E Shtunë, 31 Tetor 2026

Joe, piktorja angleze sjell pikturat në Shkodër

Në një udhëtim nga Anglia drejt Shkodrës ka sjellë me vete edhe pikturat e saj. Një ekspozitë vetjake e piktores angleze Joe Dusha është çelur në galerinë e artit "Iris" në Shkodër. E ka njohur këtë qytet përmes bashkëshortit të saj dhe ndjesitë i ka përkthyer në ngjyra. 29-vjeçarja Joeshima, me prejardhje nga ishulli i Mauritius, që jeton prej vitesh në Angli, është diplomuar në degën e Pikturës në shkollën "London Metropolitan". Atje do të njihte nëntë vite më parë Nikolin Dushën, ish-portierin e Vllaznisë, që pasi emigroi në Angli, u aktivizua si portier i ekipit Kristal Palace. Sot jetojnë të dy dhe nga kjo lidhje ka lindur djali i tyre Piter. Gjatë vizitave të vazhdueshme në Shkodër, në kontakte me piktorë dhe artistë të tjerë të këtij qyteti, Joe vendosi të hapë në sezonin turistik edhe një ekspozitë vetjake. Ka sjellë me vete 27 piktura, të përmasave nga 30 centimetër deri në një dhe dy metra të montuara në kavaletë, të cilat janë punuar me akrealik, ku dominon abstraktja. Secila prej tyre është unike dhe shpreh emocion të veçantë në kohën kur janë pikturuar. Gjatë prezantimit të ekspozitës, mbrëmjen e së mërkurës, në çeljen e së cilës kanë qenë të pranishëm artistë shkodranë, Joe është shprehur se punimet e saj janë kompozuar nën efektin e muzikës së jazzi-t të Frank Sinatra, Nina Simone, Ella Fitzgerald, Beautiful South, etj., pas dëgjimit të të cilave, pranë telajos, ka hedhur idetë dhe emocionet në pikturë. Sipas saj, ky ka qenë konceptimi dhe frymëzimi që e ka nxitur të përgatisë pikturat, duke shoqëruar dhe kombinuar çdo notë me ngjyra të larmishme. Duke falënderuar të pranishmit, por edhe bashkëshortin e saj, piktorja ka theksuar se në të ardhmen do të donte që të hapte të tjera ekspozita në qytetin e Shkodrës, ndërsa në planet më afatgjata synon të prezantojë punimet e saj në Tiranë dhe në Durrës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›