E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrokaj: Po shkelet autonomia financiare e universiteteve

06/06/2009  Urdhri i Financave

Drejtuesit e universiteteve publike kanë dalë kundër urdhrit më të fundit të nxjerrë nga Ministria e Financave në lidhje me trashëgimin e fondeve për institucionet e arsimit të lartë. Dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj, ka pohuar se një urdhër i tillë cenon autonominë financiare të universiteteve dhe bie ndesh me ligjin e arsimit të lartë që është në fuqi. Urdhri i financave përcakton se fondet që nuk janë shfrytëzuar nga universitetet nuk mund të trashëgohen në vitin pasardhës, pavarësisht misionit apo qëllimit të parashikuar për t’u përdorur. Këto të fundit përfundojnë në buxhetin e shtetit, çka është kundërshtuar nga drejtuesit e arsimit të lartë. Ndërkohë është pohuar se përveç shkeljes së ligjit ky urdhër vë gjithashtu në pah dhe derdhjen e miliona lekëve, që nuk dihet se ku përfundojnë. “Ligji i arsimit të lartë përcakton shumë qartë në nenin 72 se të ardhurat që vijnë nga tarifat e studentëve trashëgohen në vitin pasardhës. Kjo e detyron qeverinë të bënte pasqyrimin e duhur në ligjin e buxhetit. Këtë nuk e ka bërë. Kjo do të thotë se paratë që kanë paguar studentët për kërkim shkencor, për investime, miliona euro, gëlltiten menjëherë nga Buxheti i Shtetit thjesht nëpërmjet një shkrese të ardhur nga ministri i Financave”, - ka deklaruar Rrokaj. Gjithashtu është theksuar se duke mos u gëzuar e drejta e trashëgimit të fondeve, ndodh që digjen mjaft projekte që kanë universitetet për zhvillimin e kërkimeve shkencore, realizimin e investimeve apo projekteve të tjera në dobi të studenteve që ndjekin arsimin e lartë në auditorët publikë të vendit. Ndryshe nga vitet e shkuara, duke filluar nga 1 janari i 2009-s, shpërndarja e fondeve për institucionet e arsimit të lartë do të ndryshojë, çka do të thotë se universitetet, në bazë dhe të vendimit tashmë të marrë nga qeveria, këto institucione do t’i përdorin të ardhurat e tyre në bazë të një formule të re financimi, formule matematikore, e cila do të ndihmojë më shumë ato universitete që do të konkurrojnë nëpërmjet projekteve. Kështu, universitetet që do të paraqesin më shumë projekte dhe ato që janë më cilësore do të përfitojnë sasinë më të madhe të fondeve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›