Qytetarët në rrezik nga ushqimet e ekspozuara në diell, Ministria e Bujqësisë shmang kontrollet
Të gjithëve na ka ndodhur që përditë të shohim në çdo orë të ditës, produkte ushqimore tek ekspozohen e shiten ne diell, pluhur apo shi, e për këtë askush nuk kryen asnjë kontroll. Edhe pse produktet e qumështit, apo fruta perimet, madje deri tek produktet e mishit, ekspozohen për më shumë se 10 orë në ambient
të hapur duke marrë aty të gjithë pluhurin apo nxehtësinë e diellit në këto ditë të nxehta vere, ata që shqetësohen më pak për këtë janë vetë të zotët e dyqaneve që duket se nga dita në ditë do të zaptojnë edhe rrugën ku kalojnë qytetarët. Tezgat e vendosura nga ta, në hapësirat e jashtme të dyqaneve flasin më shumë se gjithçka, disa arka që rrallë herë pastrohen e për më tepër, ushqimet që ekspozohen në to nëse tenton ti pastrosh është e kotë sepse do të duhet më shumë se një kartëpecetë për tu hequr zhulin e papastërtitë. Nëse hyn në ambientet e brendshme, të dyqanit djathi e produktet e sallamit që sdihet se qëkur janë vendosur aty, e që duken sikur janë në temperaturën e duhur të frigoriferit shpesh herë kur i blen të kundërmojnë nga era sepse tashmë shitësit apo pronarët e dyqanit i kanë mësuar hiletë duke i lënë në frigorifer por në të shumtën e kohës e fikin butonin e ftohjes, duke mos harxhuar në këtë mënyrë edhe energji elektrike. Ushqimet qe blihen ne dyqane pronarët e të cilëve i ekspozojnë produktet në pluhur apo në diell janë jashtë të gjitha standardeve të sigurisë. Temperaturat e larta të këtyre ditëve përveç problemeve të vapës rrezikojnë të përhapin sëmundje pikërisht nga ushqimet që tregtohen jashtë çdo parametri sigurie. Duket se thirrjet, që kanë bërë bluzat e bardha për kujdes në konsumimin e ushqimeve të pakontrolluara, kanë rënë në vesh të shurdhët.
Precedenti
Madje, askush në Drejtorinë e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Ministrinë e Bujqësisë nuk di të japë asnjë sqarim, lidhur me kontrollohet që po ushtrohen për sigurinë e ushqimeve në subjektet private apo tregje. Aroma e rëndë, ushqime të prishura që hidhen në rrugë dhe kudo i shoqëruar nga mizat, janë pjesë e pandarë e tregjeve ushqimore në vendin tonë. Gjithçka shitet jashtë çdo lloj standardi higjenik, mes mizave, pluhurave dhe tymit të dhjetëra makinave që i përshkojnë çdo ditë dyqanet ushqimore që ndodhen në shumicën e rasteve në buzë të rrugëve kryesore. Edhe vetë shitësit e tregut e pranojnë se kushtet ku tregtojnë lënë për të dëshiruar. Bulmeti e mishi edhe pse mbahen në shumicën e rasteve në brendësi të dyqaneve sërish janë në kushte jo të favorshme për tu tregtuar pasi edhe kur peshku mund të shitet i mbuluar me copa akulli, këto të fundit nuk mund ti rezistojnë rrezeve të diellit më shumë se isa minuta. Madje, me temperaturat e këtyre ditëve të nxehta vere, erën e peshkut mund ta ndiesh në distancë mjaft të largët nga pikat e shitjes, që ndodhen brenda tregut. Ndërkohë, shumica e produkteve ushqimore që blihen nga qytetarët në dyqane apo tregje nuk janë të kontrolluara nga asnjë institucion apo drejtori. Pavarësisht se drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Bujqësisë kanë siguruar për produkte të kontrolluara në tregjet e vendit, janë me qindra tregtare që shesin në dyqane e përditë e shesin mallin e tyre të pakontrolluar. Madje, edhe vetë tregtaret në rast se i pyet se kush i kontrollon, ngrenë supet dhe mjaftohen me përgjigjen: "Pa merak, se i ke të gjitha të freskëta!". Mbeturinat e një dite më parë, apo edhe gjatë ditës, shpeshherë qëndrojnë para dyqaneve, duke të "kthyer mendjen" për të blerë aty.
Sëmundjet
Bruceloza e Hepatiti, rëndom edhe verdhëza, të cilat mund të përhapen nga mikrobet e produkteve janë sëmundje të cilat pasqyrojnë shifra të larta të rasteve të raportuara dhe kjo, falë produkteve të ndotura tej normave të lejuara. Sipas specialistëve, sëmundjet me origjinë ushqimore janë një nga shkaqet kryesore të sëmundshmërisë në vendet e zhvilluara dhe në ato në zhvillim ku, përveç globalizimit të tregut, ka ndikuar edhe rritja e konsumit jashtë shtëpisë. Kështu, helmime nga ushqimet, sipas mjekëve, shënohen çdo ditë. Por, krahas këtyre, specialistët theksojnë se, një varg tjetër sëmundjesh, si tifo, salmonelë, brucelozë e të tjera, janë shfaqur nga produktet ushqimore apo uji, cilësuar prej tyre larg normave të lejuara për konsumim. Të njëjtat burime pohojnë se helmimet ushqimore me natyrë mikrobike kanë qenë shpesh si pasojë e mungesës së respektimit të normave higjienike të mbrojtjes së produkteve ushqimore.
Arta AGOLLI
Last Updated on E Diele, 20 Qershor 2010 09:20