Rroshi: Ndotja e plazheve, nën monitorimin e ISHP-së
Instituti i Shëndetit Publik, monitoron nga afër ndotjen e plazheve. Sipas drejtorit të ISHP-së, Enver Rroshi monitorimi konsiston në të gjitha shërbimet që janë në funksion të qytetarëve. I ftuar në studion e “Ora News”, ai ka theksuar se çdo banesë apo hotel që ndërtohet duhet të respektojë planin fillestar, për krijimin e kushteve për atë numër banorësh që do e frekuentojnë. “Në planin tonë është monitorimi dhe vlerësimi i rrezikut. Kemi edhe një plan masash të tjera për vendosjen e gjobave, deri në mbylljen e restoranteve apo bareve, kur ato nuk janë në kufirin e pranueshëm”, u shpreh Rroshi.
Duke u ndaluar në problematikat në vend, ai theksoi se zonat malore kanë probleme me mbeturinat, ndërsa në zonat e bregdetit problematika nuk qëndron vetëm tek ndotja akustike, por edhe ndotja e detit. “Kemi bërë minimizimin dhe uljen e zhurmës në zonat turistike. Ndërhyrja ka qenë me policinë e shtetit, aty ku thyhet ligji dhe shteti qytetarët telefojnë këto struktura. ISHP-ja vlerëson se ku mund të lejohet ose jo problematika e ndotjes akustike. Kemi pasur problem në plazhin e Golemit”, nënvizoi Rroshi.
Sipas tij, hedhja e mbeturinave të ngurta nga qytetarët, ndotin gjithashtu plazhin, përveç ujërave të zeza që derdhen në det.