Rruga Korçë-Pogradec, ferr pa mbarim për drejtuesit e mjeteve
Është kthyer në segmentin e ferrit, rruga që lidh Korçën me qytetin turistik të Pogradecit madje dhe me pjesën tjetër të Shqipërisë. Megjithëse është një nga akset me qarkullimin më të madh të mjeteve, ajo vazhdon të mbajë peng udhëtarët dhe drejtuesit e mjeteve që lëvizin çdo ditë në të. Por sikur të mos mjaftonte, kjo kanë kaluar katër muaj nga dita e mbylljes zyrtare të punimeve, ndërsa 5 firmat që punojnë në plot 5 lote në këtë segment nuk dihet se kur duhet të dorëzojnë këtë vepër të rëndësishme.
Aksi Korçë-Pogradec është përfshirë nga një investim prej më shumë se 25 milion eurosh, ndërsa janë plot 25 kilometra që janë përfshirë nga rikonstruksioni dhe zgjerimi i plotë i saj. Ndonëse rruga pritet të jetë me standarde shumë të larta, ajo mbart probleme serioze që vijnë nga cilësia aktuale e rrugës në pjesët e përfunduara deri dhe zvarritja pa shkak e punimeve. Më shumë se një vit më parë kryeministri Berisha ka marrë pjesë në startin e punimeve të këtij segmenti prej 25 kilometra i gjatë, ndërsa iu ka kërkuar me insistim firmave ndërtese ta bënin natën ditë për ta dorëzuar para afatit rrugën për banorët e juglindjes në 28 nëntor të vitit të kaluar. Megjithëse festa e Pavarësisë nuk u shoqërua me rrugën e re ankthi për ata mijëra qytetarë vazhdon ti mbajë ata pezull. Lëvizja në këtë rrugë është tejet e vështirë, po ti shtosh këtu dhe baltën në ditët me reshje shiu apo në ditët e ftohta me dëborë të dimrit. Sipas tabelave të vendosura nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në të pesë lotet e këtij segmenti investimi sipas kontratës ndonëse ishte kërkuar të përfundonte më 28 nëntor 2008, nuk u realizua as në datën e mbylljes së kontratës më 31 dhjetor 2008. Tashmë jemi në muajin prill, ndërsa punimet nuk dihet se kur do të marrin fund. Megjithëse kemi të bëjmë me një shkelje të gjatë afati askush nuk është kujtuar për këtë arterie të rëndësishme të juglindjes që është kthyer në tmerrin e atyre që iu bie rruga të qarkullojnë në të. Por nëse kësaj panorame të trishtë i shton dhe atë të punimeve në shumë kilometra me cilësi të dobët ku dimri ka nxjerrë të palarat duke krijuar gropa të frikshme atëherë situata bëhet edhe më e vështirë dhe alarmante.