Rruga “Hasan Sufa”, Bashkia: Përfundon në tetor
Pas debateve të shumta mes banorëve dhe policisë bashkiake, Bashkia ka nisur punimet e rrugës “Hasan Sufa” në zonën e Brrylit. Kjo rrugë lidh unazën, Bulevardi "Bajram Curri" me rrugën "Ali Demi". Sipas një njoftimi zyrar të Bashkisë së Tiranës bëhet e ditur se punimet kanë nisur, ndërsa fond i akorduar në këtë rast është 40 milionë lekë.
Ky segment i ri rrugor pritet të përfundojë në muajin tetor të këtij viti. Sipas ekspertëve të Bashkisë ndërtimi i kësaj rruge do të çlirojë trafikun, do të ulë koston dhe do të reduktojë nivelin e ndotjes.
Në njoftimin për shtyp thuhet se rruga do të ketë një gjatësi prej 312 metrash me një gjerësi prej 15 metrash. Në dy anët e rrugës janë parashikuar xhepa parkimi me gjerësi 2 m. Trotuaret në të dy anët e rrugës do të kenë gjerësi 2,5 metra.
Zonat e gjelbërta do të shtrihen në hapësirat midis godinave të banimit dhe trotuarëve. Përgjatë rrugës do të ketë ndriçim si dhe do të ndërtohet i gjithë rrjeti i nevojshëm i Ujësjellësit, kanalizime të ujrave dhe ujrave të shiut.
Ndërsa për kontestimin e banorëve se nuk janë shpronësuar, bashkia e Tiranës bën të ditur se nisja e punimeve është paraprirë nga shpronësimët e tokës dhe shtëpive dhe objekteve të tjera që preken nga ndërtimi i kësaj rruge.