E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, të verbrit protestojnë për statusin e tyre

Persona me aftësi të kufizuar kanë protestuar dje përpara prefekturës së Durrësit, pasi kësaj kategorie i ka sosur durimi nga ligjet që nuk zbatohen nga vetë shteti për këtë shtresë. Rreth 150 persona që nuk shikojnë, protestuan ndaj Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale duke kërkuar që kjo ministri të zbatojë vendimet e qeverisë në lidhje me statusin e personave të verbër. Ata kanë kërkuar marrjen e masave dhe plotësimin e pesë pikave të tyre, të cilat parashikohen në nene dhe pika të ndryshme të ligjeve të miratuara në vite të ndryshme. Të verbrit mbanin në duar parulla të shumta ku shkruhej Duam integrim me dinjitet, Dëgjoni zërin tonë në hartimin e ligjeve, Të shfuqizohet VKM 870, na cënon rëndë . Ndër të tjera protestuesit jo vetëm që kërkojnë tu jepet paga siç është e përcaktuar me ligj por tu kthehen nga qeveria edhe paratë e prapambetura, që sipas tyre qeveria ja ka mbajtur pa të drejtë kësaj shtrese Kryetari i degës së shoqatës së të verbërve në Durrës, Franko Rrufaj ka bërë të ditur se shteti i detyrohet secilit nga personat e verbër një shumë prej rreth 59 000 lekë, e cila është grumbulluar nga viti 2002 deri në fund të vitit 2008 për shkak të rritjes ë pagës minimale me vendim të Këshillit të Ministrave. Të verbrit kanë kërkuar që të sanksionohet edhe pagesa reale për këtë shtresë në masën 10 860 lekë, llogaritur në bazë të pagës minimale e cila aktualisht është 17 000 lekë. Personat që kanë fituar statusin e të verbrit paguhen nga shteti me 70 për qind të pagës minimale, ndërkohë që në të gjithë vendin numërohen rreth 10 000 të tillë. Ata kanë kërkuar që të jepen edhe fondet për strehim, një e drejtë kjo që lind nga statusi i tyre, ndërkohë që prej 13 vitesh ata nuk kanë përfituar asgjë në këtë drejtim. Shoqata e të verbërve ka kërkuar që ata të përjashtohen edhe nga detyrimet dhe taksat që aplikohen për personat e tjerë, pasi kjo kategori përjashtohet me ligj nga çdolloj takse e tatimi të drejtpërdrejtë që lindin nga organet tatimore. Po kështu të verbrit kanë kërkuar që ti jepet fund absurdit të pagesë së taksës për Televizionin Publik, në një kohë që ata janë persona që nuk mund të shohin. Po kështu një problem tepër i mprehtë i ngritur nga protestuesit ka qenë punësimi i tyre ku nga të gjithë të verbrit që kanë mbaruare arsimin e lartë janë punësuar vetëm 7 persona ndërkohë që me ligj duhet të ishin punësuar në institucionet buxhetore shumë herë më tepër njerëz të kësaj shtrese. Të verbrit kanë kërkuar zbatimin e kërkesave të tyre dhe kanë protestuar ndaj veshit të shurdhët qeveritar, duke u shprehur se nëse edhe këtë herë kërkesat e tyre nuk plotësohen ata do tiu përshkallëzojnë protestat e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›