E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiten kazanët e plehrave, përdoren si kazanë rakie

Gjirokastër- Grabitja dhe vjedhja e kazanëve metalikë të plehrave në qytetin e Gjirokastrës është kthyer në një fenomen shqetësues për punonjësit e Ndërmarrjes Komunale. Qytetarë të papërgjegjshëm vazhdojnë të grabisin dhe dëmtojnë pikat e grumbullimit të mbetjeve urbane dhe kazanët e plehrave të vendosura në zona dhe lagje të ndryshme të qytetit. "Ne kemi konstatuar se mjaft prej kazanëve metalikë vazhdojnë të vidhen nga qytetarë të ndryshëm", thonë punonjësit e Ndërmarrjes Komunale në Gjirokastër. Sipas tyre, një pjesë e kazanëve metalikë të vjedhur shiten për skrap. “Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, në disa raste veshja metalike e kazanëve përdoret për të bërë kazanë rakie”, thonë punonjësit e komunales në Gjirokastër. Në këtë situatë punonjësit e komunales janë të detyruar që në pikat grumbullimit të plehrave në qytet të vendosin kazanë të rinj, duke shpenzuar kështu shuma të konsiderueshme financiare nga buxheti i ndërmarrjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›