E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga pa krye e censusit

BESNIK MUSTAFAJ

Para pak ditësh, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dy nene të ligjit Për Gjendjen Civile, të cilat lidheshin me deklarimin e përkatësisë kombëtare në Regjistrin e Gjendjes Civile. Ky vendim shkaktoi një eufori te kundërshtarët e shumtë që ka në Shqipëri regjistrimi i popullsisë, i cili është parashikuar të zhvillohet nga data 1 deri më 21 tetor.  U besua për një çast se u rrëzua kështu edhe deklarimi i përkatësisë etnike dhe asaj fetare në regjistrimin e afërm. Por, Armand Teliti, drejtor i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, i vuri pa vonesë gjërat në vend. Ai sqaroi, me të drejtë, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka asnjë lidhje me censusin. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese meriton një vëmendje më vete për të kuptuar sidomos rëndësinë e tij, por edhe për të shtruar pyetjen: përse ndodh që qeveria jonë harton kaq shpesh dhe Parlamenti miraton symbyllazi ligje që bien në kundërshtim me Kushtetutën?
Më imediat, siç shihet, është regjistrimi i popullsisë, ose censusi, siç kërkon ta quajmë ministri Genc Pollo, për ti dhënë një tingëllimë latine, domethënë të këndshme për veshin, por të pakuptueshme për mendjen e shumicës dërrmuese të atyre që do të censorohen. Census vjen nga folja censore, që në latinisht do të thotë vlerësoj. Census u quajt në Romën e Lashtë regjistrimi që i bëhej çdo pesë vjet pasurisë së qytetarëve për ti ndarë ata në kategori, sipas të cilave do të paguheshin taksat. Shekuj më vonë, në fillimet e erës moderne, censusi u mor si term për të shprehur detyrimet që duhej të paguanin borgjezët e rinj të qyteteve për të gëzuar të drejtat politike. Unë besoj se ministri Pollo e njeh mjaftueshëm origjinën dhe përmbajtjen e këtij termi të hershëm, si dhe evoluimin e tij në kohë. Në përdorimin që zoti Pollo i bën sot këtij termi përfshihet vetëm një nga kuptimet e tij fillestare e që është regjistrimi i pasurisë së qytetarëve shqiptarë. Ministri Pollo i ka dhënë vetes të drejtë ta përshtatë këtë term në shqip pa marrë parasysh përmbajtjen e tij të ngulitur, por duke ndjekur vetëm qëllimet e qeverisë, që do të thotë se ne jemi tashmë të detyruar të kuptojmë me census jo vetëm regjistrimin e pasurisë së secilit prej nesh (gjë shumë e nevojshme), por edhe regjistrimin e popullsisë, madje një regjistrim i kategorizuar imtësisht edhe sipas përkatësisë etnike, edhe sipas përkatësisë fetare të secilit qytetar të këtij vendi. Një detyrim i tillë ne na vjen nga ligji i nxjerrë posaçërisht për këtë punë dhe i miratuar  në Parlament pa ndonjë debat të madh. Zbatimi i këtij ligji ka filluar tashmë prej javësh me ngritjen e grupeve të punës dhe pajisjen e tyre me logjistikën e nevojshme nëpër të gjitha rrethet e vendit. Është e qartë, pra, se qeveria është e vendosur ti përmbahet deri në fund pikësynimit të vet. Rrjedhimisht, çdo përpjekje për ta shtyrë Berishën të ndërrojë mendje, është e kotë.
Pyetja që më vjen mua të shtroj tani është: si do të përmbyllet ky census? Në vijim të kësaj pyetjeje, po përpiqem të ngre me këtë rast vetëm dy shqetësime.
1.
Shqetësimi i parë buron nga një kërkesë e ardhur pothuaj në mënyrë ultimative nga OMONIA, e shprehur publikisht nga dega e kësaj organizate në Korçë, por që mjafton për ta marrë me mend se ky nuk është një zë periferik, por del drejtpërdrejt nga truri i OMONIA-s. OMONIA kërkon qartë dhe prerë të ketë përfaqësuesit e vet në grupet e punës që do të kryejnë regjistrimin e popullsisë në terren. Pak ditë më pas, pikërisht ditën e Bajramit të Madh, drejtuesit e Komunitetit Mysliman në Elbasan ndërmorën nënshkrimin e një peticioni drejtuar Kryeministrit Berisha si dhe, për dijeni, Kryesisë së Komunitetit Mysliman Shqiptar, nëpërmjet të cilit kërkojnë garanci të plota për transparencë gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë mbi bazën e përkatësisë etnike dhe asaj fetare. Edhe në këtë rast nuk më duket gabim të besohet se ky zë shpreh shumë më tepër se merakun e besimtarëve myslimanë të Elbasanit. Një garanci të tillë për transparencë të plotë besimtarët myslimanë do ta merrnin vetëm duke pasur po ashtu drejtpërdrejt përfaqësuesit e vet në monitorimin e procesit. Më tej, me një gjuhë po aq ultimative sa edhe drejtuesit e minoritetit grek, edhe drejtuesit e bashkësisë myslimane të Elbasanit paralajmërojnë se në rast parregullsish, besimtarët myslimanë të Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë do ta bojkotojnë procesin. Mund të ketë edhe zëra të tjerë nga minoritetet etnike apo komunitetet fetare që janë shprehur në të njëjtën mënyrë, por që mua nuk më kanë rënë në sy nëpër paraqitjet e ndryshme mediatike. Gjithsesi, edhe kaq mjafton për të kuptuar se procesi i regjistrimit të popullsisë shqiptare mbi bazën e përkatësisë etnike dhe fetare, ende pa filluar, është i brejtur nga një dyshim i rrezikshëm ndaj njerëzve të qeverisë që do të paguhen me paratë e taksapaguesve për ta kryer këtë punë. Bën përshtypje që qeveria nuk e ka ndjerë fare të nevojshme tu japë një përgjigje sadopak qetësuese këtyre alarmeve. Në shqipen burimore do të thuhej se qeveria se ka vënë fare ujin në zjarr, pavarësisht se grekët përbëjnë numerikisht minoritetin etnik më të madh që jeton në Shqipëri dhe myslimanët po ashtu përbëjnë komunitetin fetar më të madh.
A kanë ndonjë lidhje këto dy qëndrime njëra me tjetrën? Asgjë nuk është thënë publikisht nga OMONIA e as nga Komuniteti Mysliman. Hamendësimet apo ndalja te nënkuptimet nuk më duken një rrugë e përshtatshme për ta kërkuar përgjigjen në këtë rast. E gjej me vend vetëm të përmend kujtesën që i drejton imami Bledar Haxhiu në të njëjtën ditë me peticionin po në Elbasan qeverisë dhe qeveritarëve, të cilët kanë mbi supe përgjegjësi të madhe, të jenë të vëmendshëm gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë. Sa më e madhe është përgjegjësia, aq më e madhe është edhe llogaridhënia para popullit. I bëj apel qeverisë të mos bëhet pre e dashakeqësve që nuk duan që populli ynë të jetë ballëlartë. Nuk pranojmë që për interesat e vogla dhe mjerane të qeveritarëve, populli të bjerë në kurthe, për të cilat historia do ti dënonte mjeranët dhe dashakeqët. Gjuha e imamit duket e ashpër sa nuk ka ku shkon më tej. Në thelb, e njëjta ashpërsi shprehet edhe në mesazhin e ardhur nga minoriteti grek. Vetëm se gjuha aty është më e stërholluar. Por, ambalazhi nuk ka ndonjë rëndësi në këto rrethana. Gjithkush në Shqipëri e di se minoriteti grek dhe komuniteti mysliman, kur është fjala për regjistrimin e përkatësisë fetare dhe etnike të qytetarëve të këtij vendi, nuk bashkohen tek e njëjta frikë. Ajo që ka rëndësi të veçantë të vihet në dukje, është mosbesimi i thellë që kanë në paanësinë e qeverisë gjatë këtij procesi si minoriteti grek, ashtu edhe Komuniteti Mysliman. Në qoftë se qeveria nuk gjen forcën ta qetësojë këtë dyshim qysh tani, ai, me siguri, gjatë zhvillimit të regjistrimit, vetëm do të rritet e të intensifikohet dhe do të ketë një ndikim të fortë dëmtues si mbi procesin, ashtu edhe mbi rezultatin. Me të drejtë a pa të drejtë, ky proces paraqitet i paragjykuar. Jam i sigurt se ministri Pollo, ashtu si edhe Kryeministri Berisha, e dinë fare mirë se një proces i paragjykuar, – i çfarëdo natyre qoftë ky proces, – kurrë nuk është përmbyllur me suksesin e dëshiruar.
2.
Është edhe shqetësimi tjetër. Në bazë të angazhimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, do të duhej që ky regjistrim i popullsisë të kryhej në përputhje të plotë me Konventën kuadër për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare të Këshillit të Europës, e cila sanksionon si parim bazë dhe të vetëm vetëdeklarimin e individit lidhur me përkatësinë e tij kombëtare. Ndërkohë, në fillim të korrikut, pak para mbylljes së vitit të kaluar parlamentar, u kryen ndryshimet e fundit në ligjin e posaçëm për censusin tonë. Aty parashikohen penalitete (me gjoba) për ata që gënjejnë mbi përkatësinë e tyre etnike. Ky lëshi

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›