VV: Rënia ekonomike, papërgjegjshmëri e Qeverisë

Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar një varg kritikash në drejtim të Qeverisë së Kosovës, kësaj radhe për shkak të ekonomisë.
"Vlerësimet e rritjes ekonomike, edhe ashtu të dobët, po shkojnë duke u zvogëluar edhe më tutje. Papunësia mbetet në nivele rekorde, ndërsa tanimë edhe diaspora ka filluar të tregojë shenja të goditjes nga kriza në Evropë.
Eksportet edhe ashtu të vogla, sipas Bankës Qendrore të Kosovës kanë shënuar rënie në gjashtëmujorin e parë, deficiti tregtar është rritur, investimet e huaja direkte kanë rënë e po ashtu edhe remitancat", thotë përmes një deklarate dërguar mediave Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas saj, Qeveria si gjithmonë nuk merr përsipër përgjejgësitë lidhur me situatën e krijuar.
Vetëvendosje thotë se problemet më të mëdha në Kosovë nuk i ka shkaktuar kriza financiare botërore, por politikat e gabueshme ekonomike të Qeverisë.