E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krahët e NATO-s, këmbët e BE-së dhe rasti “Albania”

1. NATO, që në ditën e themelimit të saj, më 4 prill 1949, ishte dhe mbeti NATO, pasi arriti të ketë 12 shtete antare, ndërsa BE, me filologjinë e filozofinë e saj “Ju lutem, prisni pak...”(!), iu deshën 35 vjet, nga viti 1951 deri më 1986, për t’u bërë e mbetur BE, me 12 shtetet antare, të simbolizuar me 12 yjet në flamurin e identitetit të vet. NATO, duke i shtrirë krahët e vet euro-atlantik, që në zgjerimin e parë, në vitin 1952, me Turqinë euro-aziatike e Greqinë mesdhetare, përforcohet me 14 shtete antare, kurse BE, në start ecjen e vet embrional, nga Traktati Themelues i Parisit (ESCS) i 18 prillit 1951 (hyri në fuqi pas një viti pritjeje, më 23 korrik 1952) kishte vetëm 6 anëtarë: Franca, Gjermania Perëndimore, Italia, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu, çka i takon mbi 2.3 herë më pak anëtarësime se sa NATO. Përndryshe: kur NATO trevjecare po i zgjeronte krahët, BE nisi të ecte, të ngrihej në këmbë, të merrte fizionominë e dimensionet e veta.
         NATO, me tre zgjerime (1952, 1955 e 1981) të krahëve të saj në thellësi tokësore euro-aziatike e brigjeve të Atlantikut Verior e Mesdheut, arriti në 16 anëtarë, ndërsa BE, me tre zgjerime (1973, 1981 e 1986) duke ecur me anëtarësime vetëm me shtete bregdetare të Atlantikut Verior (Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Irlanda, Greqia, Spanja e Portugalia), pa hyrë në shtrirje vertikale drejt Gadishullit Skandinav apo në thellësi horizontale kontinentale drejt Austrisë, etj. ose drejt shteteve në Mesdhe si Malta e Qipro, mbeti deri në rënien e “Murit të Berlinit” me 12 anëtarë. NATO, gjatë “Luftës së Ftohtë”, i shtriu krahët strategjik në hapësira gjeo-politike sic i takonte si NATO, sepse: a) kapi dy brigjet e Atlantikut Veriut, dy shtetet në lindje të kontinentit amerikano-verior, si SHBA e Kanda, ndërsa në perëndim të kontinentit europian, shtetet bregdetare Norvegji, Danimarkë, Gjermani, Hollandë, Belgjikë, Francë, Portugali, Spanjë, Itali, Greqi, Turqi  dhe shtete ishullore si Britania e Madhe e Islanda. Vetëm Luksemburgu, shtet i vogël, i pavarur nga viti 1815, ishte pa dalje në det. b) U shtri edhe drejt Azisë, me antarësimin e Turqisë si shtet euro-aziatik. c) Krijoi modelin e vet me pika gjeo-strategjike në territoret e varura të shteteve antare të saj, si në Karaibe të Amerikës Qëndrore, në Oqeani, në Oqeanin Indian, etj.
BE, si organizatë politike, ekonomiko-tregtare e komunitet vlerash, gjatë “Luftës së Ftohtë”, duke qënë e ngrohtë nga krahët e NATO-s, eci me hapa të ngadaltë e të vonuar, sipas ritmit të refrenit “Ju lutem, prisni pak...”, sepse: a) Nuk u shtri në thellësi tokësore të kontinentit të vet, përveç Luksemburgut, duke u mjaftuar me disa shtete ishullore apo me dalje në dete. b) Nuk hyri deri në kufinjtë e BRSS e Bllokut Lindor: si me antarësimin e Suedisë e Finlandës (përreth vendeve balltike të BRSS), si me anëtarësimin e Austrisë, (aplikoi më 1989), si shteti perëndimor mjaft i futur gjeopolitikisht në hapësira kufitare me Bllokun Lindor Komunist, si me Çekosllovakinë 453 km, Hungarinë 366 km, Slloveninë 330 km, si me Zvicrën, etj. c) Nuk u shtri në hapësira gjeopolitike të Azisë e Afrikës: si me anëtarësimin e Turqisë euro-aziatike me 1.526 km kufitare me shtete të Lindjes së Mesme si Iraku, Irani e Siria, me 529 km me 3 republika të BRSS si Armenia, Azerbajxhani e Gjeorgjia, me 240 km me Bullgarinë, si me antarësimin e Marokut në Afrikë, në bregdetin e Mesdheut, ndonëse këto dy shtete e kanë paraqitur kërkesën e tyre që më 1987. d) Nuk i bëri pjesë “de juro” të Europës së Bashkuar, disa shtete gjeo-strategjike për ekonominë e tregtinë europiane si Malta, Qipro, etj. si disa mikro-shtete si Lehtenshtajni, Monako, San Marino, Andora, etj. e) Nuk e krijoi modelin e vet në territoret e varura të shteteve antare të saj si të Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Hollandës, Danimarkës, Spanjës. f) Nuk i bëri anëtare të saj disa shtete potenciale si Norvegjinë, shteti me vijë kufitare më të madhe me BE (me 2.348 km, më shumë se edhe Federata Ruse), që ky vend nordik aplikoi më 1961 e 1967, por ende edhe sot e kësaj dite mbetet jashtë dyerve të BE, ndonëse ka kërkuar anëtarësim edhe më 25 nëntor 1992. g) Mundet që në rast se BE do të synonte më 1973, në zgjerimin e parë të tij, të anëtarësonte njëkohësisht edhe Greqinë, Turqinë e Qipron, atëherë nuk do të kishim sot dy Qipro në një Europë të Bashkuar (!). BE, në kërkim e kompensim të kohës së humbur, antarësoi më 1995 Austrinë, Finlandën e Suedinë dhe më 2004 Maltën e Qipron, duke humbur kohë edhe në shek. XXI, me mosantarësim  të shpejtë si rasti Norvegjia me 30 vjet në pritje; me disa kandidatë potencialë në pritje si Turqia (22 vjet), Kroacia (6 vjet), Maqedonia (5 vjet), me kandidatë në pritje si Shqipëria, që ka nisur negociatat më 2003, nënshkruar MSA me BE më 2006, ratifikuar MSA nga 25 shtete antare të BE deri më 2009 e tani i thuhet e stërthuhet “Ju lutem, prisni pak...”(!) për të mos aplikuar për statusin e vendit kandidat në BE brenda qershorit 2009, brenda mandatit të Presidencës Çeke (!).      
2. Bashkimit Europian të sotëm, në fillimet e tij, me filologjinë apo filozofinë  ose filozifimet “Ju lutem, prisni...”, që u kthye në psikologji praktike e teknokratike, iu deshën mbi dy dekada për të arritur tek zgjerimi i parë i tij. Edhe vetë 6 shtetet themeluese: Franca, Gjermania Perëndimore, Italia, Belgjika, Hollanda e Luksemburgu, e nënshkruan Traktatin Themelues (ECSC), si organizatë ndërkombëtare, në Paris, më 18 prill 1951, duke hyrë në fuqi zyrtarisht, pas një viti pritjeje, më 23 korrik 1952. Këtyre 6 shteteve iu deshën edhe rreth 6 vite të tjera kohë për të  nënshkruar Traktatin e Romës, më 25 mars 1957, që hyri në fuqi më 1 janar 1958, duke zyrtarizuar ndërkombëtarisht “EEC” dhe “EAEC or Euroatom”. Kjo “Gjashtëshe” deshi e bëri historinë e vet duke trasuar e hipotekuar historinë e krijimit të Europës së Bashkuar, po me ritme të ngadalta, aqsa vetëm pas dy dekadave u mundësua zgjerimi i parë i tij, më 1 janar 1973, me tre shtete antare: Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut, Danimarka dhe Republika e Irlandës. Kaq e ndarë ishte Europa në zërat për bashkim duke mos u ngrohur me unitet as në kushtet e “Luftës së Ftohtë” dhe kishte kaq shumë zëra të vecuar nga shtete të ndryshme që donin të flisnin në emër të Europës, saqë, më 1970, dijetari i shquar, Henri Kisinger, këshilltar i presidentit Amerikan Nikson, pohonte: Në rast se do të flasë në Europë, më thoni, ju lutem, kujt mund t’i  telefonoj”...
3. Nuk ka asnjë shtet anëtar i Bashkimit Europian, përveç 6 themeluesve të tij, që të mos ketë pritur e shumëpritur, biles edhe me dekada, nga aplikimi tek anëtarësimi. Nga starti në finale, ndryshe nga dekada e parë e shek. XXI, procedurat kanë qenë mjaft hap-gjata, në faza më të vështira, me kundërshti më të mëdha, me organizim strukturor e institucional nëpër tratativa e traktate, konsensual e konsolidues. Tre shtetet e para anëtare: Mbretëria e Bashkuar, Danimarka e Irlanda, kanë ecur me dy etapa 6-vjeçare (6+6=12 vjet), nga viti 1961 në vitin 1967 derisa  u antarësuan më 1 janar 1973 (!). 
Kjo ndodhi pikërisht atëherë, kur vet Bashkimi Europian i porsa lindur do të ngrihej, jo vetëm i parë nga ana konfigurative hartore,  nga “djepi” në  “këmbë”, pra, nga  Gadishulli Italian (Apenin) në dy shtetet ishullore Britania e Madhe dhe Irlanda, ku në shtyllën e tij vertebrare përfshinte edhe Francën, Gjermaninë Perëndimore, Holandën, Belgjiken e Luksemburgun, por edhe Danimarkën. Rreth tre dekada iu deshën Bashkimit Europian për të shkuar drejt Greqisë dhe 6 vjet kohë Greqisë për të hyrë në Bashkimin Europian (1 janar 1981), ndonëse ishte: a) një shtet me pozitë gjeo-strategjike e politike në Detin Mesdhe, b) në sferën e influencës e lidhjeve me botën perëndimore, c) në kufijtë me shtete të bllokut komunist si Shqipëria e Jugosllavia, pranë Republikës Turke të Qipros Veriore (1974)  dhe vetë Turqisë me shtrirje euro-aziatike, afër Italisë euro-atlantike e ishullit-shtet pro-perëndimor të Maltës (1964, 1974), d) një fuqi detare e kohërave, ku trupojnë rrugët drejt Afrikës e Azisë, etj.
Nisur nga të gjitha këto, me tërheqjen katapultore e “kapje për dore” të Greqisë “tokë-ishuj-det”, ndodhen dy akte të shtrira në kohë: Bashkimi Europian i forcoi “këmbët e veta” gjeo-strategjike në hapësirat kryqëzuese të Mesdheut dhe e përkëdheli Greqinë si “nuse të re” duke iu zgjuar ëndrrat helene për fuqi jo vetëm ballkanike, por duke e ushqyer me fonde të mëdha iu gjallëruan tentakulat për t’u kthyer në fuqi ekonomike në Mesdhe, aqsa e faktorizuar nga këto atribute të dhuruara, Greqia, a) ishte e fundit, që e nënshkroi (me shtesë “nenesh” të pashkruara) MSA-në me Shqipërinë, b) është e fundit, e 26-ta, që e mban “peng” fqinjin tjetër, Maqedoninë, për t’u antarësuar në NATO, c) ishte e fundit në Aleancën e Atlantikut Verior, që nënshkroi (me vonesë, përtej afatit) mbrëmjen e 24 marsit 1999 për fillimin e luftës së NATO-s për mbrojtjen e Kosovës nga gjenocidi i përgjakshëm e spastrimi etnik i jashtëzakonshëm i serbëve të Milloshevicit ndaj popullit shqiptar të Kosovës, d) është ndër të paktat shtete euro-atlantike që nuk po e njeh zyrtarisht shtetin e ri të Kosovës.
Bashkimi Europian, në shtatrritjen e vet, pas ngritjes së hovshme në këmbë më 1973, duke e përforcuar bazamentin e vet gjeo-strategjik më 1981, me fuqizimin gradual të muskujve të vet vertebral, e hodhi hapin e vet të madh në Gadishullin Iberik duke i antarësuar në gjirin e vet më 1 janar 1986 dy shtete iberike: Spanjën e Portugalinë, mbi 30 vjet nga themelimi i tij dhe rreth 9 vjet nga aplikimi i tyre. Në ecjen e lartësitë e veta, në kërkim e epokim të identitetit të vet, Bashkimi Europian e ngriti në horizontet e kohës e të globit, më 1986,  Flamurin e vet me 12 yje, që simbolizonte 12 shtetet antare, jetësoi Marrëveshjen e Shëngenit të një viti më parë, (1985) kur Lindja ishte e mbyllur hermetikisht, kishte filluar prej vitesh e jepte efektet e ditës e të perspektivës konkurimi e mundja politike e ekonomike e Perandorisë Komuniste Sovjetike – si superfuqi e kohës, Europa e Bashkuar me lider  Amerikën hap-finale si superfuqi e vetme e shekullit e botës, prioritetonin “Rënien e Murit të Berlinit” e të “Perdes së Luftës së Ftohtë” duke pritur Rendin e Ri Botëror, duke projektuar shekullin tjetër ndryshe, këtë shek. XXI.
Pra, Bashkimi Europian, në rreth një gjysëm shekulli (1951-1990), ka fituar në kohë e ka bërë histori, ashtu sikurse ka humbur kohë e ka vonuar historinë...
4. NATO, nga themelimi e deri në këtë 60-vjetor të saj ishte e mbetet aleanca politiko-ushtarake më e madhe në historinë e njerëzimit, që i dëshmoi vlerat e veta të vërteta në sigurinë e qetësinë e dy brigjeve të Atlantikut Verior, por edhe në planetin tonë, biles edhe pas rënies së “Murit të Berlinit”, si me Kosovën, Bosnje-Hercegovinën, Afganistanin, etj. BE, edhe nga konservatorizmi i vet për zgjerim, i shpesh apo keq shprehur me refrenin “Ju lutem, prisni pak...”, nuk ka arritur të jetë fuqia e parë ekonomike e botës, përkundrazi ka aleatën strategjike Amerikën në vend të parë, por edhe partnerë ndërkombtarë të tij si Kina, Japonia, etj. e konkurojnë për vendin e dytë.
E para: NATO, me 28  shtetet e saj antare, (edhe Shqipërinë e Kroacinë) shtrihet në 24.673.348 km2, duke u renditur për nga madhësia territoriale në vendin e dytë në botë, pas CSTO. BE, për nga sipërfaqja, me 4.324.782 km2, mbetet vendi i nëntë në botë, pas Federatës Ruse, Kanadasë, Kinës, SHBA, Brazilit e Australisë, pas SCO, NATO e CSTO. E dyta: NATO, për nga popullsia, me 28 shtetet e saj antare, arrin në 909 milionë banorë, duke u renditur pas kontinentit të Azisë e Afrikës, pas Kinës e Indisë, pas SCO. Bashkimi Europian, me 500 milionë banorë, ndër 6 kontinentet e banuara, lenë pas vetëm Amerikën e Veriut e Australi-Oqeani, ndërsa, ndër shtetet, vjen pas Kinës e Indisë, pas SCO e NATO-s. E treta: NATO zenë vendin e parë në botë për buxhetin e saj për ushtrinë. Bota, me të gjitha shtetet e saj, ka 1.470 miliardë USD, ndërsa NATO 1.05 miliardë. BE, me 312.2 miliardë USD, zenë vendin e tretë në botë, pas NATO-s dhe SHBA (651,163 miliardë USD për vitin 2009).
5. NATO është më e avancuar drejt gadishullit të Ballkanit duke antarësuar 8 shtete, (7 + 1), ndërsa BE vetëm 4 prej tyre, duke mbetur e vonuar. Shqipëria hyn në NATO brenda një viti nga ftesa tek antarësimi, ndërsa BE, nga nënshkrimi i MSA me BE më 2006 e ratifikimi nga 27 shtete antare të saj deri më 2009, i dilet me postbllokun “Ju lutem, prisni...”, se “po të shpejtoni për aplikimin si vend kandidat do të vononi me vite për miratimin” (!). Turqia, që ka 57 vjet në NATO, sa vet mosha e BE, lihet për të pritur tash 22 vjet (!). Edhe Kroacia, që BE deklaron se i ka përmbushur standardet e kriteret, lihet tash 6 vjet “pas derës”, edhe sot, më 2009, duke iu thënë e stërthëna ”Ju lutem, prisni...”(!).
Strategjia e gjeopolitika euro-atlantike dëshmojnë se nuk mund të ketë NATO me forcë  politiko-ushtarake në rritje e BE me fuqi politike e ekonomike pa integrimin e plotë të Ballkanit, të cdo shteti të tij, të paktën në njëren prej këtyre organizatave më të fuqishme të globit.
BE në historinë e ecjes së vet ka zgjidhur mjaft problematika të kohës, por sot, në fundin e dekadës së parë të shek. XXI i shtrohet për zgjidhje edhe formula gjeo-strategjike ballkanike “7 + 1”. Kjo e thënë qartë ka të bëjnë me zgjerimin e BE drejt Ballkanit me antarësime të reja, si në Ballkanin Perëndimor (Shqipëria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina e Serbia) dhe Turqia.
Ne, Ballkani, duam të shkojmë sa më shpejt në BE, por, faktikisht, BE po ecën me këmbët e saj si valët e detit për të ardhur në Ballkan. Në themelimin e saj erdhi deri në Detin Adriatik me Italinë dhe pastaj nga jugu i Ballkanit, në brigjet e Jonit, me antarësimin e Greqisë më 1981 dhe në veri me antarësimin e Sllovenisë më 2004. Cështja shtrohet qartë: Ballkani do të mbetet “oaz” i Europës së Bashkuar apo do të bëhet pjesë e saj? A i duhet Bashkimit Europian një korridor bregdetar gjeostrategjik, tregtar, etj.  nga Sllovenia në Greqi, duke anëtarësuar Shqipërinë, Kroacinë, Kosovën, Malin e Zi, pse jo, edhe Bosnje-Hercegovinën e Serbinë? A i duhet Bashkimit Europian  një korridor nga Italia drejt Turqisë, duke kaluar nëpër Shqipëri, Maqedoni, këto dy shtete që presin të jenë në BE? Dihet se Ballkani, me problematikat e veta në luftëra e paqe, në dy shekujt e fundit, i ka marrë mjaft kohë Europës, po, njëkohësisht dihet se nuk ka BE tamam BE pa realitetin e ri gjeopolitik  të dy dekadave të fundit të Ballkanit, pa antarësimin e shpejtë të këtyre shteteve ballkanike në rradhët e saj.
BE mund të ecë me investime autostradore, etj. drejt Rusisë, Lindjes së Mesme, Izraelit, etj., por, në radhë të parë, i duhet që këmbët t’i ketë të mbështetura e të forta në tokën e vet europiane, edhe në shtetet bregdetare e tokësore të Ballkanit.
Edhe rasti “Albania” të lë të nënkuptosh se Europa nuk është e përgatitur për anëtarësime të reja, kurse shumica e vendeve të Ballkanit po tregojnë se janë të përgaditura për të hyrë në Europën e Bashkuar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›