Specialistët kundër punimeve në shesh, projekti i Bashkisë i jashtëligjshëm
Në lidhje me debatin e shumëpërfolur të konstruksionit në sheshin Skënderbej është organizuar ditën e djeshme një konferencë me moton Të zgjidhim problemet së bashku. Tryeza e organizuar nga Shoqata Tirana ka pasur në qendër të diskutimeve projektin e sheshit Skënderbej dhe planin rregullues të kryeqytetit i cili ka ngjallur debat mes përfaqësuesve
të pushtetit vendor dhe specialistëve. Specialistë të ndryshëm kanë deklaruar se janë kundër realizimit të projektit pasi ai sipas tyre është i jashtëligjshëm dhe nuk ju shërben aspak qytetarëve të Tiranës. Në lidhje me këtë vetë kryetari i Shoqatës Tirana Arben Tafaj është prononcuar ditën e djeshme për gazetën SOT se plani që është duke u realizuar nga bashkia e Tiranës nuk është në favor të qytetarëve dhe për këtë arsye duhet të jenë vetë ata që të ngrenë zërin kundër kësaj padrejtësie. Sipas tij debati për sheshin, tashmë është kthyer në një mollë sherri për qeverinë dhe bashkinë duke lënë mënjanë qytetarët e Tiranës atyre që në të vërtetë duhet tu shërbejë ky shesh. Sipas specialistit Tafaj në radhë të parë duhet tu merret mendim qytetarëve si të vetmit aktorë që ju shërben kjo kauzë e keqpërdorur politikisht. Një tjetër i ftuar në këtë konferencë ditën e djeshme ka qenë edhe Prefekti i Tiranës Keltis Kruja i cili është shprehur se projekti i rikonstruksionit të sheshit është i jashtëligjshëm sepse nuk është miratuar me ndryshimet e tij, duke krijuar kështu një debat mes tij dhe përfaqësuesit të KRT-së së Bashkisë së Tiranës , Arben Biçoku. Ndërkohë Arben Tafaj , Kryetari i Shoqatës Tirana është shprehur se duhet kërkuar transparencë për projektin e sheshit por edhe planit rregullator të Tiranës, duke theksuar se qytetarët nuk mund të jenë peng i një konflikti politik. Edhe specialisti Enver Faja është shprehur kundër projektit të ri për rikonstruksionin e sheshit Skënderbej duke theksuar se plani Francez ishte më i përshtatshëm. Kritikat kryesore gjatë këtij diskutimi janë dhënë në lidhje me ndryshimin e planit nga ai Francez në atë Belg. Për qendrën e Tiranës ka një plan francez, një belg dhe po bëhet gati një tjetër zviceran.
Takimi
Shoqata Tirana mblodhi në një tryezë arkitektët më të vjetër dhe pjesëtarë nga shoqëria civile. Gati të gjithë janë të një mendimi, bulevardi nuk duhet të mbyllet me një kullë dhe monumenti i Skënderbeut të mos zhvendoset në cep të lulishtes. Duhet ti kërkohet Këshillit Bashkiak që të miratojë pezullimin e punimeve. Ndërsa plani francez megjithëse me gabime është miratuar nga KRRT-ja dhe KRRTSH-ja, plani belg nuk është miratuar nga KRRTRSH-ja, ndërkohë që pritet një plan tjetër zvicerian për tu shqyrtuar në KRRT-në e Tiranës e pambledhur prej një viti e gjysmë. Anëtari i KRRT-së Arben Biçoku shpjegoi se krijimi i planit belg doli i nevojshëm, pasi ishte menduar që sheshi qendror të ishte vetëm për këmbësorët, dhe për makinat të kishte një unazë të vogël përreth ministrive, por zbulimi i themeleve të Tiranës e anuloi këtë ide, kështu që u hap një tjetër konkurs për qendrën dhe e fitoi studioja belge. Arkitektja Bardha Daja shpjegoi se një plan rregullues nuk mund të bëhet aq shpejt, duhet një punë studimore dhe një plan rregullues nuk mund të dalë jashtë kohe kaq shpejt, por ai duhet ti rezistojë viteve. Specialistët më të njohur në vendin tonë të fushave të ndërtimit, urbanistikës, arkitekturës, mjedisit, klimës, juristë, të shoqërisë civile, medias, etj, të cilët me argumenta shkencore dhe juridike shprehen mendimet, konsideratat dhe rezervat e kritikat në lidhje me të ardhmen e pjesës qendrore të kryeqytetit. Në veçanti u evidentuan mjaft shkelje flagrante, tekniko shkencore, juridike, institucionale, shoqëruar me mosrespektim dhe marrjen në konsideratë të mendimit të qytetarëve të Tiranës, ashtu sikundër u paraqitën arsyetime të mjaftueshme që duhet të përcillen në qeverinë shqiptare, e cila duhet të ndalojë me shpejtësi ndërhyrjet dhe veprimet ndërtuese të pamiratuara që Bashkia e Tiranës ka nisur ditët e fundit dhe që synojnë në modifikime të sheshit qendror të Kryeqytetit, gjë që del jashtë kompetencave ligjore të saj dhe që do të përcjellë një impakt mjaft negativ në shkallën e komfortit të kryeqytetit dhe me pasoja jo vetëm për banorët e saj por me një ndikim mjaft negativ dhe në turizëm.
Shoqata Tirana: Punimet në shesh, të ndërhyjnë ndërkombëtarët
Përsa i përket punimeve në shesh Shoqata Tirana, përcjell me këtë rast shqetësimin e gjithë qytetarëve të saj, bazuar në mendimin shkencor e juridik, referuar konsideratave të profesionistëve me në zë në vendin tonë, do të bëjë me dije gjithë opinionin publik brenda e jashtë vendit për këtë masakër urbane që i kanoset njërit prej kryeqyteteve të Evropës - Tiranës, dhe e konsideron këtë takim vetëm fillimin në serinë e veprimtarive brenda e jashtë vendit që qytetarët e Tiranës, të gjithë banorët e saj, do të ngrenë zërin duke u paraprirë nga mendimi intelektual e shkencor dhe për të cilën do të relatohet në të gjitha nivelet brenda vendit si dhe më pas në institucionet ndërkombëtare, në të cilat mendojmë se do të gjenden nivelet e duhura intelektuale e qytetare që do të përkrahin këtë synim.
Lame: Projekti i sheshit i përkryer, në shërbim të qytetarëve
Punimet që po kryhen tashmë në sheshin "Skënderbej" janë kthyer në një debat të gjerë mes qeverisë dhe pushtetit vendor, mes ish drejtuesve të bashkisë, por dhe mes arkitektëve. Ish-nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Artan Lame cilëson projektin belg që po zbatohet në sheshin "Skënderbej" si të përkryer dhe që do të jetë në shërbim të komunitetit në Tiranë. "Projekti belg, që po zbatohet e liron sheshin nga godinat që parashikonte projekti i mëparshëm, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Është sheshi më i rëndësishëm i Shqipërisë dhe çdo ndërhyrje ndërtuese në të, ka shumë pasoja. Ky projekt nuk parashikon ndërtime brenda në zonën e sheshit aktual", thotë Artan Lame, ish nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Përsa i përket argumenteve nëse bashkia ka leje mjedisore për punimet, apo duhet të marrë leje në KRRTRSH, pasi ky është një projekt i ri që po zbatohet, Lame përgjigjet: "Çështja e lejeve është teatri më i neveritshëm i mundshëm. Asnjë dokument nuk ka vlerë në Shqipëri sa vlejnë celularët e dy kryetarëve të partive përkatëse. Asnjë institucion nuk të jep përgjigje, apo nuk të bllokon pa marr urdhër në celular, kështu që nuk kanë vlerë letrat, po ka vlerë celulari. Nëse në celular ministrit i thuhet zhbllokoje do ta zhbllokojë, nëse i thuhet bllokoje, do ta bllokojë. Të gjithë të tjerat janë teatër". Pavarësisht debateve të shumta, krahas punimeve në sheshin "Skënderbej" ka filluar puna për fazën e dytë të punimeve edhe në zonat që rrethojnë qendrës e Tiranës.
Arta AGOLLI
Last Updated on E Marte, 13 Prill 2010 21:33