E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja bind Malkon: Skuadra është ok

Nga Julian Kasapi

Listës së futbollistëve të dëmtuar i është shtuar edhe Erion Xhafa, i cili dëmtoi kaviljen në miqësoren me Shkumbinin

Lushnjarët kanë luajtur të shtunën miqësoren e parë, pas kthimit nga Ulqini. Edhe pse vetëm me disa ditë stërvitje për çlirimin nga ngarkesat të muskulaturës, djemtë e drejtuar nga trajnerët Malko dhe Çuko kanë treguar se nuk janë inferiorë karshi një skuadre superlige, siç është Shkumbini.

Peqinasit, që në fakt nuk janë paraqitur dhe aq mirë gjatë fazës së parë, me Lushnjën e ka pasur punën pisk dhe ndeshja ka përfunduar me një eurogol të sulmuesit Fatjon Sefa, i cili më në fund ka gjetur golin, pavarësisht se ka qenë një ndeshje miqësore. Pa dyshim që problem për stafin teknik verdhejeshil mbeten futbollistët, të cilët janë në fazë riaftësimi.

Mesfushori Topi luajti vetëm një pjesë loje në Peqin, ndërkohë që sulmuesi Canka dhe portieri Bejte nuk u aktivizuan, ashtu si edhe Gjoni. Por, probleme mund të sjellë edhe dëmtimi i Erjon Xhafës, që ka dëmtuar kaviljen në mesin e pjesës së dytë. Në fakt, stafi teknik ka një kontigjent të plotë futbollistësh në skuadër, që afron alternativa të shumta.

Malko Jam i kënaqur nga paraqitja e Lushnjës, pasi sapo kemi përfunduar grumbullimin në Ulqin dhe futbollistët janë në fillimet e lirimit nga muskulatura. Skuadra ndaj Shkumbinit u paraqit mirë, duke zbatuar porositë tona si staf dhe dolëm fitues me një gol.

Është e rëndësishme që Sefa është kthyer te goli, ndërkohë që ne do të zhvillojmë të tjera miqësore dhe besoj se skuadra do të jetë gati për fazën e dytë të kampionatit. Shpresoj shumë që të na bëhen gati të dëmtuarit për të na plotësuar grupin, – është shprehur pas miqësores me Shkumbinin trajneri i Lushnjës, Sajmir Malko.

Gjatë dy javëve të mbetura skuadra lushnjare do të përpiqet të perfeksionojë teknikën, gjithmonë me shpresën që të riaftësohen edhe titullarët e dëmtuar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›