Sulmi me mitroloz. Togo tërhiqet
TOGO- Kombëtarja e Togos është tërhequr nga Kupa e Kombeve në Afrikë, pas sulmit me mitraloz ndaj autobusit të saj ditën e premte në Angola. Lajmi është dhënë nga BBC, ndërsa në orët e pasdites ka ardhur edhe konfirmimi nga drejtuesit e delegacionit togolez në Angola. Sulmi është marrë përsipër nga një organizatë e quajtur Fronti për Lirinë e Enklavës së Kabindës, zonës ku është grumbulluar kombëtarja e Togos. Autoritetet angoliane e kanë quajtur atë një akt terrorist dhe kanë premtuar gjetjen e autorëve. Por numri i viktimave ndërkaq vazhdon të rritet. Pas shoferit që mbeti i vrarë në vend, të shtunën është njoftuar edhe vdekja e dy personave të tjerë, trajnerit të portierëve dhe shefit të shtypit, të cilët mbetën të plagosur në sulmin e ndodhur në kufirin mes Kongos dhe Angolës. Ka qenë kjo arsyeja që të gjithë futbollistët e Togos nuk pranojnë të luajnë në Angola. Emanuel Adebajor, ylli i kësaj skuadre, e ka bërë të ditur tashmë se askush nuk do të luajë pa siguri. Të premten, autobusi i ekipit kombëtar togolez u godit me breshëri mitralozi për 20 minuta, në një nga ngjarjet më të paprecedenta në futboll. Përveç 3 të vdekurve, janë edhe 7 persona të tjerë të plagosur, mes të cilëve edhe futbollistë.Ndërkaq, Presidenti i Federatës Togoleze Vini Dogbatse tha se rebelët sulmuan të dy autobusët në të njëjtën kohë, pra autobusin e lojtarëve dhe atë që kishte bazën materiale. “Ne kemi 9 vetë në spital dhe jemi gati të largohemi nga Kabinda që sonte”, deklaroi ai. Kjo krizë e ardhur si pasojë e mungesës së kushteve të sigurisë, mund të çojë në anulimin e Kupës së Kombeve në Afrikë, pasi Angola për momentin duket një vend në prag të luftës civile.(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)