E Shtunë, 31 Tetor 2026

Andrea Chenier Opera e vitit 1896 ndez skenën shqiptare

Në skenën e TKOB vijon të shfaqet kryevepra e kompozitorit Umberto Giordano
E vetme dhe e papërsëritshme, opera Andrea Chenier e Umberto Giordanos rezulton të jetë mbërthyese dhe emocionuese edhe sot. Këtë gjë tregon më së miri dhe shfaqja e saj me sukses në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Premiera, e cila ka filluar që në datën 4, për të vijuar dhe në data 6, 8,10 dhe 12 prill duket se është suksesi i radhës i skenës operistike shqiptare. Zërat e mrekullueshme të artistëve shqiptarë si Armaldo Kllogjeri, Ynmer Kaca, Irini Nikolla, Eva Golemi, Ina Gaqi, Majlinda Meçe , Manjola Konjari, Genci Vozga, Gilmond Myftari, Rudi Sata, Erlind Zeraliu, Sidrit Bejleri, Pandi Zguro,etj, të cilat shoqëroheshin nga kori dhe Orkestra Simfonike e TKOB, por dhe studentë të Akademisë së Arteve, bënë që duartrokitjet dhe për këtë vepër të mos mungonin. Pas realizimit me sukses të baletit shqiptar Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur Teatri Kombëtar i Operës Baletit solli një tjetër kryevepër botërore Andrea Chenier, për të cilën ka mbërritur në vendin tonë dirigjenti i njohur italian Vito Clemente. Muzikanti nga Foxhia, Umberto Giordano e kompozoi këtë opera, që zuri një hapësirë të pazëvendësueshme në historinë e melodramës, në një moment kyç e të lumtur të aktivitetit të tij artistik. Muzika e cila vjen me kompozim nga Umberto Giordano, libreti nga Luigi Illica, skenografia Alfredo Troisi, dirigjent kori Dritan Lumshi, regjisor Antonio Petris, dirigjent Edmond Doko, mjeshtër koncertues Vito Clemente etj, ka merituar duartrokitjet e publikut në skenën e operës. Regjisori italian Antonio Petris në një prononcim dhënë për gazetën tregon se vepra është një ndër më të bukurat e kompozitorit dhe sipas tij ajo edhe sot po vijon të shfaqet me sukses në skenat botërore. Këtë vepër regjisori më parë e ka vendosur në Foxhia në vendlindjen kompozitorit,dhe pas Shqipërisë ai do ta vendosë atë në skenën hungareze. Muzikanti nga Foxhia e i mrekulluar nga një histori franceze e shkruar nga Luigi Illica, Umberto Giordano përfundon operan në fillimin e vitit 1896 dhe e vë me një sukses të madh në skenën e teatrit La Scala të Milanos, më 28 mars të të njëjtit vit, me protagonist tenorin e njohur asokohe, Giuseppe Borgatti. Subjekti i muzikuar nga Giordano merr shtysë nga vitet e fundit të jetës së Andre Chenier, poet francez, vargjet e të cilit frymëzoheshin nga poezia klasike dhe ideali elenistik, që gjatë periudhës së terrorit u gijotinua pasi denoncoi me guxim shfrenimet e Revolucionit, megjithëse ndante të njëjtat parime dhe ideale. E gjithë opera rrotullohet mbi gjendjen shpirtërore dhe sjelljen e protagonistit kryesor, që në fakt, siç e ka dhënë autori, mund të konsiderohet jo Chenier, por Gerard. Te Carlo Gerard, spektatori lexon tronditjen e një shpirti të drejtë e të ndershëm, të errësuar nga dëshira për hakmarrje, i detyruar nga vetë kushtet e rënda që të jetë i pamëshirshëm meqenëse kërkon të arrijë qëllimet e tij. Por mbi të gjitha është personazhi i Madalenës, shoqja e lojërave të fëmijërisë të Gerard, e momenteve kur mosha fëmijërore bënte të harroheshin për disa çaste nivelet sociale që i ndanin, shkaku kryesor i të ashtuquajturit rebelim: Madalena nuk është gjë tjetër veçse personifikimi i diversitetit dhe pabarazisë sociale. Andrea Chenier shfaqet një figurë heroike dhe humane në të njëjtën kohë. Parti i Chenier është shkruar për tenor. Duhet një tenor me timbër heroik, me zë të fuqishëm dhe me prezencë skenike të barabartë ose më mirë superior ndaj Gerardit; superior edhe sepse duhet të realizojë në çdo mënyrë të qenin i besueshëm, në një strukturë muzikore që e torturon pa pushim, duke i kërkuar frymëmarrje të gjerë dhe teknikë të lartë. Një shkëlqim i pastër i poezisë në muzikë rezulton përzierja e vargjeve me notat e dy autorëve të jashtëzakonshëm në këtë prezantim. Giordano demonstron një venë lumturie dhe frymëzimi në këtë opera, më të famshme dhe më të shfaqurën e tij, së bashku me operën Fedora. Ndërkohë që publiku do të ketë mundësi ta ndjekë këtë kryevepër botërore dhe në datat 8, 10 dhe 12  prill.

Last Updated on Monday, 06 April 2009 20:26

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›