E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelen procedurat e përfitimit të kredisë

05/06/2009  Strehimi i familjeve që banojnë në ish pronë private, konfirmohen 3157 përfituesit sipas rretheve

Lista/ Aktualisht janë evidentuar edhe çmimet për metër katror të përfituesve të kredisë

Çelen procedurat për strehimin social të familjeve që banojnë në ish-pronë private, çka do të thotë se familjet që gëzojnë këtë status mund të aplikojnë pranë Entit Kombëtar të Banesave për të përfituar nga programi i strehimit. Sipas listave të dërguara pranë Entit Kombëtar të Banesave nga qeverisjet vendore, gjithsej janë 3157 familje, për të cilat është konfirmuar se jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve. Kjo kategori mund të fillojë procedurat e aplikimit pranë Entit Kombëtar të Banesave për të marrë një kredi afatgjatë me interes zero. Kjo e fundit është finalizuar nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Financave dhe bankës private të përzgjedhur për dhënien e kredive. Programi synon që për këto familje dhënia e kredisë nuk do të shoqërohet me interesa përveç kostos reale të banesës. Konkretisht kredia përcakton që këto familje të pastreha do të përfitojnë shumën e plotë në përputhje me vlerën e shtëpisë që do të blejnë në treg, por përveç kësteve mbi paratë e marra nuk do të detyrohen të paguajnë interes bankar. Ndërkohë shlyerja e interesit do të merret përsipër nga Enti për një afat kohor prej 30 vjetësh, aq sa është miratuar dhe në marrëveshjen e lidhur nga financat me bankën private, duke i kaluar shtetit mbulimin e interesave. Subvencionimi do të realizohet nga Buxheti i Shtetit përmes Entit Kombëtar të Banesave. Lista emërore e familjeve që do të trajtohen është hartuar në bazë të ndarjeve të familjeve përfituese sipas çdo bashkie. Kryeqytetit zë dhe pjesën më të madhe të familjeve që do të përfitojnë, përkatësisht me 800 familje, më pas renditen qytet e tjera të mëdha, si Durrësi me rreth 550 familje të pastreha, që jetojnë në ish-pronë private; Shkodra me 650 familje, e rrethet e tjera me radhë, si Kavaja, Vlora, Korça, Gjirokastra, Elbasani, Pogradeci etj. Familjet e konfirmuara zyrtarisht në këto lista, të cilat gjithashtu do të afishohen në vende të dukshme në të gjitha sportelet e Entit në Tiranë dhe në rrethe, duhet të paraqiten pranë këtyre zyrave për të plotësuar një formular. Aty duhet të shënohen përveç gjeneraliteteve kryesore edhe sasia e të ardhurave që disponojnë këto familje, si dhe aftësia paguese e tyre për marrjen e kësaj kredie. Më pas përfaqësuesit e Entit i dorëzojnë formularët pranë bankës së kontraktuar nga shteti për marrjen e kredisë 30-vjeçare. Të gjithë individët që pretendojnë se nuk e kanë emrin në këto lista, por u takon të përfitojnë nga kjo kredi, mund të paraqiten pranë zyrave të Entit me dokumentacionin përkatës për të bërë një ankimim dhe për të verifikuar kërkesën e tyre. Enti Kombëtar i Banesave ka gjithashtu gati edhe përllogaritjen e masës së kredisë për qytetarët në ish-pronë private.

Sipërfaqet e banimit

Sipërfaqet e banimit janë të ndara në disa kategori: në garsonierë, apartamente 1+1, 2+1 dhe 3+1, ndarje e cila është bërë në përputhje me normat e strehimit të përcaktuara në ligjin përkatës. Konkretisht norma përfshin 12 metër katrorë për frymë. Garsonierat janë për ato familje me 1-2 persona, për 2-3 persona përfituesit marrin një apartament 1+1. Për familjet me katër persona apartamenti që mund të blihet me këtë kredi është 2+1 dhe me mbi katër persona për familje mund të përfitohet një banesë 3+1. Këto janë kriteret vlerësuese të marra parasysh nga specialistët e Entit Kombëtar të Banesave në përllogaritjet e kryera për këtë program strehimi.

Vlera e ndërtimeve

Banesat sociale që do të blihen në tregun e lirë gjatë këtij viti do të kenë një kosto mesatare në varësi të sipërfaqes së shfrytëzimit. Kjo kosto nuk do të jetë e njëjtë për të gjitha rrethet, por e përshkallëzuar sipas zonave të caktuara. Megjithatë, në udhëzimin që i është dërguar Entit Kombëtar të Banesave për zbatimin e programeve sociale të strehimit në zonat urbane pohohet se kostoja mesatare e ndërtimit të banesave të strehimit urban në shkallë vendi do të jetë rreth 33 464 lekë për metër katror për çdo sipërfaqe shfrytëzimi, vlerë e cilat do të jetë më e ulët në qytete të tjera për të gjitha banesat që do të ndërtohen apo sipërfaqet që do të blihen. Ndërsa për zonat që nuk ndodhen në tabelën ku janë listuar edhe kostot mesatare të ndërtimeve, sipas Entit Kombëtar të Banesave për këto të fundit si çmime reference të kostos do të merren ato që zbatohen në zonat më të afërta e që bëjnë pjesë në listën e çmimeve.

Çmimet e banesave

Por kjo logjikë nuk do të jetë e ngjashme për blerjen e apartamenteve edhe në tregun e lirë. Për këtë kategori udhëzimi përcakton se për ato zona që nuk janë në tabelën e listës së çmimeve si referenca nuk do të merren ato të zonave më të afërta. Vlera e shitjes së apartamenteve për çdo metër katror të sipërfaqes së shfrytëzimit për kryeqytetin varion nga 62 00 deri në 175 00 lekë. Këto dy shifra konsiderohen si vlera minimale dhe maksimale e vlerës mesatare të shitjes për çdo sipërfaqe shfrytëzimi të apartamenteve të tregut të lord. Ndërkohë vlera mesatare e çmimeve ndryshon sipas zonave në të cilat do të sigurohen dhe apartamentet përkatëse. Për rrethet është parashikuar që kufiri minimal dhe maksimal i kostos mesatare të shitjes së apartamenteve do të variojë nga 8157 lekë për metër katror (për zonën e Fushë-Arrzit), në 70586 lekë për metër katror që është për qytetin e Durrësit, ndërsa për qytetet e tjera çmimet variojnë ndërmjet këtyre kufijve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›