E Diel, 1 Nëntor 2026

Rroshi: Harrojeni Besën e fazës së parë!

Nga Leonard Dushku

Futbollisti kavajas, Daniel Roshi, thekson se skuadra është kompletuar me blerjet e bëra në merkaton e dimrit dhe është gati të ngjitet në dy vendet e para

Disa gabime të pafalshme gjatë fazës së parë, madje edhe në fushën e tyre, i detyrojnë kavajasit që të mendohen mirë për pjesën e mbetur të kampionatit, pasi do të ishte vërtet mëkat që Besa të mos kthehej në superiore në fund të këtij sezoni. Skuadra e drejtuar nga trajneri Gugash Magani mban aktualisht vendin e 5-të, i fundit që mundëson pjesëmarrjen në play-off, por kuptohet që nuk është ky objektivi i drejtuesve të saj.

Ata kërkojnë që kthimi në superiore të arrihet direkt, ndaj dhe kanë ndërhyrë në merkaton dimërore, me qëllim që skuadra ta mbyllë kampionatin në dyshen e parë. Vështirësitë kuptohet që do të jenë të mëdha, por, me përvojën dhe kualitetin që futbollistët e Besës kanë, objektivi është plotësisht i arritshëm. Kavajasit janë 4 pikë larg vendit të dytë, diferencë që mund të rikuperohet në 15 ndeshje, ndaj dhe shpresat për të pasur në fund të kampionatit një biletë superlige janë të mëdha.

Rroshi Besa është bazuar kryesisht te futbollistët me përvojë gjatë fazës së parë, siç janë Poçi, Dhëmbi dhe Mihani, të cilët kanë qenë vendimtarë në disa ndeshje, por të rëndësishëm për skuadrën kanë qenë edhe të rinjtë kavajas, ku spikat Daniel Rroshi. Mesfushori i krahut të majtë, që mund të luajë edhe prapa dy sulmuesve, ka qenë një ndër të besuarit e trajnerit Magani dhe ia ka shpërblyer këtij të fudit me 3 gola.

Rroshi thekson për Sportin shqiptar se skuadra aktuale është ngritur shumë në çdo aspekt dhe i ka të gjitha mundësitë të diktojë në ndeshjet e fazës së dytë. Kam shumë besim se fazën e dytë do të bëjmë të harrohet ajo paraqitje me ulje-ngritje e gjysmës së parë të kampionatit.

Mendoj se tifozët kavajas do të shohin Besën që prisnin, sepse skuadra është fuqizuar me disa futbollistë cilësorë dhe me shumë përvojë, siç janë mbrojtësi Dragusha, shumë i njohur te Besa, Frashëri dhe Ziambo. Kemi një skuadër të kompletuar, gjë që e kanë vërtetuar edhe ndeshjet miqësore që kemi zhvilluar deri tani, pavarësisht rezultateve.

Edhe me Dinamon të shtunën kemi luajtur shumë mirë, ndërkohë që miqësoret e tjera do të na ndihmojnë më tepër që të jemi plotësisht gati për ndeshjen e parë, transfertën e vështirë me Gramozin. Si kavajas, do të përpiqem me mish e me shpirt, që Besa të jetë në dyshen kryesuese në fund të kampionatit.

Jemi pranë me pikë dhe, falë punës sistematike, disiplinës dhe kualiteteteve që kemi në skuadër, do ti parakalojmë rivalët tanë, ka theksuar mes të tjerash futbollisti kavajas, i cili i dha fitoren Besës në ndeshjen me Ilirinë në javën e parafundit, ku kavajasit për pak sa nuk lanë edhe dy pikë të tjera në fushën e tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›