Universitetet, këtë vit 10% më shumë studentë se vjet
Universitetet publike të vendit gjatë vitit të ri akademik parashikohet të pranojnë 10% më shumë studentë se vjet, ndërkohë prioritet do të kenë degët e shkencave teknike, natyrore, gjuhët e huaja, shkencat e jetës, ekonomia dhe administrimi. Gjithashtu, një tjetër prioritet në përcaktimin e rritjes së kuotave të pranimit mbetet edhe nevoja që kanë disa programe (më pak të kërkuara nga maturantët) për të shtuar pranimet, kërkesë e cila faktohet edhe nga tregu i punës. Konkretisht, për vitin e ardhshëm akademik 2011-2012 nga Ministria e Arsimit është parashikuar që rritja e mëtejshme e pranimeve në institucionet e arsimit të lartë publik të vijojë me 10% më shumë krahasuar me pranimet e bëra gjatë këtij viti akademik, shifër që për të tre ciklet e studimit arriti në 50 mijë studentë.