Rruga Peshkopi- Tiranë, dëmtohet pranë kthesës së Sanës
Lëvizja në rrugën nacionale Peshkopi- Tiranë, vazhdon të jetë e vështirë për shkak të rrëshqitjeve të dherave pranë kthesës së Sanës, rreth 1 km larg qytetit të Burrelit.
Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar shembjen e një tjetër pjesë të rrugës nacionale që lidh Dibrën me Tiranën. Shembjet nisën disa ditë më parë, si pasojë e rëshjeve të shiut dhe borës, ndërsa vështirësi vazhdojnë të hasen.
Rrëshqitja e dherave bën që lëvizja në këtë aks të jetë e vështirë, duke krijuar trafik dhe vonesa.
Ndërkaq, burime zyrtare pranë Drejtorisë së Rrugëve në Qarkun e Dibrës bënë me dije se problemi është evidentuar prej vitesh.
Pjesa e dëmtuar shtohet çdo ditë duke rrezikuar deri në bllokimin e rrugës dhe automjeteve.
Problematike lëvizja në këtë aks paraqitet veçanërisht gjatë mbrëmjes pasi në rrugë ka mungesë të theksuar të ndriçuesve.
Ndërkohë, në qarkun e Dibrës probleme po hasen edhe në disa rrugë rurale, ku janë shënuar rrëshqitje dherash dhe bllokime.
Burime nga shtabet e emergjencave të njësive vendore, në Qarkun e Dibrës, bëjnë të ditur se ka pasur rrëshqitje dherash në rrugën rurale të sapoasfaltuar Ura e çerenecit-Gjoricë.
Rrëshqitje dherash janë shënuar edhe në rrugën nacionale Peshkopi-Kukës, në afërsi të Urës së Muhurrit.
Megjithatë, rrugët nacionale janë të kalueshme.