E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura 2009, nis korrigjimi i testeve

05/06/2009  Skema e korrigjimit për provimin e letërsisë përcakton që vlerësimi maksimal arrihet me 50 pikë

Shpërndarja e provimeve për korrigjim në mënyrë rastësore, kufiri minimal ende i papërcaktuar

Ka nisur vlerësimi i provimeve të Maturës Shtetërore 2009. Gjatë ditës së djeshme në të katër qendrat e vlerësimit, tri prej të cilave janë në rrethe dhe ajo e kryeqytetit, sipas skemës së përcaktuar nga AVA-ja, kanë filluar korrigjimin e çdo teze provimi. Sipas skemës së propozuar, një maturant duhet të grumbullojë 50 pikë për të marrë vlerësimin maksimal, i cili më pas ekuivalentohet në notë. Kështu, pyetjet me alternativë që përmban testi do të kenë 13 pikë, ndërsa pyetjet me zhvillim në total do të vlerësohen me 37 pikë (këto të ndara sipas rëndësisë së pyetjes). Pragu minimal i pikëve që duhen për t’u cilësuar kalues ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Dërgimi i testeve për korrigjim në rrethe është bërë në mënyrë rastësore. Ekspertët kanë pohuar se menjëherë sapo ka përfunduar provimi është bërë grumbullimi i tezave në qendrën e kryeqytetit dhe më pas të gjitha kutitë, pas një përzierje rastësore, janë ndarë në sasi të caktuara dhe janë dërguar për korrigjim në qendrat përkatëse. Kjo lloj shpërndarjeje është bërë me qëllim që mësuesit të mos kenë mundësi të bëjnë lidhje apo identifikime të testeve me emrat e maturantëve, ndonëse testet janë të pajisura vetëm me barkode. Çdo test vlerësohet nga dy vlerësues të jashtëm. Aktualisht janë përzgjedhur mësuesit që janë ekspertë të lëndës e që po marrin pjesë në korrigjimin e këtyre provimeve. Bazuar në rregulloren e provimit, theksohet se në rastet kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, përgjegjësi i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar. Gjithashtu Ministria e Arsimit ngre grupe monitoruesish të vlerësimit të testeve sipas lëndëve, të cilët në mënyrë të rastësishme monitorojnë testet e vlerësuara. Këta grupe gjithashtu shqyrtojnë rast për rast të gjitha testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve. Pas rishikimit të këtyre testeve rezultatet finale i dërgohen Ministrisë së Arsimit, e cila merr vendimin përfundimtar se çdo të bëhet me maturantët, nëse do t’u njihet rezultati apo jo si dhe nëse do të penalizohen me heqje pikësh. Shpallja e rezultateve do të bëhet pas 15 ditësh nga zhvillimi i provimit. Ndryshe nga vitet e shkuara maturantët do të kenë mundësi të ankimojnë rezultatin, nëse mbeten të pakënaqur me notën e marrë. Për këtë katër ditë pas marrjes së vlerësimit duhet të dorëzojnë një kërkesë në shkollën e tij, e cila përcillet në AVA. Por këtë vit është shtuar fatura financiare që maturantët duhet të paguajnë për të mundësuar rivlerësimin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›