit politik. Në atë kohë, Enti miratoi një rritje çmimesh, të cilën e tërhoqi disa ditë më vonë, pasi kryeministri Berisha deklaroi se nuk do t’i rriste çmimet. Enti refuzoi këtë muaj një kërkesë tjetër të FMN-së, BB-së dhe KESH, për rritje çmimesh në korrik.
Drejtori i KESh, Gjergj Bojaxhi u ankua për “mungesën e analizës së kostove” nga ana e ERE-s. Ai deklaroi gjithashtu se llogaria e ERE-s për çmimin aktual mesatar, është e pasaktë. ERE thotë se aktualisht një kilovat i shitur në Shqipëri kushton rreth 8.45 lekë, ndërkohë që llogaritë e KESH flasin për çmim mesatar prej 8.1 lekësh. “ERE nuk na ka dorëzuar ne asnjë arsyetim të shkruar për refuzimin e kërkesës për rritje çmimi”,- tha Bojaxhi dje.
Rritja e çmimeve, tani vetëm për import
Në vitin 2001, kur kreditorët e KESH vunë kushtin e rritjes së çmimeve, u argumentua se çmimet më të larta nevojiteshin për të mbuluar nevojën për investime. Pra, fitimet që KESH do të realizonte duke rritur çmimin, do t’i investonte në termocentrale e linja interkonjeksioni. Strategjia u konsiderua që në atë kohë si “tepër optimiste”, por u konsiderua si e vetmja zgjidhje në dispozicion. Ky skenar duket se dështoi. Termocentralet nuk u realizuan dhe linjat e interkonjeksionit kanë mbetur në letër. Paratë e grumbulluara nga çmimet më të larta se kostoja gjatë viteve 2003-2006, u shpenzuan vitin e kaluar për të paguar faturat e importit. Tani rritja e çmimeve nuk kërkohet më për të mbuluar investimet, por thjeshtë për të mbuluar faturat e importit. Kjo është një situatë edhe më e keqe, sepse në rastin më të mirë, KESH do të sigurojë furnizim të rregullt për këtë vit, por ndërkohë ekonomia kombëtare po humbet qindra milionë euro, e barabartë me 3-4% të PBB-së për import energjie. Në terma afatgjata, nuk duket se nuk është zgjidhje.