E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri mes policëve të Gjirokastrës, prokuroria ngre akuzë ndaj shoferit të drejtorit të policisë

Blerim Mëhilli pezullohet nga detyra. SHKB çon dosjen në prokurori
Shoferi i drejtorit të Policisë së Gjirokastrës, do të gjykohet për veprën penale të goditjes për shkak të detyrës. Kjo akuzë është formuluar nga organi i akuzës së Gjirokastrës ditën e djeshme, fill pasi është paraqitur dosja e plotë voluminoze nga ana e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës. Në këtë dosje, kanë qenë të faktuara të gjitha rrethanat e ngjarjes së të shtunës mbrëma, ku ngeli i plagosur inspektori i policisë, Armand Gaba, si pasojë e dhunës së ushtruar nga shoferi i drejtorit të Policisë së Gjirokastrës, Blerim Mëhilli. Kreu i Policisë së Gjirokastrës, Arben Hyseni ka pezulluar nga detyra shoferin e tij, pasi ai kishte krijuar incident nën efektet e alkoolit me grupin e gatshëm të postbllokut të policisë së ngritur në afërsi të Urës së Leklit, i cili kishte për qëllim kontrollin e atyre automjeteve të dyshuara për trafik të lëndëve narkotike. Mëhilli, në këtë incident ka qenë i mbështetur edhe prej oficerit të Gardës së Republikës, Evis Mërtiri. Ndërkaq, dje Policia e Gjirokastrës ka hedhur në qarkullim versionin e dytë të ngjarjes së së të shtunës, duke thënë se policët kanë kontrolluar dhe nuk kanë gjetur asgjë në automjetin që u largua me shpejtësi gjatë momenteve të sherrit me targa të Gjirokastrës tip BMW, me drejtues Qëndrim Çelën. Ndërkohë, këtë frazë në komunikatën e ditës së diel pra atë të kontrollit të ushtruar në automjet, policia nuk e kishte përmendur. Në një deklaratë për shtyp ditën e djeshme, zëdhënësi i Policisë së Gjirokastrës, Gentijan Mullai është shprehur se automjeti në fjalë është kontrolluar imtësisht dhe në brendësi nuk është gjetur asnjë send i kundraligjshëm. Drejtuesi i automjetit, shtetasi Qëndrim Çela ka debatuar me punonjësit e policisë jo për kontrollin e ushtruar në automjet, por për paraqitjen e dokumentacionit përkatës të automjetit, pasi ai nuk e dispononte dhe veç kësaj ishte në gjendje të dehur, thuhet në deklaratën e djeshme të policisë. Zëdhënësi Mullai ka mohuar në mënyrë kategorike përplasjen me armë apo betejë në postbllok qoftë edhe një të shtënë të vetme midis punonjësve të postbllokut dhe punonjësit të Gardës së Republikës, duke kërkuar nga mediat e shkruara dhe ato elektronike, të jenë të sakta në përcjelljen e informacionit. Sipas Policisë së Gjirokastrës, shoferi i drejtorit të policisë së bashku me oficerin e Gardës së Republikës shkaktuan incidentin në postbllok në gjendje të alkoolizuar, pasi vinin nga një drekë familjare nga Dragoti i rrethit Tepelenë. Burimet zyrtare nga Policia e Gjirokastrës nuk kanë saktësuar nëse është gjetur apo është vënë në kërkim të shoferit të BMË-së Qëndrim Çela, i cili u largua vetëtimthi gjatë sherrit që plasi mes policëve mbrëmjen e të shtunës.
Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes së të shtunës në kryqëzimin që lidh rrethet e Gjirokastrës, Tepelenës dhe Përmetit në afërsi të urës së fshatit Lekël. Burime nga dëshmitarët në vendngjarje kanë bërë të ditur për gazetën "Sot" se ka qenë ora 18:00 e të shtunës, ku në postbllokun policor të ngritur në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, i cili ka për qëllim të luftojë trafiqet narkotike dhe njerëzore, ka mbërritur një automjet tip BMË. Pasi i është bërë shenjë të ndalonte, shoferi, emri i të cilit nuk dihet, nuk ka pranuar të japë për verifikim dokumentacionin e automjetit, duke kundërshtuar në mënyrë stoike. Edhe pas kërkesës së bërë nga policët për kontrollin fizik të automjetit, shoferi nuk ka pranuar duke iu thënë atyre se nuk i kam dokumentet sepse i disponon shefi që po vjen nga pas. Kjo fjali nuk është marrë në konsideratë nga ana e policëve duke insistuar sërish në kontrollin fizik. Nuk kanë kaluar shumë minuta dhe menjëherë në vend ka mbërritur shoferi i drejtorit të Policisë së Gjirokastrës B. M. Ky i fundit i shoqëruar nga një person tjetër, ka qenë me një automjet me targa të huaja. Policia nga ana e saj ka kërkuar identifikimin e personit shoqërues të shoferit të drejtorit të Policisë së Gjirokastrës. Shoqëruesi është prezantuar si oficer i Gardës Kombëtare duke treguar një dokument, i cili nuk u arrit të verifikohej në moment për shkak të incidentit të ndodhur në moment. Shoferi personal i drejtorit të Policisë së Gjirokastrës ka goditur me grusht inspektorin e Policisë së Rendit Armand Gabën duke i shkaktuar plagë në syrin e majtë. Ndërkaq personi i prezantuar si oficer i Gardës Kombëtare, ka nxjerrë armën e zjarrit duke kërcënuar Gabën. Duke përfituar nga kjo përleshje trup më trup në prezencë edhe të policëve të tjerë të Grupit të Gatshëm, shoferi i ndaluar që nuk kishte pranuar ti kontrollohej automjeti, është larguar me shpejtësi duke i lënë policët të ziheshin me njëri-tjetrin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›