Raboshta: Luftëtari e nis 2012-ën me fitore
Sulmuesi shkodran, Jasmin Raboshta, shpreh bindjen se ekipi gjirokastrit është i aftë ta ruajë kreun e tabelës deri në fund
LuftëtariKukësi, ndeshja e javës së 14-të, u vendos nga gjyqtari që të mos zhvillohej për arsye të borës, që mbulonte fushën e stadiumit të Gjirokastrës. Mund të zhvillohej, por rregulloren e interpreton ai. Paradoksi po ndodh tani, që kjo ndeshje e fazës së parë do të zhvillohët pasi të fillojë faza e dytë. Këtë vendim morën të mëdhenjtë e futbollit tonë. Pse e bënë këtë, kur fare mirë kjo ndeshje mund të zhvillohët në çdo datë, nga 1 deri në 8 shkurt.
Nëse është për të shtyrë, më mirë është të luhet pas përfundimit të fazës së dytë, sepse mund të rezultojë edhe si një finale e vërtetë, pasi këto ekipe mund të jenë kryesues si deri tani, ndërkohë që më 15 shkurt mund të ketë përsëri borë në Gjirokastër. Nëse kjo ndeshje do të zhvillohet vërtet pasi të ketë filluar faza e dytë, me shumë të drejtë të gjithë mund të mendojnë për prapaskena për favorizim të Kukësit, përderisa Luftëtari kërkon me ngulm që ajo të luhet më 4 ose 8 shkurt.
Raboshta Jasmin Raboshta, i cili nga 14 ndeshjet e deritanishme nuk është aktivizuar vetëm në 2 dhe ka realizuar 5 gola, përfshirë një dygolësh dhe golin e parë për këtë ekip në ndeshjen inauguruese Luftëtari-Vlora, 1-0, me 11-metërsh, shprehet: Luftëtari është në krye të renditjes me meritë të plotë dhe do të vazhdojë të jetë në sajë të përbërjes dhe përgatitjeve që ka bërë dhe po bën.
Ne po prisnim të luanim ndeshjen e parpambetuar me Kukësin, por tani thuhet se do të luajmë së pari në Vlorë dhe më pas ndeshjen e prapambetur në fjalë. Është e qartë se do të caktohet nga sektori përkatës i FSHF-së se cila ndeshje do të luhet e para edhe sipas kërkesave të drejtuesve të Luftëtarit, për aq sa do të merren parasysh.
Ne, si futbollistë, duhet të përgatitemi dhe të jemi të gatshëm, por natyrisht që duhet përcaktuar sa më shpejt se do luajmë në Gjirokastër apo në Vlorë, sepse kundërshtari apo dhe fakti që do të luajmë pritës apo udhëtues, kanë rëndësinë e tyre për mënyrën e përballimit.
Kalova njëfarë dëmtimi, por tani jam i gatshëm për betejat e këtij viti dhe shpresoj se do të jem më rezultativ për të ndikuar sa më shumë, që ekipi ynë të ngjitet në superiore. Kukësi është ndër ekipet më të forta dhe Vlora, që fazën e parë na krijoi jo pak vështirësi, luan në fushën e saj, por Luftëtari, me këdo që do të luajë së pari, do të dijë të fitojë 3 pikët dhe ta nisë mbarë vitin 2012.
